MENU
klinika

Sfidat e qeverisë së re gjermane

Scholz: Do të sjell një frymë të re

05.12.2021 - 09:03

I emëruari për kancelar të Gjermanisë, Scholz bën thirrje për miratimin e marrëveshjes së koalicionit me Të Gjelbrit e liberalët në një kongres të posaçëm të SPD. Javën e ardhshme pritet të betohet qeveria e re gjermane.

“Kjo do të jetë një qeveri me tre parti, që duan më shumë progres për Gjermaninë”, tha kancelari i emëruar, Olaf Scholz në një fjalim të shtunën (04.12.).Kemi tani “shansin që të fillojë një frymë e re në Gjermani”, tha Scholz në Berlin. Një startim i tillë është një rrezik, por kjo “kërkohet dhe është e drejtë, sepse ne kemi një përfytyrim për atë se si duhet të përfundojë me sukses”, citon AFP, kancelarin e ardhshëm. Scholz premtoi, se për këtë të tre partitë e koalicionit do të “bashkëpunojnë miqësisht”.

Sfidat e qeverisë së re

Si sfida të kohës, Scholz përmendi ndryshimin e klimës, me të cilën qeveria duhet të merret. “Ne kemi një përgjegjësi të madhe në Gjermani që kjo të rezultojë pozitive”, tha Scholz. Nuk bëhet fjalë vetëm për uljen e emetimeve të gazrave ndotës, por edhe për të treguar “se si bëhet”. Për këtë koalicioni trepartiak e vë theksin më pak tek heqja dorë se tek “progresi teknik”, tha ai. Si një çështje tjetër qendrore të punës së qeverisë së tij, Scholz përmendi planin për një sigurim bazë për fëmijët, fondin e mbështetjes sociale qytetare dhe zgjerimin e banimit. “Të gjitha këto janë reflektuar në marrëveshjen e koalicionit”, theksoi Scholz. Po kjo vlen edhe për një pagë minimale më të lartë, si edhe progres në trajtimin e barabartë të grave e burrave.

Në lidhje me pandeminë e Coronës, Scholz tha, se ajo duhet “luftuar me të gjitha forcat që kemi”. “Ne duhet t’ia dalim me njëri-tjetrin, që me masa të vendosura të ndërpresim valën e katërt.” “Për këtë kërkohet të bëhen edhe njëherë kufizime. “Sepse nuk jemi vaksinuar të gjithë, duhet ta bëjmë edhe njëherë këtë.”

Scholz kujtoi në kongresin e socialdemokratëve, se suksesi i SPD-së nuk është aspak i vetëkuptueshëm, por ne “ia dolëm të gjithë së bashku”. Për një kohë të gjatë kancelarin e ofroi CDU, por “socialdemokratët do të kenë kancelarin e ardhshëm të kësja republike dhe kjo është puna jonë e përbashkët”, tha Scholz. Vitet e ardhshme do të bëhet fjalë për një politikë, ku të gjithë në Gjermani të kenë një jetë më të mirë, premtoi Scholz. Vitet e kaluara shumë gjëra u lanë pa u bërë. Kongresi i SPD-së u zhvillua si videokonferencë për shkak të pandemisë./ DW