MENU
klinika

“Ju duhet të vazhdoni dhe tre të tjerët duhet të bashkohen”

Varhelyi i del në mbështetje “Open Balkan”

21.12.2021 - 11:52

Komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Oliver Varheleyi, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e “Open Balkan” që po mbahet në Tiranë, shprehu mbështetjen ndaj kësaj nisme dhe ftoi tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesë e kësaj nisme.

Përmes një lidhjeje virtuale me Samitin e Tiranës, Varhelyi inkurajoi liderët e tre vendeve të vijojnë planin për krijimin e tregut të përbashkët rajonal pasi në këtë mënyrë do të rritet me 1/3 Prodhimi i Brendshëm Bruto i rajonit.

Komisioneri i Zgjerimit theksoi gjithashtu se vetëm nëse krijohet tregu i përbashkët rajonal vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përthithin dhe planin e investimeve të BE-së, e cila përplotëson dhe rritjen e PBB-së me 2/3.

“Është e lehtë të jesh mik i Ballkanit kur je prej andej, unë jam nga Hungaria, kjo më jep një kuptim të nevojave që ka Ballkani. Për të qenë i ndershëm kam qenë i prirur pozitivisht ndaj këtij propozimi. Fillimisht u quajt mini-shengen pastaj Open Balkan. E konsideroj këtë iniciativë si një zëvendëse derisa të gjithë të jenë përreth tryezës, unë ju nxis ta vazhdoni këtë nismë, pasi rajoni meriton të jetë një i tërë, siç jemi ne bashkë në Bashkimin Europian. Ka qenë një nismë që vjen nga Ballkani, prej tri aktorëve që shoh rreth tryezës, ju vazhduat ta shtynit përpara edhe kur ne nuk arritëm të tërhiqnim aktorët e tjerë.

Ju vazhduat ta shtynit përpara, ne mendojmë se ky është mesazhi më i mirë që rajoni mund të përçojë, mund të më përfshini si mbështetës të Ballkanit të Hapur. Ne mendojmë që në bazë të vlerave të BE-së jo vetëm që është i mirëpritur, por është në të mirën e të dyjave palëve. Ju duhet të mbani këtë bashkëpunim të hapur dhe më lini nga mundësia të ftoj tre partnerët e tjerë t’i bashkohen kësaj iniciative, pasi mund të ndryshojë realitetet në terren, të cilat janë shumë të errëta.

Më lejoni t’ju citoj zoti Rama, vetëm nëpërmjet tregut të përbashkët rajonal, Ballkani mund të rrisë 1/3 e prodhimit të brendshëm bruto. 2/3 e mbetur mund të arrihet përmes një përplotësuesi që është plani ekonomik i investimeve që është i ofruar nga Bashkimi Evropian. Ju duhet të vazhdoni dhe tre të tjerët duhet t’ju bashkohen, pasi plani ekonomik i investimeve mund të rrisë PBB-në e rajonit vetëm nëse të gjithë janë pjesë e këtij plani”, tha Varhelyi.