MENU
klinika

Covid-19

Sfida me pandeminë, ka kaluar një vit nga fillimi i fushatës së vaksinimit

03.12.2021 - 12:58

Fushata e vaksinimit kundër koronavirusit në Britani filloi më 8 dhjetor, duke shënuar fillimin e një fushate globale me përmasa historike, një garë e vërtetë me kohën kundër një pandemie vdekjeprurëse.

Një vit më vonë më shumë se gjysma e popullsisë së botës ka marrë të paktën një dozë të vaksinës. Por në një kohë kur vendet e pasura kanë filluar të miratojnë dozat e treta, të varfrit janë shumë prapa. Pabarazitë kundër koronavirusit vazhdojnë të rriten.

Britanikët ishin të parët që nisën një fushatë masive të imunizimit të popullsisë kundër Covid-19, megjithëse Rusia dhe Kina kishin filluar tashmë të vaksinonin disa grupe njerëzish. Britania fillimisht miratoi vaksinën AstraZeneca dhe Oxford.

Më pas, shumë vende të pasura filluan të vaksinojnë qytetarët e tyre që në dhjetor 2020: SHBA, Kanada dhe Emiratet e Bashkuara Arabe më 14 dhjetor, Arabia Saudite më 17 dhjetor, Izraeli më 19 dhjetor, vendet e BE-së më 27 dhjetor. Vaksina e përdorur ishte kryesisht Pfizer / BioNtech, raporton abcnews.al

Një vit më vonë, më shumë se gjysma e popullsisë së botës (55%), ose më shumë se 4.3 miliardë njerëz, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës Covid-19. Dhe të paktën 44% janë plotësisht të imunizuar (3.4 miliardë njerëz), sipas një raporti të AFP. Gjithsej 8.1 miliardë doza vaksinash janë administruar në mbarë botën. Rreth 20 vaksina kundër Covid janë zhvilluar në kohë rekord, pas zbulimit të rastit të parë në Kinë në fund të vitit 2019.

Përveç AstraZeneca Pfizer, vaksinat më të përdorura janë ato të zhvilluara në SHBA: Johnson & Johnson dhe Moderna, kineze Sinopharm dhe Sinovac, si edhe Sputnik V. Edhe pse që nga qershori 2021 pothuajse të gjitha vendet kanë marrë vaksina kundër Covid-19, fushatat e imunizimit janë më të ngadalta në vendet e varfra për shkak të mungesës së dozave. Mekanizmi COVAX, i cili synon të sigurojë akses të barabartë në vaksinat kundër Covid-19, dërgoi vaksinat e para në shkurt në Ganë.

Por me furnizimet e vaksinave të detyruara të konkurrojnë me vendet që janë të gatshme të paguajnë një çmim të lartë për të blerë vaksina, COVAX ka arritur deri më tani të dërgojë rreth 600 milionë doza në 144 vende ose rajone, larg objektivit të tij fillestar.

Deri më tani, vendet me të ardhura të ulëta kanë marrë 9 doza vaksine për 100 banorë, sipas Bankës Botërore. Për krahasim, mesatarja globale është 104 doza për 200 persona, ndërsa shkalla në vendet e pasura arrin në 149 doza. Afrika është kontinenti me më pak vaksina, me 18 doza për 100 banorë, raporton abcnews.al

Midis 50 vendeve që kanë imunizuar përqindjen më të madhe të popullsisë së tyre, 39 janë vende me të ardhura të larta, me Emiratet e Bashkuara Arabe të parat, ku nëntë nga dhjetë persona janë të imunizuar plotësisht. Më pas vjen Portugalia (87%), Singapori (86%), Katari (85%), Kili dhe Malta (84%), Kuba (81%), Koreja e Jugut dhe Kamboxhia (80%).

Edhe pse ishin të parat që nisën fushatën e imunizimit, Britania, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht normat më të ulëta të vaksinimit me 68%, 67% dhe 60% respektivisht. Burundi dhe Republika e Kongos janë vendet me shkallën më të ulët të vaksinimit, më pak se 0.1%. Eritrea dhe Koreja e Veriut janë të vetmet vende që nuk kanë vaksinuar asnjë nga qytetarët e tyre.

BE dhe Amerika e Veriut kanë miratuar tashmë dozat përforcuese. Madje shumica kanë miratuar vaksinimin e adoleshentëve të moshës 12 deri në 17 vjeç. Disa, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Izraeli, Kili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuba, Kamboxhia dhe Venezuela, kanë miratuar vaksinimin e fëmijëve nën 12 vjeç.

Ndër vendet e BE-së, Austria miratoi vaksinën Pfizer për fëmijët mbi 5 vjeç në mes të nëntorit, ndërsa Agjencia Europiane e Barnave (EMA) e miratoi atë disa ditë më vonë.

/abcnews.al