MENU
klinika

Nga Rrustem Mustafa

Vetëvendosja e popujve

12.12.2021 - 21:24

Nocioni paqë, mbase ka konotacion vetëm pozitiv. Edhe sunduesit despotikë i arsyetojnë tiranitë e tyre me nevojën e pashmangshme për rregull, stabilitet dhe paqe.

Ata, satrapët modern të llojit të Sllobodan Millosheviqit, Radovan Kaarxhiqit., Sadam Hyseinit, Gadafit, ose Homeinit, madje janë të bindur se qenkan në rrugë të mirë. Botëkuptimet e tyre zakonisht janë paragjykime, sa fyese po aq edhe fëmijërore.

Çdo shtet që nuk ndërtohet mbi parimin e lirisë, në thelb është tirani. Këto shtete nuk kanë vetëdije se respektimi i drejtave dhe të lirive të njeriut është kusht pa të cilin nuk mund të ndërtohen shtetet moderne.

Poashtu paqja nuk mund të vlejë vetëm për të fortit. Parimet që nuk mund të universalizohen, në thelb nuk mund të jenë parime. Këtë konstatim me të drejt filloi ta spikatë në Konferencën e Parisit, presidenti amerikan, Udrou Uillson.

Ai, duke parë efektin rrënues të politikës realiste, sidomos për interesat e popujve të vegjël, propozoi një parim të ri, që e kufizon keqpërdorimin e parimit të real politikës: të drejtën e popujve për vetëvendosje, që më vonë do të zgjerohet dhe do të marrë në mbrojtje të drejtat e njeriut në përgjithësi.

Mbi këtë parim të drejtës për vetëvendosje u pranua shpallja e mëvetësisë së Shqipërisë, duke vënë pikë çdo tendence për ndarje të saj, por njëkohësisht edhe për bashkim të tokave ku jetonin shqiptarët.

Pikërisht kjo padrejtësi flagrante do të krijojë një antagonizëm të ri që do të kurdisë gjeneratorin e krizës, atë të fërkimeve të vazhdueshme të shqiptarëve me sllavët e jugut, kryesisht me serbët, të indoktrinuar nga një politikë anakronike, ekspansioniste, hegjemoniste.

Për shumëkënd qëndrimi pro shqiptar, në fakt parimor i presidentit amerikan, Uillson, ashtu si edhe qëndrimi aktual i faktorit politik amerikan paraqet një mister që vështirë mund të shpjegohet me kategori racionale.

Pikërisht për këtë shkak historianët, sidomos ata serbë, këtë “pro shqiptarizëm” të faktorit politik amerikan e shpjegojnë me teori konspirative.

Në fushën e publicistikës dhe atë të medieve janë paraqitur një varg supozimesh të kësaj natyre që dëshmojnë jo seriozitetin e autorëve, prandaj duhet shmangur nga polemikat për këtë temë. Teoritë që mbështeten në imagjinatë mund të sajohen orë e çast.

Ata që shpikin teori të këtilla nuk arrijnë të kuptojnë një fakt elementar të politikës ndërkombëtare. Popujt e vegjël në konferenca ndërkombëtare humbin ose fitojnë në varësi nga parimi mbi të cilin ndërtohet politika ndërkombëtare.

Kur vlente parimi i real politikës, popujt që nuk paraqitnin ndonjë pengesë, që nuk kishin ndonjë rëndësi ekonomike, gjeopolitike, strategjike, ushtarake si shqiptarët bie fjala, në Kongresin e Berlinit, humbnin rastin që t’i
realizojnë, t’i zgjidhin problemet kryesore, siç është themelimi i shtetit.

Kur ky parim filloi të korrigjohet me atë të vetëvendosjes së popujve që e përuroi presidenti amerikan, Uillson, popujt që nuk kishin sponsorë, si shqiptarët filluan t’i fitojnë të drejtat, paraprakisht të mohuara.

Kauza shqiptare, si me rastin e Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës u vlerësua si e drejtë, ngaqë ishte në përputhje me parimet e politikës ndërkombëtare dhe kurrsesi jo për shkaqe konspirative.

Prandaj Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me normat ndërkombëtare juridike.

Nuk fituan shqiptarët për shkak se SHBA-të e paskan krijuar kauzën shqiptare, por për shkak se kauza shqiptare, pra ajo e një populli të rrallë ka ekzistuar realisht dhe e mohuar forcërisht nga popuj që kishin ambicie hegjemoniste.

Paqja që vendoset pa drejtësi, pacifikimi pra, është faktori që i stërkeq raportet e brendshme në një shoqëri.

Aneksimi i Kosovës nga ana e Serbisë përkatësisht Jugosllavisë ishte vendim i padrejtë, i imponuar me forcë. Kjo tendencë për zgjerim territorial, për hegjemoni ishte dhe vazhdon të mbetet ide anakronike ngaqë bie ndesh me konceptet moderne të mbrojtjes së të drejtave kolektive, përkatësisht të drejtave të popujve për vetëvendosje.

Rrjedhimisht, mosrespektimi i së drejtës kolektive për liri që njihet me emrin vetëvendosje si me rastin e Kosovës dhe në përgjithësi të shqiptarëve jashtë shtetit amë, do të ndikojë të zhvillohet një lëvizje e fuqishme ilegale për çlirim kombëtar në të gjitha hapësirat e ish Jugosllavisë.

Lëvizja filloi që në çastet e para të depërtimit të forcave jugosllave në Kosovë dhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë.
Promotore e kësaj lëvizjeje ishte vetëdija e arrirë e një shtrese të gjerë të popullatës që kishte bindje të paluhatshme se çështja shqiptare është e drejtë dhe në përputhje me tendencën historike.

Pikërisht për këtë shkak mund të konstatohet se lëvizja kombëtare dhe politike e shqiptarëve ishte produkt i vetëdijesimit masiv dhe të vazhdueshëm të një populli të lashtë dhe jo zhvillim i rastësishëm kur një popull fillon të motivohet nga një lider ose elitë karizmatike.

Procesi i fundit i refuzimit të rirobërimit, të pushtimit dhe të nënshtrimit të shqiptarëve filloi me kryengritjen e Shaban Polluzhës dhe përfundoi me epopenë e lavdishme çlirimtare të UÇK-së.

Në raste të këtilla kur vetëdija kombëtare e një populli është e formuar, kur ata janë shumicë brenda një hapësire të veçantë të administrimit, kur në atë territor janë zhvilluar proceset e rëndësishme historike, kur një shtet federativ ka filluar të shpërbëhet, e drejta për vetëvendosje duhet të zbatohet për të gjitha njësitë konstituive.

Çdo shpërfillje e kësaj të drejte, rregullisht shkakton konflikt, luftë që i shter kapacitetet e gjithëmbarshme të popujve të përfshirë në konflikt dhe e destabilizon rajonin. Kështu ndodhi me Kosovën dhe shqiptarët.
Tani koha për ecje zhvillimore, normale e kombit shqiptarë ska si të ndalet…