Nga Richard Faragher & Nir Barzilai/Një burrë 35-vjeçar ka vetëm 1.5 për qind shanse që të vdesë brenda10 viteve të ardhshme. Por i njëjti burrë në moshën 75-vjeçare, ka 45 për qind shanse që të vdesë para se të mbushë 85 vjeç. Është e qartë se plakja është një gjë e keqe për shëndetin tonë.
Aspekti pozitiv është se dekadat e fundit kemi shënuar një përparim të paparë sa i përket kuptimit të mekanizmave themelorë që kontrollojnë plakjen dhe sëmundjet e moshës së thyer.Disa procese biologjike të lidhura ngushtë me të, të quajtura ndonjëherë “shenjat dalluese të plakjes”, përfshirë furnizimin tonë me qeliza staminale dhe komunikimin midis qelizave, veprojnë për të na mbajtur të shëndetshëm në fillim të jetës sonë.
Problemet nisin të lindin pasi këto qeliza fillojnë që të dështojnë në funksionin e tyre. Aktualisht po zhvillohen teste për të parë nëse synimi i disa prej këtyre shenjave dalluese, mund të përmirësojë sëmundjen e veshkave, aspektet e funksionit imunitar dhe alveolat e mushkërive të lidhura me moshën.
Por fatkeqësisht, pyetje të tjera të mëdha mbi biologjinë e plakjes, vazhdojnë të mbeten pa përgjigje. Për të vlerësuar se cilat janë këto dhe si t’u japim përgjigje, Federata Amerikane për Kërkimet mbi Plakjen, një organizatë bamirëse, organizoi kohët e fundit një seri takimesh me shkencëtarët më të njohur të fushës.
Ekspertët ranë dakord se të kuptuarit e asaj që është e veçantë tek biologjia e njerëzve që jetojnë më shumë se një shekull, mbetet ende një sfidë kryesore. Këta 100 vjeçarë përbëjnë më pak se 0.02 për qind të popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar, por e kanë tejkaluar me gati 50 vjet jetëgjatësinë e bashkëmoshatarëve të tyre (të lindurit në vitet 1920, zakonisht kishin një jetëgjatësi më të vogël se 55 vjeç).
Po si ia dalin të jetojnë aq gjatë?Ne e dimë në përgjithësi se 100 vjeçarët jetojnë kaq gjatë sepse janë shumë të shëndetshëm. Ata qëndrojnë në shëndet të mirë për rreth 30 vjet e më shumë se sa shumica e njerëzve normalë, dhe kur sëmuren para se të vdesin, kjo ndodh për një kohë shumë të shkurtër.
Ky “kompresim i sëmundshmërisë”, është padyshim i mirë për ta, por i sjell dobi edhe shoqërisë në tërësi. Në SHBA, kostot e kujdesit mjekësor për 1njeri mbi 100vjeç në dy vitet e fundit të jetës së tij, janë 1/3 e atyre që vdesin në të 70-at (shumica e 100 vjeçarëve nuk kanë nevojë as të shkojnë tek mjeku).
Po ashtu fëmijët e atyre që jetojnë mbi 100-vjeç janë shumë më të shëndetshëm se mesatarja, gjë që tregon se ata po trashëgojnë diçka të dobishme nga prindërit e tyre. Por a është përcaktuese gjenetika apo mjedisi në jetëgjatësinë e tyre të pazakontë?
Por a janë vërtet këta njerëz model se si është një mënyrë jetese e shëndetshme? Për popullatën e përgjithshme, pasja nën kontroll e peshës, mos–pirja e duhanit, pirja e moderuar e alkoolit dhe ngrënia e të paktën 5 racioneve me fruta dhe perime në ditë mund të rrisë deri në 14 vjet jetëgjatësinë, krahasuar me dikë që nuk bën asnjë nga këto gjëra.
Por çuditërisht, ky nuk duket se është rasti për njerëzit që jetojnë gjatë. Një studim zbuloi se deri në 60 për qind e 100 vjeçarëve hebrenj Ashkenazi, kanë pirë shumë duhan shumicën e jetës së tyre, gjysma kanë qenë obezë gjatë të njëjtës periudhë kohore, më pak se gjysma bëjnë ushtrime fizike të moderuara dhe më pak se 3 për qind janë vegjetarianë. E megjithatë krahasuar me bashkëmoshatarët me të njëjtin konsum ushqimi, pasuri dhe peshë trupore, ata janë 50 për qind më pak të prekur nga sëmundjet kardiovaskulare.
Ndaj duket sikur ka diçka të jashtëzakonshme tek këta njerëz. A mund të jetë kjo për shkak të gjenetikës së rrallë? Nëse po, atëherë kjo mund të funksionojë në 2 mënyra. Këta njerëz mund të kenë variante gjenetike të pazakonta që ia zgjasin jetën, ose mund t’u mungojnë variantet e zakonshme që shkaktojnë sëmundje dhe dëmtime të vonshme.
Disa studime, duke përfshirë studimin tonë, kanë treguar se 100 vjeçarët kanë po aq variante gjenetike të këqija sa edhe popullata në përgjithësi. Madje disa prej tyre bartin 2 kopje të gjenit më të madh, që njihet për rrezikun e shkaktimi të sëmundjes së Alzheimerit (APOE4), e megjithatë nuk preken nga kjo sëmundje.
Kësisoj,një hipotezë e besueshme është se 100 vjeçarët mbartin variacione të rralla gjenetike të dobishme, dhe jo mungesë të atyre të pafavorshme. Mbi 60 për qind e tyre kanë ndryshime gjenetike që i ndryshojnë ato. Por këta njerëz janë të ndryshëm nga ne të tjerët edhe në mënyra të tjera.
Për shembull, ata priren që të kenë nivele të mira të kolesterolit, duke lënë të kuptohet se mund të ketë disa arsye për jetëgjatësinë e tyre. Tek e fundit, 100 vjeçarët janë në vetvete “eksperimente natyrore”, që na tregojnë se është e mundur të jetohet gjatë dhe me një shëndet shumë të mirë, nëse kemi disa veçanti që nuk i kanë të tjerët, shumica e të cilave mbeten ende të pa kuptuara nga ekspertët. / “The Conversation” – Bota.al
/b.h