MENU
klinika

Nga Mero Baze

A do ketë aleanca fluide “pro Berishës” më 6 mars?

25.01.2022 - 20:42

Të gjithë bien dakord se zgjedhjet e 6 marsit janë një përpjekje për të verifikuar në terren atë që Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk e verifikuan dot në një sallë të vetme votimi. Të gjithë bien dakord se Sali Berisha dhe Ilir Meta e kanë betejë për jetë a vdekje, të marrin mandatin e shumicës opozitare në vend në këto zgjedhje.

Për këto arsye Ilir Meta harroi dhe përbetimin kundër zgjedhjeve të 30 qershorit dhe i dekretoi zgjedhjet sapo kuptoi se mund të kishte një rast që bashkë me Berishën t’i merrte shumicën opozitare Lulzim Bashës.

Po ashtu të gjithë e dimë që Edi Ramës nuk i hyjnë në punë fare këto zgjedhje. Madje mund të ketë dëshirë t’i humbasë të gjashta, vetëm se nuk ka mundësi, pasi nuk e lë Berisha me Bashën.

Në këto kushte, e vetmja gjë që duhet hetuar është aleanca fluide e elementëve “të fortë”, siç perceptohen faktorët elektoralë të pavarur në Shqipëri, që i bashkangjiten herë PS-së, e herë PD-së.

Pas shpalljes së Berishës “non grata” dhe sidomos pas betejës së tij për t’iu kundërvënë SHBA-së dhe politikës së saj në Shqipëri, Berisha dhe Meta po formojnë një pol anti-amerikan, që qartazi do konkretizohet me partinë e tyre të re “sovraniste”.

Kjo është parë me simpati nga shumë elementë të tjerë në politikën shqiptare, kryesisht individë apo grupime që shikojnë në perspektivë një fat të njëjtë me Berishën e Metën, për shkak të SHBA dhe këmbënguljes së tyre për reformën në drejtësi.

Për këtë arsye, ka shumë shanse që këta elementë, të cilët në shumicë kanë ofruar mbështetje të tyre për pushtetin në Shqipëri, në këto zgjedhje të devijojnë heshturazi votat për grupin Berisha- Meta, i cili në të vërtetë i përfaqëson ata në politikën shqiptare.

Duke qenë zgjedhje të parëndësishme për Partinë Socialiste dhe mbi të gjitha, duke qenë zgjedhje ku ata vetë nuk kanë ndonjë interes konkret, ka shumë shanse që ata të devijojnë votat drejt Berishës e Metës, në shenjë solidariteti, por dhe si investim për të ardhmen e tyre politike.

Edhe pse është ende herët, pasi nuk kanë dalë kandidatët nga asnjë parti, është shumë interesante të shikohet se si simpatia e këtyre grupeve, por dhe plot individëve të tjerë brenda së majtës, në këto zgjedhje pa interes për socialistët dhe pushtetin e tyre, shkon për dyshen Berisha- Meta.

Natyrisht në heshtje dhe diskrecion të plotë, pasi nuk duan të marrin përsipër telashet e tyre, por kanë një dëshirë për suksesin e tyre. Siç thuhej dikur në Labëri në kohë të luftës, jo pa humor “Partia të fitojë, por Balli të mos humbasë”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN