MENU
klinika

Thellohet kriza në Malin e Zi

Abazoviç: Qeveria bie në 4 shkurt!

26.01.2022 - 16:09

Në Mal të Zi, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç është shkarkuar nga kryesimi i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ndërsa shefi i ekzekutivit Zdravko Krivokapiç ka marrë drejtimin e ministrisë së Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, pasi ka liruar nga detyra edhe ministrat përkatës.

Drejtuesi i delegacionit shtetëror për negociata me Bashkimin Evropian, ministri i Jashtëm, Gjorgje Radulloviç gjithashtu është larguar nga posti.

Kryeministri Krivokapiç e ka argumentuat shkarkimin dhe heqjen e kompetencave të ministrave, duke u shprehur se është e papranueshme që qeveria të rrëzohet nga brenda dhe se në Mal të Zi po zhvillohet një grusht-shteti.

ZDRAVKO KRIVOKAPIÇ

KRYEMINISTER, MAL I ZI

“Unë nuk e kam ngritur çështjen e shkarkimit të asnjë ministri, edhe pse tani shihet shumë qartë se kush ka punuar për kë. Pres që ministra të tillë të japin vetë dorëheqje gjatë ditëve në vijim.”

Ndërkaq, zëvendës kryeministri Dritan Abazoviç deklaroi se këto zhvillime synojnë të nxisin trazira në vend.

DRITAN ABAZOVIÇ

ZV\KRYEMINISTER, MAL I ZI

“Me qeverinë do të përfundojë gjithçka në datën 4 shkurt kur do të votohet mosbesimi. Nëse mendojnë se ndryshimet i kontribuojnë situatës, nuk ka asnjë problem për mua. Por, nëse dikush do të prekë rendin kushtetues, veçanërisht atë të sigurisë, të provokojë trazira në Mal të Zi apo shpërthen nacionalizmin, do të marrë përgjigjen e duhur pa vonesë”.

Kryeministri i Malit të Zi ka kërkuar shkurtimin e mandatit të Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rruga shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa më 3 shkurt do të votohet edhe për shkarkimin e Dritan Abazoviç.