MENU
klinika

Demokratët votojnë në oborr

Në Sarandë dhe Fier kyçen zyrat, ku voton Berisha?

18.12.2021 - 10:13

Ish-kryeministri Sali Berisha do të votojë sot në Tiranë, si gjithë anëtarët e PD në vend, të cilët përmes referendumit do të zgjedhin nëse duan të shkarkojnë Lulzim Bashën apo jo. Vetë Berisha ka zgjedhur një qendër votimi në Rrugën e Elbasanit.

Ai do të votojë pranë “Bar Amerika”, ngjitur me Ambasadën e SHBA në kryeqytet. Rastësi apo një zgjedhje e qëllimshme nuk mund ta themi, por që ish-kryeministri di të japë mesazhet pastër dhe shumë qartë kjo është e padiskutueshme.

Procesi i votimit ka nisur në të gjitha degët e PD në Shqipëri, prej orës 08.00, shkruan newsbomb.al. Grupi i Rithemelimit ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive sot, ndërkohë që në Pallatin e Kongreseve mbahet Kuvendin Kombëtar i PD i thirrur nga Lulzim Basha.

Situata është më ndryshe në Sarandë dhe në Fier. Në qytetin bregdetar kryetari i PD ka kyçur zyrën dhe demokratët janë detyruar të ngrenë stendat në oborrin e degës, për të marrë firmat e anëtarëve që duan shkarkimin e Lulzim Bashës.

Edhe në Fier është e njëjta situatë. Bravat e dyerëve të selisë së PD atje janë ndryshuar dhe demokratët kanë ngritur dy qendra votimi në pika të ndryshme të qytetit. Një prej qendrave është ngritur në një universitet privat.