MENU
klinika

Ngjarja ku u përfshinë

Shpallet në kërkim nipi i deputetit të PS

06.12.2021 - 11:09

Ramazan Rraja, nipi i deputetit të PS, Rrahman Rraja, është një nga tre personat e shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në datën 13 nëntor në një lokal në fshatin Zejmen të Lezhës.

“Nga teresia e veprimeve hetimore dhe veprimeve profesionale proaktive, ka rezultuar se autoret e ngjarjes se ndodhur ne date 13.11.2021 jane shtetasit Roan Brahimi, Ramazan Rraja, Alesio Dobrozi”, konfirmoi korespondenti i Gazeta Panorama.

Policia tha sot në njoftimin për mediat se të tre të dyshuarit rezulton se menjëherë pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit.

Shkaku i ngjarjes

Nga tërësia e veprimeve hetimore policia ka zbuluar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve Ramazan Rraja, Alesio Dobrozi dhe Roan Brahimi, këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar).

Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit.
NJOFTIMI I PLOTE

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 3 autorët e dyshuar të ngjarjes.

Strukturat hetimore të DVP Lezhë dhe të Komisariatit të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 13.11.2021, në një lokal në Zejmen, Lezhë, në ambientet e të cilit kishin hyrë disa persona të armatosur, bazuar në provat e grumbulluara, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasit:

R. Rr., 28 vjeç, A. D., 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe R. B., 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se për shkak të një konflikti të ndodhur më parë ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit dhe një shtetasi që është mik i shtetasve R. Rr., A. D. dhe R. B., këta tre të fundit, më datë 13.11.2021, kanë shkuar të armatosur, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, shtetasin L. M.(K), (i cili më herët ishte konfliktuar me shtetasin Gj. J., mik i tre autorëve të dyshuar).

Shtetasi L. M.(K), në momentet e ngjarjes nuk ka qenë në ambientet e lokalit.

Po në vijim të veprimeve, menjëherë pas publikimit të videos në media dhe rrjetet sociale, nga shërbimet e Policisë është bërë i mundur identifikimi i të gjithë shtetasve që ndodheshin në lokal, të cilët në vijim të veprimeve hetimore janë proceduar penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”, e mbetur në tentativë, të kryera në bashkëpunim.