MENU
klinika

The Guardian

Si do të jetë viti 2022 për Evropën?

27.12.2021 - 09:22

Breshëria e fundit e kërcënimeve nga Vladimir Putin nuk ka të bëjë më vetëm me Ukrainën. Presidenti i Rusisë ka zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme fushëveprimin e kërkesave të tij për të përfshirë marrëveshjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Evropë në tërësi. Edhe nëse tensionet aktuale në kufijtë e Ukrainës nuk rezultojnë përfundimisht në konflikt të hapur, ky përshkallëzim i qëllimshëm parashikon keq për vitin 2022.

Ajo që Putini dëshiron, në fakt, është të kthejë kohën pas në vitet 1990, përpara se vendet e ish-Traktatit të Varshavës si Polonia dhe ish-republikat sovjetike si Estonia t’i bashkoheshin NATO-s. Nëse ai do të kishte mundesi, ai ndoshta do të rindërtonte Bashkimin Sovjetik. Ky spiun  i vjetër i KGB-së nuk e pranoi kurrë humbjen e luftës së ftohtë.

Aleanca perëndimore duhet ta bëjë të qartë se një revizionizëm i tillë i rrezikshëm është i papranueshëm. Rusia nuk mund të ketë një veto për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës (ose Gjeorgjisë) në NATO.

Megjithatë, duke vendosur rreth 100,000 trupa në kufijtë e Ukrainës dhe duke mbajtur një bombardim verbal, Putin e ka bërë të qartë se nuk do të lehtësojë shpejt presionin ndaj liderëve të Evropës. Për Uashingtonin, kjo është një enigmë gjeopolitike. Për evropianët, një Rusi armiqësore, e zemëruar është një rrezik i menjëhershëm, kërcënues në pragun e tyre.

Duke ndjerë dobësinë e SHBA-së, veçanërisht vendet e Evropës Lindore janë të alarmuara nga deklarata e Presidentit Joe Biden se SHBA-ja është e gatshme të trajtojë “shqetësimet e Rusisë në lidhje me NATO-n” – dhe nga kërkesa agresive e Putinit javën e kaluar për lëshime “të menjëhershme”.

Shqetësimi më i madh për vitin 2022 është se, pas tërheqjes kaotike të Afganistanit, garancitë e sigurisë së SHBA-së nuk mund të besohen.

Pavarësisht garancive në samitin e G7 të verës së kaluar në Cornwall se “Amerika është kthyer”, Biden është fokusuar kryesisht në axhendën e tij të brendshme dhe në frenimin e Kinës. Asnjëra nga politikat nuk po shkon mirë.

Kështu për Evropën, dhe BE-në në veçanti, viti i ri duket se do të fillojë me situata shqetësuese, pasiguri dhe vetmi. Dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, marrëdhënia themelore e Evropës së pasluftës – ajo midis Francës dhe Gjermanisë – mund të jetë drejt “prishjes”. Olaf Scholz, kancelari i ri i Gjermanisë, nuk humbi kohë për të hapur një dialog me presidentin francez, Emmanuel Macron, duke udhëtuar për në Paris dy ditë pas marrjes së detyrës. Në letër, koalicioni trepartiak i qendrës së majtë, i udhëhequr nga Scholz, mbështet integrimin më të thellë në BE dhe sovranitetin e zgjeruar evropian, ide të promovuara nga Macron dhe të mbeshtetura nga Angela Merkel, paraardhësja e Scholz.

Por në praktikë, konvergjenca franko-gjermane mund të jetë e vështirë të arrihet. Ka dallime në politikën energjetike të BE-së, “tranzicionin e gjelbër” dhe përpjekjet franceze për të klasifikuar energjinë bërthamore si lëndë djegëse “të qëndrueshme” në një kohë të rritjes së shpejtë të çmimeve të gazit.

Macron argumenton me pasion se, në një botë grabitqarësh të egër dhe miqsh jo të besueshëm, Evropa duhet të përpiqet për një autonomi më të madhe në mbrojtje, siguri dhe politikë të jashtme.

Megjithatë, ai ka kundërshtuar thirrjet për një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë dhe Kinës.

Aftësia e Evropës për t’u marrë me një sërë problemesh të tjera të ngutshme – mosmarrëveshja midis Brukselit, Polonisë dhe Hungarisë për çështjet kushtetuese, tensionet separatiste në Ballkan, konfliktet me Turqinë, terrorizmi islamik në Sahel, ambiciet bërthamore të Iranit dhe argumentet e pazgjidhura të Brexit – nuk do të të ndihmohen nga marrja e presidencës gjashtëmujore të BE-së nga Franca në janar.

Edhe pse ai e mohon atë, Macron me siguri do të shpërqendrohet nga oferta për një mandat të dytë në zgjedhjet e prillit. Kjo betejë epike bashkon tre çështje qendrore që do të mbizotërojnë axhendën e Evropës në vitin 2022: populizmi i djathtë, migrimi dhe pandemia.

Disa sondazhe tregojnë se që nga zgjedhjet gjermane, rryma populiste ka ardhur duke u tërhequr. Por në Francë, mbështetja e fortë për racistët ksenofobikë, Marine Le Pen dhe Éric Zemmour, sugjeron se përfundime të tilla janë të pamenduara mirë.

Një tjetër dështim, mungesa e jashtëzakonshme e një përgjigjeje të koordinuar evropiane ndaj variantit të Omicron-it, pasi vendet vendosin kufizime të ndryshme, kontradiktore dhe shpesh thellësisht jopopullore, drakoniane, mund të ndihmojë në mënyrën se si voton Franca. Ashtu si me Boris Johnson, virusi Covid, mund të jenë ende “fundi” i Macron-it dhe Evropës.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati:  Konica.al

"I gatshëm të ndalojë ofensivën e tij ushtarake në Gaza nëse..."

Netanyahu zbardh kushtet e Izraelit

Ja pse lëvizja e Moskës ka “tërbuar” Uashingtonin

Trupat ruse hyjnë në bazën e ushtrisë amerikane në Niger

Izraeli nuk heq dorë nga pushtimi i Rafahut

Pse sulmet e Tel Avivit mund të shkaktojnë një masakër?