MENU
klinika

Nga Carlo Bollino

Skandali i vërtetë nuk janë rrogat e larta, por gjithë ato rroga të ulëtat fallco, që shteti tani duhet të hetojë

24.12.2021 - 17:22

Dalja nga serveri i tatimeve i të dhënave me rrogat e 637.000 shqiptarëve, po nxit dy reagime të kundërta. Një pjesë e opinionit publik e konsideron një skandal dhe provë të qartë të një Shteti të dobët, të paaftë të mbrojë privatësinë e qytetarëve të tij. Një pjesë tjetër e opinionit publik duket e kënaqur, duke konsideruar publikimin e atyre të dhënave si një formë transparence.

Në të vërtetë nuk ka asnjë dyshim se vjedhja e të dhënave private të ruajtura nga Tatimet është një skandal mbi të cilin prokuroria duhet të hedhë dritë të plotë dhe sa më shpejt. Dhe bëhet fjalë për një skandal të paralajmëruar. Edhe në të shkuarën informacione të ruajtura në database të Tatimeve janë vjedhur dhe përdorur për të goditur kundërshtarë politikë. Partia Demokratike në dy vitet e fundit ka organizuar edhe konferenca shtypi duke publikuar të dhëna të këtij lloji dhe duke treguar dokumente të vjedhura nga database dhe, me gjithë kallzimet penale të bëra nga drejtoria e Tatimeve, prokuroria e Tiranës nuk arriti të gjejë kurrë një përgjegjës. Edhe në 2013, para zgjedhjeve të qershorit, serverat e Tatimeve u dhunuan duke fshirë deri borxhet që shumë sipërmarrës kishin kundrejt Shtetit, një tjetër skandal për të cilin nuk u gjetën kurrë përgjegjësit e vërtetë.

Fakti që asnjë fajtor nuk u gjet as nga policia dhe as nga prokuroria, e transformoi vjedhjen e të dhënave konfindenciale të Tatimeve në një lloj loje ku kushdo mund të merrte pjesë, pa u friksuar nga asgjë. Database e shpërndarë këto ditë, është pra vetëm pika kulminante e një fenomeni të njohur dhe të praktikuar prej vitesh, të cilin askush nuk e ka dënuar, as qeveria dhe as opozita që përkundrazi, siç e kemi parë, e ka përdorur politikisht për të mbledhur të dhëna e për t’i përdorur ndaj kundërshtarëve.

Gjithësesi është një aspekt tjetër i këtij skandali, që zbulon një tjetër fenomen, ndoshta edhe më të rëndë. Ato të dhëna që sot janë në sytë e të gjithë shqiptarëve, kanë qenë përherë në dispozicion të inspektorëve të Shtetit të cilët nuk e kanë vënë re evidencën që është e qartë në sytë tanë: evazioni fiskal masiv i kryer nga mijëra sipërmarrje që vazhdojnë të deklarojnë rroga qesharake për të punësuarit e tyre, të cilët pjesën kryesore të rrogës e marrin ende në të zezë.

Në vend që të skandalizohemi për rrogat e larta që dalin nga ajo listë, duhet të skandalizohemi në fakt për rrogat e dyshimta të ulëta.

Ajo listë zbulon një sërë anomalish të pafundme mbi të cilat nuk ka investiguar kurre asnjë inspektor i Tatimeve apo sigurimeve shoqërore. Profesorë universitetesh që marrin 30.000 lekë në muaj, mjekë që fitojnë 35.000 leke, gazetarë të paguar sa një pastruese, inxhinierë që marrin 45.000 lekë pagë, kryeredaktorë të famashëm dhe moderatorë televizivë të regjistruar si drejtorë marketingu spitalesh, Vipa të spektaklit dhe të informacionit me një pagë minimale 30.000 leke ndërsa bashkëpunëtorët e tyre fitojnë (zyrtarisht) dyfishin dhe konkurrentë të tyre 100 herë më shumë. Një mish-mash rrogash, shumë prej të cilëve fallcombi te cilat Shteti nuk ka bërë asnjë verifikim duke legjitimuar evazionin fiskal, njësoj siç ka legjitimuar vjedhjen e të dhënave private nga sistemi i Tatimeve. Një Shtet i vërtetë nuk mund të tolerojë gjithë këtë që po ndodh, pa reaguar. Kjo database është sot fotografia e një ekonomie informale që prek të gjithë shtresat e shoqërisë e që bën bashkëfajtorë biznesmenë dhe të punësuar, duke përfshirë profesorë universitarë që duhet të përfaqësojnë elitën intelektuale të vendit, deri te gazetarë që në publik denoncojnë evazionin fiskal, por pastaj janë të parët që e mbështesin.

Ne urojmë që autorët e kësaj vjedhjeje të dhënash të zbulohen dhe të dënohen bashkë me porositësit (ndoshta politikë) dhe cilindo tjetër që ka marrë pjesë në këtë skandal. Por urojmë gjithashtu që pas këtij skandali qeveria të reagojë dhe t’i thotë mjaft evazionit fiskal që përveç dëmit për buxhetin publik shkaton një parabarazi të padrejtë në tregun privat. Qeveria duhet të urdhërojë strukturat e veta që të kontrollojnë e ta demaskojnë të gjitha ndërmarrjet që gënjejnë për rrogat. Ky duhet të jetë misioni i shenjtë i mandatit të tretë, pasi që sot, falë hajdutëve të database askush nuk mund të justifikohet më që “nuk dija gjë”.