MENU
klinika

Negociatat bërthamore

Pala evropiane nuk pranon propozimet e Iranit

05.12.2021 - 09:31

Kryenegociatori dhe zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Ali Bagheri tha se propozimet për zgjidhjen që Teherani paraqiti në negociatat bërthamore në Vjenë nuk u pranuan nga vendet evropiane palë të marrëveshjes.

Në një fjalim në televizionin shtetëror të Iranit, Bagheri dha informacione lidhur me negociatat ku u diskutua zbatimi i plotë i Marrëveshjes Bërthamore të emërtuar si “Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA)” dhe kthimi i SHBA-së e cila u tërhoq nga marrëveshja në mënyrë të njëanshme në maj 2018.

Bagheri tha se propozimet e paraqitura për heqjen e sanksioneve dhe lidhur me aktivitetet bërthamore të Iranit, nuk u pranuan nga palët evropiane të marrëveshjes. “Është e vërtetë se pala evropiane nuk është e kënaqur nga propozimet tona, por ajo që është më e rëndësishme është se këto propozime bazohen në parimet e përbashkëta mes dy palëve. Theksuan se propozimet tona nuk përputhen me mendimet e tyre. U thashë se kjo është normale sepse në bisedime ne paraqesim gjëra që janë në përputhje me interesat dhe politikat tona dhe jo gjëra në përputhje me mendimet e tyre”, tha ai.

Sipas tij, edhe pala evropiane mund të paraqesë propozimet e saj me kushtin që ato të jenë të bazuara në parimet e përbashkëta. “Çdo propozim që nuk bazohet në një bazë të përbashkët nuk është propozim për negociata dhe marrëveshje, por është propozim për dialog me rezultat të papërcaktuar”, tha Bagheri.

Bisedimet, në të cilat u diskutua sërish për zbatimin e plotë të Marrëveshje Bërthamore të Iranit dhe kthimin e SHBA-së në marrëveshje, rifilluan më 29 nëntor pas një ndërprerje prej rreth 5 muajsh. Bisedimet e zhvilluara në Vjenë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë nga Rusia, Kina, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Irani nën kryesimin e zv/sekretarit të përgjithshëm dhe drejtorin politik të Shërbimit të Marrëdhënieve të Jashtme të BE-së, Enrique Mora, u ndërprenë deri në javën e ardhshme pasi palët nuk mundën të arrijnë një dakordim.

Pala evropiane mbrojti idenë e saj se delegacioni iranian ka bërë ndryshime gjithëpërfshirëse në tekstin e projekt marrëveshjes së dakorduar në negociatat e mëparshme si dhe akuzoi Iranin për paraqitjen e një “qëndrimi të ngurtë” në bisedime.//AA