MENU
klinika

Botërori i Peshëngritjes

Veli 1 kg larg medaljes në shkëputje, zhgënjen në shtytje

09.12.2021 - 14:50

Peshëngritësja shqiptare Evangjeli Veli u rendit në vendin e katërt në peshën 55 kg, në Kampionatin Botëror të shtangës, event që po zhvillohet në Tashkent të Uzbekistanit. Një paraqitje e mirë e shtangistes kuqezi, që në këtë stil realizoi 2 nga 3 provat në dispozicion.

Medalja e bronzit mbeti peng 1 kg edhe pse ajo u përpoq në provën e tretë ta arrijë atë. Veli e nis mjaft mirë garën në stilin e shkëputjes, duke realizuar me sukses provën e parë, me 86 kg. Në provën e dytë ajo provon dhe ngre peshën 89 kg, duke qenë sërish e suksesshme në pedanë.

Në provën e tretë, Veli tenton 91 kg, çka do ta fuste në zonën e medaljeve në këtë stil, por pa sukses. Zhgënjimi i Velit është i madh, që renditet e katërta në stolin e shkëputjes, 1 kg, larg medaljes së bronztë.

Nuk është mbyllur ashtu sikurse dëshironte aventura e shtangistes, në stilin e shtytjes ajo zhgënjeu. Veli u ngjit në pedanë vetëm në dy nga tri provat e saj në këtë stil. Veli dështoi të ngrejë peshën 105 kg në përpjekjet e para, ndërsa në provën e tretë u tërhoq dhe nuk u ngjit në pedanë. Për pasojë, ajo nuk dha rezultat në këtë stil dhe nuk dha rezultat as në dygarësh.