Gjatë dekadave të fundit të Luftës së Ftohtë, midis Bashkimit Sovjetik dhe Kinës kishte shumë pak bashkëpunim apo rreshtim në të njëjtën llogore. Rusët kishin një prani ushtarake globale shumë më të zhvilluar, një nivel më të lartë ambiciesh për të imponuar ideologjinë e tyre tek të tjerët, dhe sigurisht edhe një ekonomi shumë më të madhe se sa kinezët.
Në atë kohë Kina ishte kryesisht e përqendruar tek vetja, duke u përpjekur shumë(dhe në fund duke pasur sukses) për ta nxjerrë shumicën e popullsisë së saj gjigante nga varfëria, dhe për të ndërtuar një ekonomi të tillë që mund ta mbështeste atë.
Nga fillimi i viteve 1960, dy fuqitë e mëdha komuniste ishin ndarë në mënyrë vendimtare. Por që atëherë bota ka ecur përpara, dhe sot po shohim afrim në rritje dhe shumë të shpejtë midis Moskës dhe Pekinit. Kjo gjë është parë së fundmi në mbështetjen e vendosur të Kinës për ndërhyrjen e udhëhequr nga Rusia në trazirat civile që kanë shpërthyer në Kazakistan javët e fundit. Por sa serioze është kjo marrëdhënie, dhe çfarë nënkupton për SHBA-në dhe aleatët e saj demokratikë?
Rusia dhe Kina, kanë të përbashkët një traditë të gjatë të sundimit autoritar dhe ideologjisë komuniste. Ato kanë një antipati të përgjithshme për çdo veprim ndërkombëtar që lejon ndërhyrjet në punët e brendshme të një shteti sovran, sidomos kur përfshin shkeljet e të drejtave të njeriut.
Kështu presidenti kinez Xi Jinping e ka siguruar udhëheqësin rus Vladimir Putin për “kundërshtimin e vendosur të Kinës ndaj çdo përpjekjeje nga forcat e jashtme, për të provokuar trazira dhe për të nxitur ndodhjen e “revolucioneve shumëngjyrëshe” në Kazakistan.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina dhe Rusia votojnë përgjithësisht në sinkron, duke vënë veton ndaj rezolutave për çdo gjë, nga Siria tek Venezuela, dhe deri tek Mianmari. Në rrafshin diplomatik, të dyja këto fuqi janë të interesuara për ndërtimin e organizatave të reja ndërkombëtare, si alternativa ndaj institucioneve të dala nga pakti Bretton Woods i udhëhequr nga Amerika pas Luftës së Dytë Botërore.
Këtu përfshihet Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive e përbërë nga 6 shtete ish-sovjetike (nën siglën e së cilës u krye ndërhyrja ndërkombëtare në Kazakistan), Organizata e Bashkëpunimit e Shangait (grupimi joqeveritar më i madh në botë bazuar tek popullsia e shteteve anëtare) dhe Organizata e re Ekonomike Gjithëpërfshirëse Rajonale, një grupim shtetesh aziatike që promovon tregtinë e lirë.
Pastaj janë edhe marrëdhëniet ushtarake në rritje midis Rusisë dhe Kinës. Stërvitjet më të mëdha ushtarake të kryera që nga fundi i Luftës së Ftohtë, janë zhvilluar pikërisht në kufirin mes Rusisë dhe Kinës në vjeshtën e vitit 2018.
Në stërvitjen “Vostok-2018”, u angazhuan mbi 300.000 trupa ruse dhe kineze, afro 40.000 automjete, 80 anije luftarake dhe mijëra avionë, helikopterë dhe dronë. Xi dhe Putin morën pjesë që të dy në monitorimin e tyre.
Fotot propagandistike të ushtarëve rusë dhe kinezë që përqafohen me njëri-tjetrin pas stërvitjeve të përbashkëta janë mbresëlënëse. Anijet luftarake ruse dhe kineze stërviten zakonisht së bashku, dhe jo vetëm në Paqësorin Verior ku edhe mund të pritej.
