MENU
klinika

Ben Andoni

Si mund të zgjidhej konflikti i PD-së?!

21.12.2021 - 20:03

Prej vitesh, Partia Demokratike është futur në një krizë që kulmoi dhe doli në sipërfaqe vetëm në pak muajt e fundit. Dy krahë të ndara frikshmërisht, tashmë deri edhe me statutin dhe me logon e Partisë, për ditë e më shumë po arrijnë deri sa të shkaktojnë incidente me njëra-tjetrën. Më të dukshme janë në krahun e z.Berisha, që nuk lë moment pa shkaktuar incidente ose provokuar të tilla. Nga ana tjetër, pjesa që e beson se është institucionale e po mban kursin e legjitimitetit brenda kanoneve të brendshme nën peshën dhe vulën e z.Basha. provokon “butësisht” por njësoj idhët. Mungesa e transparencës, do shprehej një kolegu ynë gazetar, është armiku real sot i PD-së në të dy krahët. Megjithatë ndarja është kaq e madhe, kurse akuzat janë aq të ashpra, saqë ajo që kanë bërë Socialistët deri më tani me akuzat kundër tyre po duken thjesht si ledhatim për atë që bëhet sot me Partinë Demokratike. Dhe, kjo është e vërtetë, kur shikon akuzat e Bashës dhe Berishës për njëri-tjetrin, mohimet, përfoljet, përqeshjet dhe mbi të gjitha përpjekjet për shkërmoqjen e PD-së.

A mund të kishte një rrugë bashkimi të Partisë Demokratike në këto momente? Do të ishte një skenar gati i pamundur, kur tashmë palët jo thjesht fyejnë por po i afrohen më afër se kurrë konfliktit fizik. Që e gjitha struktura e Partisë Demokratike të arrinte në këtë stad, nuk do ta mendonte askush edhe në skenarin më të keq të improvizuar. Tashmë, janë ndarë mes vete, njerëzit e strukturave, që i përkasin respektivisht Bashës dhe Berishës, janë ndarë njerëzit e strukturave më të poshtme, janë ndarë deri militantët e thjeshtë. Cili vallë mund t’i bashkonte? Praktikisht në këtë moment askush sepse përpjekja e dikujt do t’i ngjante asaj që Borghes e shkruan në një nga pjesët e tij të jo-fikshënit te “Përkufizimi i një gjermanofili”: “Betohem të mos përfshihem më kurrë në debate të tilla, sepse koha në dispozicion të së vdekshmit nuk është e pafundme teksa frytet e këtyre diskutimeve janë krejt të kota”. Në fakt, Partia Demokratike mbërriti në këtë cak me atë që po i bëjnë simboleve dhe godinës por mbi të gjitha fyerjet që nuk ia kursejnë anëtarët ngë më të lartët deri më të ultët për njëri-tjetrin.

Statuti i Partisë Demokratike ka nevojë për një shtesë shumë të rëndësishme të mbledhjes së njerëzve të shquar të PD-së, sak atë që Basha dhe Berisha para tij, porse më vonë të dy bashkë e kthyen në normë: heqjen e njerëzve me kontribute në parti dhe ata me përvojë. Me gjasë, do të ishin këto figura që tashmë shumë as nuk e dinë se ishin ndonjëherë në PD, pa interesat meskine që shoqërojnë njerëzit e sherrnajës, të ngriheshin dhe të flisnin mbi palët. Kuptohet se Berisha nëse ka përballë njerëz pa tagër institucional nuk është se të pyet shumë dhe aq më tepër nuk të pyet edhe po të jesh i pajisur me të, si po ndodh me Bashën. Veçse, po të ishin në statut, do të ishin njerëz të tillë që mund t’i trandnin me përvojat dhe fjalën e tyre. Shembulli ishte z. Uka, kur u dha një shembull direkt në Kuvend, por të tjerë me radhë si Meksi, Topalli, Selami, Mima, Serreqi, Malasi, Brojka e shumë e shumë të tjerë, që u kërkojmë ndjesë për mospërmendjen dhe sot bëjnë jetën e tyre të qetë jashtë politikës, kanë ende shumë e shumë për t’i shprehur politikës së sotme dhe sidomos kolegëve të tyre të rinj, të cilët po e rrënojnë pa vramëndje Partinë Demokratike. Pa dashur të besojmë se Partia Demokratike ka marrë rrugën e shpërbërjes ose më mirë të besojmë atë të tkurrjes, një fenomen që ka ndodhur gjithkund në Lindje me partitë e startuara nga post-socializmi, duket se ka kohë të afrohen kolegët e vjetër, por me respektin e një shtese në status, që duhet ta fusnin me kohë autoritetet e PD-së.

Paradoksalisht ka qenë një ide që dikur e ka shprehur vetë Lulzim Basha por me idenë e strukturës ligjvënëse për Dhomën e Senatit, kurse si dhomë e Dytë e Parlamentit shqiptar e kanë trajtuar disa personazhe përgjatë historisë së parlamentarizmit shqiptar. Si ide u shtrua si diskutim që nga viti 1992, kurse Sabri Godo, në katrahurën e vitit 1997 e mendoi si një rrugë ku do të paqtohej parlamenti shqiptar. Por në rastin tonë po flasim vetëm për imperativin e një Senati të Partisë Demokratike, bash ata njerëz që tashmë nuk i duhen tamam Bashës dhe Berishës por u duhen njerëzve të thjeshtë të PD-së, një trupë honorifike por me status këshillimor epror, që të shërbente si një gjykatë e partisë dhe moralisht t’u hiqte fashat e mëdha me të cilat ua kanë mbyllur sytë Basha-Berisha.