MENU
klinika

I shpallur në kërkim për vrasjen e Arben Zylyftarit

Arrestohet në Gjermani Genc Tafili

04.01.2022 - 14:19

Genc Tafili, i shpallur në kërkim për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari në Shkodër në vitin 2000, është arrestuar nga policia gjermane. Burime bëjnë me dije për ABC se ai është ndaluar në aeroportin e Frankfurtit, nga ku do të udhëtonte për në Stamboll.

Lirimi i Genc Tafilit

Tafili u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha në 7 nëntor të vitit 2017, pas 17 vitesh pas hekurave për vrasjen e Zylyftarit. Ai la qelinë kur i kishin mbetur edhe tetë vite pa kryer nga dënimi. Pas lirimit ai u largua nga Shqipëria duke u larguar jashtë vendit.

Por, në maj të 2021, Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi vendimin e gjyqtares Enkelejda Hoxhës duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Kjo e fundit tashmë ndodhet pas hekurave me urdhër të SPAK, me akuzën e përfshirjes në korrupsion për lirimin e të dënuarve pa përmbushur dënimin.

Si u vra Arben Zylyftari

Arben Zylyftari u vra më 2 gusht të vitit 2000 , kur policia e Shkodrës organizoi një operacion për arrestimin e Bahri Tafilit. Ky i fundit, peshkatar në zonë, ishte një ndër personat më të kërkuar në atë kohë për vrasjen e Skënder Gecit.

Gjatë operacionit të organizuar nga policia e Shkodrës pati shkëmbim zjarri mes palëve. Për pasojë, mbeti i vrarë drejtori i Policisë Arben Zylyftari, si dhe vetë i kërkuari Bahri Tafili. Po atë ditë kur u vra Arben Zylyftari, policia arrestoi Genc Tafilin, duke e akuzuar atë për vrasje në bashkëpunim.