MENU
klinika

Scriptorium

A është seksi të lexosh?

17.01.2022 - 20:54

Ignacio Echevarrías/

¨El ultimo duelo¨, filmi i fundit i Ridley Scott, ngjarje e zhvilluar në shekullin XVI, me një sërë skenash të mrekullueshme megjithëse kishte dhe plot skena komike e të pavërteta, i kushton vëmendje leximit.

Në film shfaqet dhe Jacques Le Gris (Adam Driver) dhe Marguerite (Jodie Comer) bashkëshortja e mikut të tij të vjetër Jean de Carrouges (MattDamon). Protagonistët ishin të ftuar në një drekë, Marguerite ngelet vetëm ndërsa Le Gris i afrohet për herë të parë.

Le Gris sapo ishte ngritur në detyrë falë Pierre d´Alencon (Ben Affleck) të cilit i kishte shërbyer, por ai kishte frekuentuar dhe seminarin për tu bërë klerik para se të ishte ushtar apo oborrtar, ndaj dhe di të shkruajë dhe të lexojë, njeh shumë mirë latinishten dhe kontabilitetin.

Margarita e bukur, vajza e një fisniku që i kishin rënë për pjesë disa fatkeqësi, është vajzë e edukuar, di ta bëjë mirë punën e saj dhe për më tepër është e apasionuar pas letërsisë. Kjo është dhe një ndër arsyet kryesore pse Le Gris i duket aq tërheqëse ajo vajzë, në fakt që herën e parë kur iu afrua u mundua të flisnin pikërisht për këtë që i bashkonte, pasioni për leximin.

Biseda mes tyre zhvillohet dhe ata këmbejnë idetë e tyre mbi dy libra të famshëm të asaj epoke: ¨Roman de la Rose¨dhe ¨Perceval¨ të cilin Marguerite e konsideron libër ekzigjent.

Ajo çfarë e shtyn Le Gris ta bëjë të tijën Marguerite është dhe fakti që ajo është martuar me një analfabet, të mefshtë, të ngjashëm me shumicën e burrave të asaj kohe edhe pse ajo vetë ishte e lexuar, e ndjeshme. Le Gris ndjente se ai dhe Marguerite janë shpirtra binjakë.

Ajo çfarë më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte që pavarësisht se ky film është prodhuar për publikun e gjerë, i jep aq shumë rëndësi leximit dhe përfitimeve që të jep ai.

Më ngushëllon fakti që edhe skenari i këtij filmi komercial dëshmon respekt dhe magjepsje ndaj leximit. Ky vrojtim nuk bie poshtë edhe pse ngjarjet zhvillohen në mesjetën e vonë. Në fund fare, filmi ngre pyetje mbi tema aktuale: Si mund të paguajnë gratë çmimin e denoncimit të abuzimeve të ndryshme nga burrat.

¨Të lexosh është seksi¨, kështu shkruante një nga sloganet e promovimit të leximit në qytete të ndryshme të botës. Kushdo do të shprehej se kjo parullë ka efekt. Indrustria e botimit të librit vazhdon të funksionojë, inagurohen librari pafund kudo në botë, as libri digjital nuk ka mundur ta zëvendësojë atë fizik, përkundrazi pullat e librave veç sa shtohen.

Mbijetesa e librit është e sigurt, të paktën në afatmesëm. Por a është ende leximi një akt që rrezaton prestigj dhe a konsiderohet ende leximi si mjet deklasifikimi?

Mua më rezulton e pabesueshme, por a thua vallë të jetë e mundur?

Ignacio Echevarria shkrimtar spanjoll që ka kontribuar ndër vite për të përjavshmen ¨El País Semanal¨. Ai shquhet për kritikat e tij letrare.

Artikulli u përkthye në shqip nga Albana Murra.