Poeti i njohur Arben Duka, ka ndërruar jetë.
Mësohet se Duka ndërroi jetë për shkak të arrestit kardiak. Ai u dërgua në spital mbrëmjen e djeshme nga familjarët, pas problemeve shëndetësore, ku edhe ndërroi jetë.
Arben Duka u lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka studiuar pranë Akademisë Ushtarake, si dhe Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë. Është bashkëautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanreve, duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetëra çmime si autor dhe bashkëautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar.
Është autor i mijëra e mijëra vargjeve humoristik dhe satirikë në shumë të përditshme dhe periodike. Ka mbuluar për rreth shtatë vjet “Intervistat E Kaso Kosës” në gazetën “Intervista”, duke qënë i spikatur dhe në prozë në këtë fushë.
Por, Arben Duka është më së shumti një poet lirik. Janë të shumta këngët hite në vite që mbajnë firmën e Arben Dukës, është e pamundur të shkruhet gjithë ajo listë e gjatë. Duka është autor i tekstit të Himnit të Policisë së Shtetit.
Urrejtja dhe dashuria – Arben Duka
Një ndjenjë e re – që zemrën peshë ma mban,
sërish nga gjumi nesër do më zgjojë,
do të harroj çdo gjë që ne na ndan,
e atëherë çdo gjë do na bashkojë.
Kufijtë e ndarjes e të dashurisë,
si fije peri-krejt të holla janë,
ndaj dhe dilema rron mes njerëzisë,
kur të dy ndjenjat rriten pranë e pranë.
Dhe njëra-tjetrën natë e ditë ushqejnë,
në një mënyrë krejt të rastësishme,
sot njeri-tjetrin për vdekje urrejnë,
nesër shkrihen në puthje të magjishme.
Mes njëra-tjetrës kufi të saktë s’ka,
se zemra s’mund të ndahet me kufi,
kur ndez e shuan zjarre të mëdha,
kur rrit urrejtje edhe dashuri.
Nuk shkroi më kot poeti i lavdishëm:
“Urrejtja është zjarr’ i dashurisë,
tërmetet s’janë nga ‘to më të fuqishme,
të dyja tok-motor i njerëzisë”.
Kaq kam mësuar unë nga kjo jetë,
jo thjesht për faktin se më la rinia,
po Bota krejt lëviz-në të vërtetë,
o nga urrejtja-o nga dashuria.
Dhe-për të tjerët-ndoshta mund të vlejë,
ajo që mbi të bardhë u shkrua me bojë:
“Një zemër që s’ka forcën të urrejë,
nuk ka fuqi as të dashurojë!