MENU
klinika

Senatori amerikan: Putin e di se SHBA...

“Rusia po tenton të krijojë pretekst për luftë”

19.12.2021 - 19:12

Kryetari i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë tha se propozimet e sigurisë që ka prezantuar Moska, që kanë për qëllim të shtensionojnë situatën pas grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit ukrainas, janë sinjal i qartë se Rusia po “tenton të krijojë pretekst për luftë”.

Senatori amerikan, Jim Risch (republikan nga Idaho) tha më 18 dhjetor se propozimet e Rusisë nuk janë marrëveshje për siguri, por listë e koncesioneve që Shtetet e Bashkuara dhe NATO duhet të bëjnë për të kënaqur presidentin rus, Vladimir Putin.

Propozimet, që u prezantuan më 17 dhjetor nga Ministria e Jashtme ruse, kërkojnë që Aleanca Veri-Atlantike (NATO) të ndalojë zgjerimin nga lindja dhe Moska kërkon kufizime mbi aktivitetin ushtarak të Aleancës në Evropën Lindore, përfshirë edhe kufizime në bashkëpunimin me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

“Federata Ruse i bëri këto kërkesa duke e ditur mirë se ato janë plotësisht të papranueshme”, tha Risch.

“Putini e di që Shtetet e Bashkuara dhe 29 aleatët tanë në NATO nuk do të negociojnë të ardhmen e kombeve sovrane si Ukraina, e cila duhet të jetë në gjendje të bëjë zgjedhjet e saj”, shtoi ai.
Senatori Risch i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden dhe aleatëve të NATO-s që të refuzojnë këto kërkesa, por tha se Aleanca duhet të jetë e përgatitur që Putini ta përdorë refuzimin e kërkesave si justifikim për përdorim të forcës ushtarake. Ai po ashtu i bëri thirrje Kongresit dhe administratës amerikane që të veprojnë përpara se Rusia ta përshkallëzojë edhe më tej situatën.

Aktualisht, Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. SHBA-ja thotë se me këtë veprim, Moska po përgatitet ta pushtojë Ukrainën.

Propozimet ruse, që synojnë disa prej avancimeve të sigurisë që NATO-ja ka bërë në Evropën Lindore dhe në ish-shtetet sovjetike që prej viteve ’90, vijnë në kohën kur tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Kremlinit kanë arritur në nivelin që ishin pas Luftës së Ftohtë.

Një zyrtar i administratës amerikane tha më 17 dhjetor se disa nga propozimet ruse ishin “të papranueshme”, por tha se propozimet e tjera “meritojnë që të diskutohen”.

Ky zyrtar tha se SHBA-ja do të konsultohet me aleatët e saj, përfshirë edhe Ukrainën, përpara se t’i përgjigjet Rusisë lidhur me propozimet.

Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Kievit janë të larta që prej vitit 2014 kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe nisi mbështetjen ushtarake, politike dhe ekonomike për separatistët që po luftojnë në lindje të Ukrainës.

Moska mohon se është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në konfliktin në lindje të Ukrainës, pavarësisht se ka shumë prova që e dëshmojnë të kundërtën. /REL

Cilët janë 9 gjeneralët e vrarë që nga fillimi i luftës

Vrasja e Kirillov hap edhe një herë “Kutinë e Pandorës”

Analistët “varrosën” planin e Putinit

Rusët “në delir”, do të shpallin fitoren në 2025

Arrestimet, sabotimet dhe shtypja e disidencës

Njësia speciale që “e bën” Rusinë të funksionojë

A mund t’i ulë Putinin dhe Zelensky-n në të njëjtën tryezë

Një muaj para inaugurimit, Trump nis me premtimet