MENU
klinika

Ministrat në ‘sitë’/ 100-ditëshi i parë i mandatit III

Rama mbledh sot kabinetin qeveritar

22.12.2021 - 11:12

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një mbledhje me kabinetin qeveritar, për të kryer një analizë mbi punët e bëra në 3-mujorshin e parë të mandatit të tretë.

Mësohet se fokusi i kësaj mbledhje është pandemia dhe rindërtimi, ndërsa nuk do të mungojë analiza edhe për punën e bërë nga ministrat e tjerë në 100 ditëshin e parë. Mbledhja ka nisur në orën 09:30, pa praninë e mediave dhe po zhvillohet në ‘Vila 30’, në ish-Bllok.

Vendi ndodhet në alarm për shkak të variantit Omicron të COVID, i cili është përhapur masivisht në shumë vende të Botës e Europës, duke detyruar shumë shtete të rikthejnë izolimin. Në vendin tonë nuk është identifikuar ende asnjë rast me këtë variant, ndërsa vijon procesi i vaksinimit teksa autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen edhe me dozat e treta.

Sa i përket procesit të rindërtimit, shumë familje janë futur në shtëpitë e reja para festave të fundvitit, teksa afati për përfundimin e të gjithë procesit është pranvera e 2022.

Kujtojmë se Partia Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, u fut në historinë e Shqipërisë, duke marrë një mandat të tretë radhazi, e duke u bërë kështu partia e parë që ka arritur ta sigurojë këtë rezultat në historikun e zgjedhjeve në vend. Socialistët arritën që të marrin 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, të mjaftueshme për të qeverisur e vetme, pa pasur nevojën e një koalicioni, e ndërsa PD mori 59 mandate, kurse LSI vetëm 4 të tilla.