Trupat e tyre janë të rreshtuara së bashku në Mesdheun Lindor, Atlantikun e Veriut dhe Detin Baltik, në zemër të Evropës. Në hapësirë, rusët dhe kinezët njoftuan kohët e fundit nisjen e një misioni të përbashkët për të vendosur një stacion të drejtuar nga Hëna.
Natyrisht midis tyre ekzistojnë edhe fusha ku ka mosmarrëveshje dhe konkurrencë. Për shembull, këto dy fuqi nuk janë në të njëjtën linjë për sa i përket ndryshimeve klimatike. Kina mban një qëndrim më të prirur për të ecur me shpejtësi përpara në frenimin e emetimeve të karbonit në atmosferë.
Putini dëshiron që të lidhë sa më fort me Rusinë ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, ndërsa Kina synon të zgjerojë marrëdhëniet ekonomike dhe të sigurisë me shumë prej këtyre vendeve. Gjithashtu Pekini po nxiton të forcojë ndikimin e tij në Afganistan pas tërheqjes së SHBA-së, teksa Rusia është dukshëm më pak e prirur për t’u angazhuar me këtë vend,duke pasur parasysh historinë e hidhur 4 dekada më parë.
Por në kuptimin gjeopolitik, të dyja këto vende e plotësojnë njëra-tjetrën. Kina ka një popullsi të madhe, mungesë burimesh natyrore jetike si nafta, një ekonomi të fuqishme dhe të larmishme, si dhe ndikim të fortë në pjesën më të madhe të Azisë Lindore dhe Afrikës Sub-Sahariane.
Ndërkohë Rusia ka një popullsi në rënie të shpejtë, burime të mëdha natyrore në naftë dhe gaz, një ekonomi të larmishme por të dobët, si dhe një ndikim të fortë në pjesë të Evropës, Azisë Qendrore dhe Kaukazeve. Së bashku, ato përbëjnë një çift të mrekullueshëm.
Nga perspektiva e SHBA-së dhe Perëndimit, kjo aleancë në zgjerim e sipër përbën arsye për t’u alarmuar, sidomos nëse Xi dhe Putin do të rrisin koordinimin e politikave, do të ndajnë bazat ushtarake, do t’i ofrojnë njëri-tjetrit lëshime ekonomike dhe do të shkëmbejnë teknologji ushtarake siç janë raketat hipersonike dhe armët kibernetike.
Lidhjet më të ngushta Kinë-Rusi do të kenë një ndikim të madh mbi një mori çështjesh të rëndësishme me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar, nga Tajvani dhe Ukraina, deri tek të drejtat universale të njeriut, dhe përhapja e armëve bërthamore nga Koreja e Veriut dhe Irani.
Në kundërpërgjigje, SHBA duhet t’i shtyjë demokracitë globale drejt unitetit të qëllimit, për t’u përballur me veprimet e njëanshme nga Moska dhe Pekini. Elementët kryesorë të strategjisë duhet të përfshijnë tërheqjen e Indisë në drejtim të Perëndimit nëpërmjet bashkëpunimit tregtar dhe ushtarak; forcimit të bashkëpunimit në sigurinë kibernetike midis teknologjive demokratike; ndërtimin e organizatave të reja të tregtisë së lirë; dhe forcimin e sigurisë dhe institucioneve shumëkombëshe si Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndërsa dy superfuqitë autoritare po afrohen më shumë më njëra-tjetrën, Perëndimi duhet t’u përgjigjet në mënyrë kolektive, duke filluar që me ndërtimin e një fronti të unifikuar përballë kërcënimit në rritje të Rusisë ndaj Ukrainës.
Shënim: James Stavridis, admiral në pension i marinës amerikane dhe ish-komandant suprem i trupave të NATO-s në Evropë.