MENU
klinika

"Duhet t’i bëjmë bashkë të gjithë aktorët që të kemi më shumë rezultate"

Vuçiç fton nga Tirana vendet e tjera të rajonit të bëhen pjesë

21.12.2021 - 13:49

Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin e Agrikulturës dhe Kooperimit Rajonal në Tiranë, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ftoi vendet e tjera të rajonit të bëhen pjesë e iniciativës Open Balkan.

Vuçiç theksoi se në 3 vitet e ardhshme shifra e shkëmbimeve tregtare në fushën e Bujqësisë pritet të kapë vlerën e 1 miliardë eurove, duke dëshmuar në këtë mënyrë sipas tij përfitimet e marrëveshjeve të nënshkruara në mbështetje të Ballkanit të Hapur.

Presidenti serb ftoi dhe vendet e tjera të Ballkanit perëndimor në mënyrë që rezultatet të jenë më të mëdha.

“Faleminderit që jeni këtu. Unë do të përpiqem që mos ta zgjasë shumë fjalën time, për t’i lënë fjalën dhe folësve të tjerë. Ne kemi dëshirë të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme dhe bujqësia është një nga fushat më të rëndësishme të këtij bashkëpunimi. Kjo fushë nuk ka të bëjë vetëm me qarkullimin e lirë të ushqimeve dhe produkteve bujqësore, por ka të bëjë edhe në bashkëpunimin me inteligjencën artificiale, në fushën e robotëve të cilët mund ta zhvillojnë bujqësinë në të ardhme. Ne Serbia kemi 230 milionë euro me Maqedoninë e Veriut që përsëri është një shifër e vogël, të cilën duhet ta çojmë në 1 miliardë. Nënshkrimi I këtyre marrëveshjeve shtesë, ka të bëjnë me harmonizimin e proceseve dhe do të sjellë lehtësira për prodhuesit. Më duhet të them që ka potencial të madh të rritjes së vëllimit tregtar. Vetëm për bujqësinë ne flasim për shifra që brenda tre viteve kalojnë shifrën 1 miliardë, pra e kuptoni sa e rëndësishme është kjo iniciativë për PBB-të e vendeve tona.

Dëshiroj po ashtu të shtoj se ne kemi shumë institucione, organizata, institute, madje që duhet të jenë më të lidhura me njëra tjetrën, ndaj e mbështes idenë e Eidit që të gjitha qeveritë, por në fakt jo vetëm institucionet shtetërore të bëhemi bashkë në një takim më të gjerë në Shkup për shembull, ose diku tjetër në Maqedoninë e veriut, e më pas të mblidhemi edhe në në Beograd më vonë.

Duhet t’i bëjmë bashkë të gjithë aktorët në mënyrë që të kuptohet qartë ideja e shkëmbimit e praktikave më të mira që të kemi më shumë rezultate në të ardhmen”, tha Vuçiç.