MENU
klinika

Amerikanët nxjerrin hartën

Si kërkon ta pushtojë Rusia, Ukrahinën

04.12.2021 - 15:23

Presidenti Joe Biden është zotuar se do të kundërpërgjigjet nëse Vladimir Putin ndërmerr veprime ushtarake në Ukrainë. Kjo deklaratë vjen menjëherë  pasi zyrtarët e inteligjencës amerikane deklaruan se Rusia po përgatitet për një ofensivë të mundshme ushtarake që mund të fillojë në fillim të vitit 2022, shkruan The Washington Post

Rusia po planifikon të vendosë rreth  175,000 trupa dhe pothuajse gjysma e tyre janë vendosur tashmë përgjatë pikave të ndryshme pranë kufirit të Ukrainës, sipas një zyrtari të administratës së Biden, i cili foli në kushte anonimiteti. Zyrtari shtoi se planet parashikojnë vendosjen e 100 grupeve taktike të batalioneve ruse së bashku me forca të blinduara, artileri dhe pajisje.

I pyetur në lidhje me gjetjet e inteligjencës, Biden përsëriti shqetësimin e tij për provokimet ruse. “Ne kemi qenë të vetëdijshëm për veprimet e Rusisë për një kohë të gjatë dhe shpresoj se do të kem një diskutim të gjatë me Putinin”, tha Biden.

Zyrtarët dhe ish-diplomatët amerikanë thanë se ndërsa Putin po hedh bazat për një pushtim të mundshëm, ushtria e Ukrainës është më e armatosur dhe e përgatitur sot se në vitet e kaluara dhe kërcënimet për vendosjen e sanksioneve nga Perëndimi do të shkaktonin dëme serioze për ekonominë ruse.

Sipas informacioneve paraprake, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini priten të bisedojnë  javën e ardhshme. Biden dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjithashtu kanë rënë dakord  të zhvillojnë një bisedë telefonike javën e ardhshme, raporton abcnews.al

Biden nuk detajoi se çfarë veprimesh po peshonte. Por ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili u takua të enjten me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në Suedi, tha se SHBA ka kërcënuar se do të vendosë sanksione të reja.  Psaki  tha se administrata do të koordinohej me aleatët europianë përpara vendosjes së sanksioneve.  Ajo vuri në dukje se kujtimet e hidhura të aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, gadishulli i Detit të Zi që ishte nën kontrollin e Ukrainës që nga viti 1954, janë ende në kujtesën e SHBA-së.

“Ne e dimë se çfarë ka bërë presidenti Putin në të kaluarën”, tha Psaki.

Diferencat e shumta u shfaqën gjatë takimit Blinken-Lavrov, me zyrtarin rus që akuzoi Perëndimin se “po luante me zjarrin”. Zelenskyy ka shtyrë anëtarësimin e Ukrainës në NATO.   Blinken këtë javë tha se SHBA-ja “i ka bërë të qartë Kremlinit se ne do të përgjigjemi me vendosmëri, duke përfshirë një sërë sanksionesh por nuk specifikoi se cilat.

Parlamenti i Bashkimit Europian miratoi një rezolutë  në prill për të shkëputur Rusinë nga SWIFT – Shoqëria për Telekomunikacionet Financiare Ndërbankare në mbarë botën  nëse trupat e saj hyjnë në Ukrainë. Një lëvizje e tillë do të bllokonte  bizneset ruse nga sistemi financiar global. Aleatët perëndimorë e kanë marrë në konsideratë një hap të tillë në vitin 2014 dhe 2015, gjatë përshkallëzimeve të mëparshme të tensioneve të udhëhequra nga Rusia mbi Ukrainën, shkruan abcnews.al

Kryeministri i atëhershëm rus Dmitry Medvedev tha se kjo do të ishte e barabartë me “një shpallje lufte”.Por disa zyrtarë të qeverisë amerikane thanë se Putin mund të çojë në një përshkallëzim ushtarak duke  detyruar Rusinë të marrë  një rol qendror në çështjet botërore, si në periudhën e Bashkimit Sovjetik.

“Ata janë ziliqarë për superfuqinë dhe barazinë ndaj Shteteve të Bashkuara që ekzistonte gjatë Luftës së Ftohtë. Kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë”, tha John Herbst, një ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë.

Rusia ka mohuar raportet e mediave amerikane për një sulm të mundshëm rus ndaj Ukrainës, duke akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të përkeqësojë situatën.

“Shtetet e Bashkuara po kryejnë një operacion të posaçëm për të përkeqësuar situatën rreth Ukrainës, duke akuzuar Rusinë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova.