MENU
klinika

Pularia, makinat dhe 250 mijë euro i kalojnë shtetit

SPAK konfiskon pasurinë e Astrit Beqirajt

13.12.2021 - 11:30

Pasuria me vlerë 1 milion euro e Astrit Beqirit të lidhur me trafikun e kokainës në Danimarkë, i ka kaluar shtetit. Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) kanë konfiskuar 2 pulari në Shkodër me vlerë 800 mijë euro, 5 automjete të ndryshme si edhe rreth 250 mijë euro para kesh. Vendimi është marrë ditën e sotme, teksa lajmi u konfirmua nga vetë SPAK.

“Pasuri dhe Cash konfiskuar nga SPAK! Pasuri e krijuar nga aktivitet kriminal – trafik ndërkombëtar droge në Danimarkë. Vlera: 1 Milion € i kalojnë shtetit shqiptar. Një aktivitet biznes pulari në Shkodër =400 mijë € / Një aktivitet biznes pulari në Shkodër =400 mijë / 5 automjete të ndryshme / 173 500 € & 8.6 Milion lek cash”, njofton SPAK.

SPAK akuzon Astrit Beiqrin për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që kanë operuar jo vetëm në territorin e Danimarkës, por dhe në Gjermani, Holandë, Suedi, Belgjikë, Shqipëri, etj.


Ky grup kriminal të ardhurat “cash” i dërgonin në Shqipëri, ku më tej investoheshin në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe në aktivitete biznesi. Paratë silleshin nga Danimarka në Maqedoninë e Veriut, duke i transportuar me autobusët e kompanisë “ALBA TRANS” në Tetovë. Më pas ato merreshin nga Dhimitër Shkodrani dhe përfundonin te Astrit Beqiri në Shkodër, ku investoheshin në biznese, prona etj.

Si funksiononte grupi? Grupi i strukturuar kriminal funksiononte sipas një skeme të mirëpërcaktuar, ku paratë e ardhura nga krimi i trafikimit të narkotikëve, i dërgonte “cash” nga Kopenhagen, Danimarkë, në Tetovë – Maqedoni e Veriut. Dërgimi nga Kopenhagen në Maqedoni të Veriut bëhej duke i transportuar paratë me anë të autobuzëve (e regjistruar në Tetovë), një nga ortakët e të cilës ishte B. Ali, i arrestuar në Danimarkë. Në Tetovë paratë merreshin kryesisht nga anëtari tjetër i grupit të strukturuar kriminal, Dhimitër Shkodrani, i cili kalonte kufirin në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe më tej këto para dërgoheshin te Astrit Beqiri, si dhe të afërm të tjerë të grupit kriminal. Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej me një frekuencë rreth 2 herë në muaj.

Astrit Beqiri është kunati i drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal Jetmir Kastrati (i njohur në Danimarkë si Sokol Krasnici), i arrestuar në Danimarkë. Hetimi i mëtejshëm provoi se Astrit Beqiri paratë e ardhura nga krimi kishte mundur t’i pastronte duke i investuar në biznes, siç ishte pularia “RENS 2015”, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të sekuestruara. Hetimet dhe arrestimi tyre ishte si pjesë e operacionit të gjerë të zhvilluar në 26 qershor 2019, ku mori pjesë dhe Europol dhe u zhvillua në disa vende të Europës.