Shoqata serbe “Kryengritja Ekologjike”, së bashku me dyzet iniciativa dhe lëvizje të tjera, thonë se kanë vendosur t’i vazhdojnë protestat, duke nënvizuar se janë larg fitores dhe festës, dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve anembanë Serbisë të dalin në protestë të shtunën.
Sipas informacioneve nga shoqata, bllokada dhe protesta do të ketë në Beograd dhe në tridhjetë qytete të tjera anembanë Serbisë, por edhe para selisë së “Rio Tinto” në Londër.
“Tërheqja e ligjeve grabitqare është një shenjë e mirë, por është larg fitores. Të gjitha marrëveshjet dhe memorandumet sekrete me minierën e litiumit në Rio Tinto, të nënshkruara qoftë nga qeveria e mëparshme, qoftë ajo aktuale, duhet të jenë në dispozicion të qytetarëve dhe duhet të anulohen menjëherë”, thonë nga “Kryengritja Ekologjike”.