Kryetari i Dhomës së Tregtisë në Serbi, Marko Çadez ka komentuar takimin që do të zhvillohet në Tiranë në kuadër të “Open Balkan” ku do të marrë pjesë edhe presidenti Aleksandër Vuçiç.
Ai thotë se pret që pas këtij takimi Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia të kenë një treg në përbashkët në fillim të vitit.
“Presim të marrim një treg të përbashkët, certifikata të harmonizuara dhe të mos kemi më asnjë problem ekonomik”, ka thënë ai.
Po ashtu ai vlerëson këtë takim, ndërsa u bën ftesë edhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i bashkohen kësaj nisme, pasi sipas tij ky projekt do t’i shërbejë Ballkanit.
Sipas tij kjo iniciativë nuk ka të bëjë vetëm me nënshkrimet për marrëveshjet ekonomike, por synon paqen dhe prosperitetin e Europës.
Më tej Çadez thotë se ky është një samit historik dhe një ditë e madhe për Serbinë dhe rajonin.
“Është punuar për një kohë të gjatë dhe është tejkaluar ajo përçarje pasi tashmë është krijuar një besim i ri”, ka thënë ndër të tjera Çadez.