MENU
klinika

Talebanët mohojnë akuzat

Vendet perëndimore të shqetësuara për raprezaljet në Afganistan

06.12.2021 - 09:31

Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh perëndimore, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë, kanë shprehur shqetësimin për njoftimet mbi vrasjet dhe zhdukjet e ish-anëtarëve të forcave afgane të sigurisë pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht.

Në një deklaratë të përbashkët gjatë fundjavës, 21 vende, si edhe Bashkimi Evropian iu referuan raportimeve për abuzime të tilla të dokumentuara nga Human Rights Watch dhe grupe të tjera.

“Ne theksojmë se këto veprime përbëjnë shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe bien ndesh me amnistinë e shpallur nga talebanët,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Jashtme gjermane.

“Rastet e raportuara duhet të hetohen menjëherë dhe në mënyrë transparente, personat përgjegjës duhet të përgjigjen dhe masat përkatëse duhet të bëhen publike që të frenohen vrasjet dhe zhdukjet e mëtejshme,” thuhet në deklaratë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane Sayed Khosti hodhi poshtë akuzat për vrasje për hakmarrje, duke thënë se nuk ishte paraqitur asnjë provë.

“Nëse ka prova, duhet të ndahen me ne,” tha ai në një deklaratë me video, duke përmendur amnistinë e përgjithshme të shpallur nga qeveria talebane.

“Kemi pasur disa raste të veçuara vrasjesh të ish-anëtarëve të qeverisë, por këto ishin për shkak të konflikteve private dhe ne kemi arrestuar përgjegjësit”, tha ai.

“Kjo është shpifje kundër Emiratit Islamik të Afganistanit, jo drejtësi.”

Human Rights Watch tha në një raport më 30 nëntor se forcat talebane në Afganistan kanë ekzekutuar ose zhdukur me forcë më shumë se 100 ish-oficerë policie dhe zbulimi që kur morën nën kontroll vendin më 15 gusht, pavarësisht nga amnistia e shpallur.

Ministria e Brendshme e talebanëve hodhi poshtë raportin e Human Rights Watch, por tha se do të arrestonte cilindo që rezultonte se kishte kryer akte hakmarrjeje të dhunshme kundër ish-anëtarëve të ushtrisë.

Në kushtet e një krize të thellë ekonomike pas ndërprerjes së ndihmës së huaj kur vendet perëndimore u tërhoqën nga Afganistani, talebanët kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare për të shmangur një fatkeqësi humanitare, në një kohë kur gjysma e popullsisë përballet me urinë gjatë dimrit.

Deklarata e përbashkët thoshte: “Ne do të vazhdojmë t’i vlerësojmë talebanët në bazë të veprimeve të tyre.”

Deklarata është nënshkruar nga Australia, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Danimarka, Bashkimi Evropian, Finlanda, Franca, Gjermania, Japonia, Holanda, Zelanda e Re, Maqedonia e Veriut, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara.//VOA