MENU
klinika

Identitet 4 000 vjet

Xhubleta. Art. Histori

14.12.2021 - 19:34

       Mund të flasësh pa mbarim… për xhubletën! Të flasësh, ndoshta sa koha kur ajo veshi gruan e Ilirit të lashtë… Sot e njohim këtë veshje në ngjyrë të zezë. Por më herët, xhubleta numëronte një mori nuancash të tjera./Konica.al

Në antikitet gratë e trevave tona visheshin me një veshje që i ngjan një këmbore të valëzuar në fund.

Gratë e malësisë nuk ndikohen nga faktori kohë, ato vazhdojnë ta mbajnë edhe sot këtë veshje sikur të ishte një objekt i shenjtë. Historia e veshjeve shqiptare nis me xhubletën. Ajo është e dokumentuar edhe nëpërmjet dëshmive arkeologjike dhe sipas këtyre dëshmive rezulton të jetë një veshje e përhapur në të gjithë pellgun e Mesdheut. Etnografja Afërdita Onuzi për “standardin” shpjegon: “Sot jeta në zonat më të thella malore të Shqipërisë, pra mbijetesën kjo veshje e ka në fshatrat e alpeve të vendit. Në fakt zanafilla e kësaj veshje është në zonat më të ngrohta, siç është pra pellgu i Mesdheut”. Sesi ka mbetur kjo veshje në Alpet e Shqipërisë në këtë forma që ka sot, studiuesit nuk dinë ta shpjegojnë. Kjo gjë mund të ketë arsyet e veta si p.sh. me lëvizjet e popullsisë apo faktorë të tjerë, por ne nuk dimë të themi, pasi nuk kemi një studim të mirëfilltë se përse kjo veshje ka mbetur në këtë pjesë të vendit. E rëndësishme është që kjo veshje e hershme e përdorur që në antikitet, sot vazhdon të jetë në formën e saj më të lulëzuar, sigurisht jo në qarkullimin e jetës së përditshme, por e kufizuar në aktivitetet artistike.

Në bazë të dokumenteve historike, dëshmive, studimeve nga udhëtarë të ndryshëm thuhet se në shek. XVIII xhubleta krahasohet me “bishtin e palloit” për nga ngjyrat. E vërteta është se në atë kohë, xhubleta ishte e zbukuruar me ngjyrë të kuqe në tullë, me ngjyrë të bardhë, blu në vjollcë dhe me të zezë.

Këtë fakt ne e shohim në një tablo nga Kolë Iodromeno në fund të shek. XIX.

Mendohet se ka mbetur ndonjë ekzemplarë i xhubletës me këtë pamje. Veshja është paraqitur nga artisti në një tablo të madhe që quhet “Sekenat e jetës” ku në fakt të gjithë personazhet janë të veshur me kostume popullorë të krahinave të Shqipërisë së veriut dhe midis tyre dallon edhe xhubletën me këto ngjyra. Me thënë të drejtën në të nuk janë të gjitha ngjyrat e ylberit, por nuk është siç na ka ardhur sot në ngjyrë të zezë.

Një ekzemplarë i tillë i xhubletës me ngjyra, sot ndodhet në muzeun e njeriut në Paris. Atje mund të ketë arritur në formë dhurate, apo e blerë nga një udhëpërshkrues a studiues i fillimshekullit XX.

Xhubleta me pamjen e sotme ka një formë të veçantë nga veshjet e tjera. Veçantia nuk qëndron vetëm tek forma prej këmbane, që valëzohet në fund, por në stilimin e prerjes ndryshe nga veshjet e tjera, që janë vetëm me një copë dhe mund t’ia japësh formën si të duash në avlëmend – xhubleta është bashkim i disa rripave 4-5 cm të gjerë. Këta rripa janë prej shajaku dhe ngjiten në një mënyrë shumë speciale duke aplikuar një qëndisje, apo punim me grep (spik), që kap të dyja anët dhe kështu vazhdon duke i ngushtuar rripat sa krijohet beli, apo mesi i gruas.

Në fakt, në Alpet e Shqipërisë xhubletën e gjejmë në dy variante: një variant është ai me formën më të valëzuar në pjesën e fundit, pra të këmborës që vjen duke u valëzuar në fund, kjo e përdorur në Kelmend, në pjesën e Alpeve veriperëndimore, ndërsa më në thellësi në pjesën e Alpeve veriperëndimore dhe krahinës së Pukës është një krahinë etnografike që quhet Dukagjin. Kjo krahinë përdor një variant tjetër të xhubletës që është në formë këmbore, por më e shkurtër dhe jo kaq e valëzuar.

