I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka folur për mundësinë e shpalljes non-grata të politikanëve të tjerë shqiptarë nga Departamenti i Shtetit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai thotë se nuk preferon të flasë për sanksione të tilla, teksa shton se kjo nuk është mënyra se si SHBA angazhohet në Shqipëri.
Por pavarësisht kësaj, Escobar thotë se do të ketë përcaktime të tjera në rajon.
Ndër të tjera, duke iu referuar situatës brenda Partisë Demokratike, Escobar shprehet se ka marrëdhënie të mira me kryedemokratin Lulzim Basha.
Pyetje: Në çdo vend opozita është jetike për ta vënë qeverinë para përgjegjësisë. Dhe ka nga ata që thonë se me atë që po ndodh tani me Partinë Demokratike, nuk po i kushtohet vëmendje mbikqyrjes së qeverisë dhe kryeministrit në Shqipëri, se si po e bëjnë ata punën e tyre. A është kjo shqetësuese për ju?
Gabriel Escobar: Unë besoj se çdo vend evropian, ashtu si edhe vendi ynë duhet të ketë një opozitë të shëndetshme. Besoj se Partia Demokratike aktuale e ofron një gjë të tillë. Unë kam një marrëdhënie të mirë me zotin Basha. Kështu që do të thoja se ajo që po ndodh në rrugë nuk reflekton në të vërtetë atë që është tani Partia Demokratike. Kështu që shpresoj që votuesit të kuptojnë, që votuesit ta refuzojnë këtë lloj sjelljeje.
Pyetje: Dhe a do të ketë përcaktime të personave të tjerë?
Gabriel Escobar: E kam thënë se nuk më pëlqen të flas për sanksionet në përgjithësi, për shumë arsye, por kryesisht për faktin se nuk është kjo mënyra se si angazhohen Shtetet e Bashkuara në rajon, veçanërisht me Shqipërinë. Kemi aq shumë rrugë pozitive angazhimi dhe do të vazhdojmë t’i përdorim ato. Megjithatë, do të ketë përcaktime të tjera në rajon.