MENU
klinika

Analiza

Një vit më pas, është e qartë se Brexit ka dështuar

28.12.2021 - 07:29

Nga John Springford “The Indipendent

Meqë marrëveshja mbi Brexit është tashmë në fuqi prej një viti, ia vlen që të analizohen shkurtimisht pretendimet fillestare nga politikanët që na detyruan të dalim nga tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian. Kështu, David Davis na premtoi se marrëveshja tregtare BE-Britani, do të në sillte “të njëjtat përfitime”me ato që kishim nga anëtarësimi në union.

Kryeministri Boris Johnson pyeti:“Seriozisht besoni se ata do të vendosin tarifa kundër produkteve britanike të çdo lloji?”.Ndërkohë Michael Gove pretendonte se Brexit do t’i inkurajonte vendet anëtare që të rimerrnin edhe kompetencat e dorëzuara prej kohësh Bashkimit Evropian.

Ai tha:“Ajo që do t’i zemërojë dhe çorientojë elitat e BE-së, do të jetë suksesi i Mbretërisë së Bashkuar jashtë unionit” dhe se “popujt e BE-së … do të shohin se është e mundur një Evropë ndryshe”. Që të gjitha këto pretendime rezultuan të ishin të rreme.

Kjo pasi tanimë e dimë se marrëveshja tregtare Britani e Madhe-Bashkimi Evropian ka imponuar kosto të konsiderueshme për importuesit, eksportuesit dhe punëdhënësit. BE-ja na vendosi shumë tarifa, dhe unioni ka fituar më shumë fuqi, në vend se të shndërrohej në një federatë me rregulla më të lirshme.

Që nga marsi i këtij viti, raporti im periodik mbi kostot e Brexit, ka konstatuar se braktisja e tregut të përbashkët e ka zvogëluar me 11-16 për qind volumin e tregtisë së mallrave në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë tregtinë me BE-në dhe tregtinë me pjesën tjetër të botës.

Kjo shifër është shumë pranë gamës së parashikimeve të bëra përpara Brexit, nga 10 për qind (nga qeveria e Theresa May) në 17 për qind (për ne si Qendra për Reforma Evropiane,CER). Dhe mos harroni:Britania nuk ka vendosur ende kontrolle të plota mbi importet – kufiri do të rikthehet plotësisht në korrik 2022 – dhe ata do të imponojnë kosto të mëtejshme për bizneset britanike.

Zyra Përgjegjëse për Buxhetin, ka përdorur vlerësimin tim për të testuar parashikimin e saj afatgjatë mbi ndikimin e Brexit në PBB, dhe nuk sheh asnjë arsye për të ndryshuar supozimin e saj se ekonomia britanike do të jetë të paktën 4 për qind më e vogël.

Jo vetëm që nuk po ndodh forcimi i ekonomisë britanike siç na u premtua, por fakt është që Brexit e ka bërë atë më të ndjeshme ndaj krizave. Për shembull, marrin rastin e pandemisë. Brenda BE-së, vëllimet e tregtisë së mallrave janë rikuperuar, gjë që do të thotë se qytetarët e BE-së kanë vuajtur më pak nga mungesa në produkte sesa ata në Britanisë.

Ne e dimë se ka pasur një largim të madh të qytetarëve të BE-së nga Britania gjatë pandemisë, sepse vendet e punës u pakësuan. Edhe pse nuk e dimë me saktësi sa ishte (të dhënat e emigracionit  në Mbretërinë e Bashkuar vazhdojnë të jenë të pakta).

Kjo gjë ka nxitur mungesën e fuqisë punëtore, pasi vetë qytetarët britanikë kërkojnë zakonisht punë më të mira apo daljen në pension të parakohshëm. Këto kufizime në ofertë, kanë bërë që inflacioni në Britani të jetë më i lartë se në vendet e tjera, të cilat falë menaxhimit po të dobët të pandemisë së Covid-19, kanë pësuar një rënie të ngjashme të PBB-së.

Shumica e parashikimeve të para-Brexit, supozonin se kostot ekonomike të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë do të ishin më afër skenarit të një daljeje nga unioni pa marrëveshje, sesa qëndrimi në tregun e përbashkët. Kjo sepse mosmarrëveshjet në kufi janë të ngjashme për sa i përket vërtetimit të pajtueshmërisë me standardet e BE-së dhe origjinës së mallrave.

Sipas një studimit të SussexUniversity, u paguan tarifa për rreth 1/4 e eksporteve britanike që kualifikoheshin që të hynin në BE pa tarifa. Dhe kjo ka ndodhur ose sepse eksportuesit nuk donin ose nuk mund të provonin se produkti i tyre ishte prodhuar kryesisht në Britani, ose sepse plotësimi i dokumenteve ishte shumë e kushtueshëm.

Që nga Brexit BE-ja ka ndryshuar, por duke u bërë më e integruar. Mbështetja ndaj qëndrimit të vendit të tyre në union është rritur në shumicën e vendeve anëtare, pjesërisht sepse Brexit perceptohet si një dështim, dhe pjesërisht sepse krizat e eurozonës dhe migracionit janë tejkaluar.

Fillimi i hershëm i vaksinimit në Britaninë e Madhe, ishte një lloj fitoreje e Brexit, por shumë jetëshkurtër. Britania ka vaksinuar deri më sot të njëjtën përqindje të popullsisë së saj si BE-ja, dhe madje në një përqindje më të ulët sesa shumica e vendeve në Evropën Perëndimore.

Fondi i rimëkëmbjes nga pandemia, ka krijuar një kapacitet fiskal në nivelin e BE-së,dhe ai do të bëjë që të ketë shumë gjasa që Italia apo Polonia të ndjekin shembullin e Britanisë duke dalë nga unioni. Dhe që nga Brexit, BE-ja ka evoluar në një drejtim që është më pak i favorshëm për interesat e britanikëve.

BE-ja është sot më “franceze” në të menduarit e saj mbi tregtinë. Ajo ka një grup të ri politikash që imponojnë një fushë loje më të barabartë në nivel ndërkombëtar, sikurse është edhe mekanizmi i rregullimit të kufijve të emetimeve të gazeve karbonikë në atmosferë,si dhe shqyrtimi i investimeve të brendshme për të mbajtur larg kontinentit Kinën dhe vendet e tjera autokratike.

“City of London”, zemra e financave britanike, po përballet me më shumë lëvizje nga BE-ja mbi aktivitetin e shërbimeve financiare. Ndërsa janë shtuar provat mbi kostot reale të Brexit, avokatët e Brexit kanë filluar të thonë se nuk mund të gjykohet një projekt që në vitin e tij të parë. Sipas tyre do të duhen ende shumë vite përpara se të mund të themi nëse ai ka qenë apo jo i suksesshëm.

Ndoshta mund kenë të drejtë. Por që Brexit të funksionojë vërtet, do të kërkojë veprime të bashkërenduar të qeverisë. Ne nuk kemi parë ende asnjë listë të procedurave burokratike të BE-së që qeveria britanike do të shfuqizojë tani e në vazhdim.

Me pak fat, marrëveshjet e tregtisë së lirë do të rrisin tregtinë me vendet me rritje të shpejtë ekonomike jashtë Evropës. Por nga ana tjetër ka pak shpresë për të kompensuar koston e barrierave me BE-në, madje edhe me marrëveshjet e reja të tregtisë me SHBA-në dhe Kinën.

Viti i parë i Brexit ka dështuar sipas standarteve të përdorura nga vetë avokatët e tij, dhe duket e pamundur se do të realizohen ndonjëherë premtimet e tyre.