Egjipti u “zhduk” nga Lindja e Mesme pas Pranverës Arabe në 2011. Epo ndoshta termi “u zhduk” nuk është i duhuri, por sigurisht që ndikimi i tij në botën arabe nuk ishte si më përpara.
Kushdo që është mësuar me rolin udhëheqës të Egjiptit në botën arabe, jo vetëm nën udhëheqjen e Gamal Abdel Nasser, u detyrua të pranonte faktin se Egjipti ishte tashmë vetëm një aktor, ndërsa vendet e pasura të Gjirit, prodhuese të naftës ishin në krye të çështjeve kryesore rajonale.
Është e vështirë të përcaktohet se kur nisi kjo situatë, por një pikë për të ndryshuar situatën ishte krijimi i forumit rajonal të gazit me bazë në Kajro i përbërë nga Egjipti, Izraeli, Greqia, Qipro, Italia, Jordania dhe Autoriteti Palestinez në shkurt të 2019.
Operacioni ushtarak i Izraelit në Gaza i dha Egjiptit një tjetër mundësi për të forcuar pozitën e tij në rajon si ndërmjetës i Hamasit. Egjipti ka luajtur gjithmonë një rol kryesor në ndërmjetësimin mes Izraelit dhe Hamasit, madje edhe nën udhëheqjen e presidentit Morsi, duke i dhënë Izraelit liri për të vepruar kur të dëshironte, për shembull, gjatë Operacionit Edge Protective 2014.
Sido që të jetë, Egjipti ishte i dobishëm në arritjen e armëpushimit dhe ndihmës humanitare. Përfshirja e Egjiptit në Gaza është e kuptueshme.
Së pari, sepse enklava shtrihet përgjatë kufirit të saj dhe kërcënon stabilitetin e rajonit, në përgjithësi dhe posaçërisht të Egjiptit.
Së dyti, lejon administratën të cilësojë veten si një udhëheqës rajonal për çështjet kryesore të Lindjes së Mesme. Po aq e rëndësishme, ndërmjetësimi i siguron presidentit të Egjiptit Sisi një vulë miratimi në Uashington, ku administrata e Biden synon të frenojë regjimet që shkelin të drejtat e njeriut.
Biden dhe Sisi zhvilluan 2 biseda telefonike gjatë luftimeve në Gaza . Sekretari i Shtetit Anthony Blinken vizitoi gjithashtu Kajron, Jeruzalemin, Ramallah dhe Aman. Egjipti vazhdoi ndërmjetësimin me Ministrin e Jashtëm Sameh Shoukry duke vizituar Amman dhe Ramallah.
Operacioni i Gazës gjithashtu rezultoi në një përmirësim të marrëdhënieve egjiptiane-izraelite. Jo vetëm që forcoi lidhjet dypalëshe të sigurisë, por gjithashtu përmirësoi marrëdhëniet diplomatike, pas vizitës të Ministrit të Jashtëm Gabi Ashkenazi , i pari ministër i jashtëm izraelit në 13 vite.
Operacioni GAZA gjithashtu përmirësoi marrëdhëniet e Egjiptit me Katarin. Në janar, Egjipti, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Jordaninë hoqën bojkotin e Katarit prej 3 vite e gjysmë dhe rinovuan lidhjet diplomatike me monarkinë.
Kriza në Gaza krijoi një mundësi për ministrin e jashtëm të Katarit në Egjipt për të diskutuar rolin e ardhshëm të vendit të tij në Gaza. Sisi mori gjithashtu një ftesë nga udhëheqësi i Katarit për të vizituar vendin e tij. Operacioni në Gaza dhe ndërmjetësimi egjiptian i siguruan Egjiptit një mundësi për të rifituar rolin e tij në arenën e Gjirit.
Me mbështetjen e vazhdueshme të Katarit për Vëllazërinë Myslimane, mbetet për t’u parë nëse një afrimitet mes Egjiptit dhe Katarit ka filluar. Ndërsa Gaza mbushi shumicën e titujve të gazetave, politika e jashtme egjiptiane është bërë një temë e diskutueshme në arenat e tjera. Një prej tyre është Libia.
Egjipti mbështeti gjeneralin Khalifa Haftar dhe qeverinë e tij në Tobruk, por që kur qeveria e unitetit kombëtar u krijua në Tripoli me mbështetjen e OKB-së, Egjipti ka mbështetur kryeministrin e ri, Abdul Hamid Dbeibeh.
Tani e tutje, forcat libiane të mbështetura nga Turqia dhe Katari nuk do të përbëjnë më një kërcënim në kufirin perëndimor të Egjiptit. Gjithashtu Turqia dhe Egjipti duket se kanë përmirësuar marrëdhëniet e tyre në lidhje me disa çështje që tensionuan marrëdhëniet e tyre: Libia dhe qëndrimi ndaj Vëllazërisë Myslimane.
Aktiviteti në rritje i Egjiptit në Bririn e Afrikës dhe zonën e Detit të Kuq është po aq interesant. Ndërtimi i digës së Rilindjes në Etiopi nxiti Egjiptin të përmirësonte marrëdhëniet e tij me Ugandën, Sudanin, Sudanin e Jugut, Somalinë, Tanzaninë dhe kohët e fundit edhe me Xhibuti.
Në fakt, Sisi vizitoi Xhibutin më 27 maj. Egjipti ka nënshkruar gjithashtu marrëveshje mbrojtje me vendet e lumit Nil: Uganda, Kenia, Burundi dhe Sudani. Në nëntor 2020, ai u bashkua me Këshillin e Detit të Kuq, në të cilin merrnin pjesë Xhibuti, Eritrea, Jordania, Arabia Saudite, Somalia, Sudani dhe Jemeni.
Të gjitha këto lëvizje u krijuan jo vetëm për të sfiduar ambiciet rajonale të Etiopisë, por edhe për të demonstruar qëndrimin e Egjiptit në Detin e Kuq dhe ngushticën Bab al-Mandab.
A nënkupton kjo se Egjipti do të ndërmarrë veprime në zonat detare?
Diçka e tillë është shumë shpejt për ta kuptuar. Nuk duhet harruar që lidershipi rajonal fitohet me kapital politik, ekonomik, ushtarak dhe demografik. Gjatë viteve të fundit Egjipti ka ndërtuar një ushtri të madhe, megjithëse shkalla e gatishmërisë së tij është në dyshim duke gjykuar çështjen e Shtetit Islamik në Sinai.
Ekonomia e Egjiptit është përkeqësuar pas pandemisë së koronavirusit dhe mungesës së turizmit, ndërsa rritja demografike paraqet një barrë të rëndë ekonomike.
Të gjithë këta faktorë nuk do ta ndihmojnë Egjiptin për të rifituar pozicionin e tij historik rajonal, por gatishmëria dhe energjia e tij për të ecur përpara mund ta shndërrojnë Egjiptin në një “shtet kyç”, ashtu siç e cilësoi dikur gazetari i ndjerë egjiptian Hassanein Heikal.