Zgjerohet “harta” e klubeve që kërkojnë sulmuesin shqiptar Armando Broja. Dhe të gjitha interesimet deri më tani janë nga Premier League. Leeds, Everton dhe Wolves janë tre klubet e fundit që i shtohen garës për të transferuar bomberin kuqezi.
Pas Southampton, që ka përgatitur një ofertë prej 30 milionë euro, dhe Newcastle me ofertë 40 milionë euro, edhe West Hemi ka nisur bisedimet me Chelsean për talentin 20-vjeçar.
Së fundmi në skenë kanë dalë edhe3 klube të reja që interesohen për shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare. Chelsea nuk e ka vendosur ende të ardhmen e lojtarit të akademisë dhe nuk ka ndër mend që të nxitohet, me lojtarin që ka një kontratë deri në vitin 2026.
Vlerësimet e para të bluve të Londrës për kartonin e tyre nisën nga 25 milionë euro, por nëse Broja vazhdon të tregojë këtë formë, atëherë në fund të sezonit të gjithë duhet të ribëjnë llogaritë me një vlerë më të lartë kartoni.
Të gjashta klubet janë në kontakte me kampionët e Europës, por vullneti i drejtuesve në “Stamford Bridge” duket se nuk dëshiron ta shesë lojtarin në këtë sesion të merkatos dimërore, duke e bërë atë të përfundojë sezonin në klubin e tij aktual dhe më pas do të rivlerësojë se çfarë të bëjë në verë.