Xhubleta e Dukagjinit mendohet se është forma më e hershme sepse të gjithë e dimë që veshjet ndryshojnë në modelim me kalimin e kohës.

Studiuesit mendojnë se zanafilla e xhubletës është ajo formë që gjejmë sot në Dukagjin. Studimet e deritanishme kanë treguar se pjesët përbërëse të veshjeve tradicionale, nuk i përkasin të gjitha të njëjtës kohë. Ka pjesë që të kujtojnë veshjet mesjetare me ndikime bizantine dhe orientale, të tjera që vijnë si një jehonë e kohës antike, por ka edhe elementë që mund të lidhen me kulturën ilire.

Mund të përmendim kështu analogjitë e vërejtura midis linjës popullore dhe “dalmatikës” ilire, apo midis kapuçëve, strukave (shalleve), opingave, etj. dhe elementeve respektivë, të përdorur nga ilirët. Falë këtyre elementeve të trashëguar nga kultura ilire dhe ajo e arbërve të mesjetës, gjatë zhvillimit të tyre historik, veshjet popullore kanë arritur të fitojnë një varg tiparesh origjinale, që marrin vlerat e një treguesi etnik, çfarë i dallon veshjet shqiptare nga ato të popujve të tjerë.

Zbukurimet që përdoren për xhubletën janë të vendosur në pjesën e rripave apo në ivat e xhubletës siç e quan krahina veriore. Motivet që e zbukurojnë janë të ndryshëm si p.sh. një libër i hapur ku lexohet historia nga periudhat më të hershme përshkruhet historia e zhvillimit të kësaj krahine. Motive të tjera janë akrepi, gjarpri, peshku, yjet. Pra, kjo veshje më shumë ka motive gjeometrikë të përshtatur me atë natyror sesa zbukurues, siç janë lulet apo diçka tjetër. Nëpërmjet këtyre motiveve të përdorur në xhubletë ne gjejmë gjurmë të krishterimit të hershëm në trevat shqiptare. Peshku dihet se u soll nga Jezu Krishti për të ngopur popullin, po kështu tjetër motiv interesat është kulti i gjarprit, akrepi apo dhe insekte të tjera që janë element të frymëzuar nga mjedisi ku ka jetuar kjo popullsi.

Shumë mjeshtërisht, duke luajtur me ngjyrat për të sjellë nuanca, është përdorimi ngjyrës së zezë mbi të zezë. Teknika e përdorur me ngjyrë të zezë mbi shajakun e zi, krijon një finesë të jashtëzakonshme që ligjet e artit të kultivuar, nuk e pranojnë të zezën mbi të zezë, ndërsa në artin popullor, kjo aplikohet me shumë sukses.

Xhubleta zbukurohet sot edhe me ngjyrën e verdhë, kjo shumë e kursyer, atë vjollcë, blu, e bardhë që përdoren për të mbushur motivet në një xhubletë. Të gjitha këto motive i japin një pamje shumë interesante në kompleksitet. Në mënyrë të veçantë krijohet madhështia e xhubletës me të gjitha pjesët e saj përbërëse, siç është brezi, i cili është i punuar prej shajaku, i zbukuruar me motive dhe në pjesën e përparme ka një togëz prej argjendi, të mbushur me gurë shkëlqyes, që nuk janë të çmuar, por janë copa xhamash me të njëjtën ngjyrë me zbukurimet tjera të xhubletës.

Pjesë tjetër përbërëse e veshjes është një lloj jeleku me tufçe anash që është në llojin zbukurimi me të njëjtin material është shumë interesant. Po kështu, madhështi, veshjes i jep edhe stilimi i lojërave. Mënyra e krehjes së grave që veshin xhubletë është edhe më tërheqëse dhe të ngjall një këshiri për ta njohur këtë zonë, vetëm nga mënyra e kompleksitetit të veshjes dhe mënyrës së makijazhit dhe krehjes së flokëve të këtyre grave. Kaçurrelat e xhubletës janë në lloje të ndryshme të bëra me një teknologji popullore. Po kështu edhe pjesa e çorapeve të xhubletës i jep gruas një pamje tepër madhështore. Në fakt, gratë që mbajnë xhubletën në Malësinë e Madhe i përshtatn më së miri kësaj veshjeje madhështore.

Çdo popull e shkruan Historinë e vet me sakrificë… e nr Shqiptarët, e qëndisëm Vuajtjen me Art