MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Tashmë jemi lakuriq!

24.12.2021 - 18:44

Me daljen e targave të makinave, shqiptarët morën dhuratën më të shëmtuar për festa. Rënia e tillë e shtetit është e pashembullt. E gjitha tregon një rënie të sistemeve të sigurisë, mungesë totale të protokolleve të aksesit dhe procedura jo eficente të rekrutimit të personelit. E gjitha kjo pa lënë mënjanë papërgjegjshmërinë e atyre që inkurajojnë publikimin dhe atyre që i publikojnë.

Sot vendi është i zhveshur dhe qytetari është i pambrojtur. Sjellja e shembujve nga bota tashmë nuk mund të përdoret si argument mbrojtës, pavarësisht se personalisht kam besuar se ky ishte një rast i veçantë që mund të krahasohej me WikiLeaks. Rasti shqiptar tregon se nuk ka asnjë protokoll dhe shteti është i zbërthyer i
gjithi. Gjithkush mund të na kontrollojë sepse kush ka përgjegjësi për këto servera i ka lënë në dorë të njerëzve të papërgjegjshëm, ndërsa politika ka fajin e rëndë se në 30 vjet nuk ka arritur të formojë nëpunësin civil, por puna në shtet konceptohet si postobllok që duhet ta mjelësh për 4 apo 8 vite sa e ke në dorë. Ca më keq, të gjitha krahët e përdorin databaze-n shtetërore si armë për qëllime politike.

Sot gjithkush mund të na futet e të na kontrollojë rrogat, pasurinë, letrat, por vetëm ne nuk kemi të drejtë të dimë si shpenzohen paratë tona, si bëhen tenderat, kush janë kompanitë që marrin miliona, si rekrutohen nëpunësit civilë dhe ku dreqin bëhen ato konkurse që punësojnë njerëzit që paguhen nga taksat tona për të na mbrojtur ne; e të tjera informacione që shteti duhet t’i japë, madje e ka detyrë t’i japë.

Ne sot mund të na dinë gjithçka, por vetëm ne nuk mund të dimë se kush i merr paratë tona me sigla kompanish ekzotike apo guackë nëpër tendera publikë në kufirin limit të fondeve. Në momentin që një shtet nuk është në gjendje të ruajë dy copa letrash, vështirë se mund t’i besosh se di të kujdeset për arsimin, shëndetësinë e ca më shumë mbrojtjen. Ca të mençurve ju ka shkuar në mendje që këto shërbime edhe t’i privatizojnë. Kështu për shembull, ne sot nuk kemi shëndetësi publike dhe private por kemi Spitalin Amerikan që po i merr shpirtin shëndetësisë publike; ne nuk kemi arsim privat dhe publik por arsim privat që po i merr shpirtin atij publik që është lënë në mëshirë të fatit dhe atij privat që plaçkit xhepat e prindërve pa garanci produkti; ne nuk kemi ushtri por një karikaturë të saj të pangjashme me asnjë shtet serioz; sistemet tona të komunikimit, transportit apo energjisë janë të gjitha në dorë të privatëve të paçertifikur nëse kanë kapacitete të trajtojnë asetet vitale të një shteti në kohë paqeje pale pastaj krize.