MENU
klinika

Omicron dominant në vend

Brataj: Kush ka simptoma të izolohet

19.01.2022 - 14:03

Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj foli në “ABC Live” me gazetaren Sibora Bitri në lidhje me qarkullimin e Omicron në Shqipëri. Brataj tha se ka një arsye pse shumë persona që mund të jenë të prekur nga ky variant rezultojnë negative pas testeve të kryera, pasi këto janë krijuar për të detektuar format e para të virusit.

Ai u shpreh se çdo person që ka simptoma duhet të izolohet . Në lidhje me përhapjen e Omicron, Brataj shtoi se sa më shumë viruse të tjera të jenë në terren, domethënë që ky variant është duke u zhdukur

“Është folur gjithmonë për forma të ndryshme dhe teste të ndryshme. Por nga një variant në tjetrin ndryshon ndjeshmëria ndaj tamponit pasi ai është krijuar për format e para të virusit. Fakti që del negativ nuk duhet ta përjashtosh. Nëse ke simptoma gripi nuk duhet të shkosh në punë sepse ngjitës është edhe gripi. Duhet të mendojmë gjithmonë që kemi Omicron. Diagnozat janë në klasifikimin ICD10. Raporti është i lidhur me mjekun e familjes dhe specialistin. Deri në 14 ditë është e drejta e mjekut të familjes.

Pastaj të këshillon specialist. Vitin e kaluar ishte variant Delta që kishte një virulencë më të lartë që nuk linte asnjë lloj virusi tjetër. Omicron ka formën e lehtë por karakteristikat janë të ndryshme. Sa më shumë viruset e tjera të marrin terren domethënë që Omicron është duke u zhdukur. Një person që nuk ka bërë vaksinën dhe nuk do ta bëjë, vazhdon t’i qëndrojë idesë së tij. Shumica ose format e lehta thonë do kalojë”, u shpreh Brataj.

Ai tha se përgjatë këtyre kohëve janë rritur numrat e vizitave në banesë por në krahasim me vitin e kaluar ka një rënie të të shtruarve në spital.

“Kur mbërrijnë komplikimet atëherë kërkohet ndihmë. Te ne janë rritur numrat e vizitave në banesë. Nga 90 vizita, 37 kanë përfunduar në spital. Numri i të shtruarve na lë më të qetë por nuk kemi kapur pikun e Omicronit. Fakti i përhapjes është se kap të gjithë. Si ai që është i vaksinuar si ai që është i pavaksinuar.

Ai që e ka kaluar dhe është vaksinuar, mundësia më e madhe është që nuk do të humbasë jetën dhe nuk do të shtrohet në spital. Jemi në fazën ngjitëse të kësaj vale që mendoj se fillimi i shkurtit do të jetë piku i kësaj pandemie. Do të ketë një rënie pastaj. Siç po ndodh në disa zona që e kanë kaluar pikun”, deklaroi ai.

Brataj nënvizoi se në prag të ndërrimit të viteve ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të të vaksinuarve. “Për fatin e mirë fundi i vitit pati një rritje të personave të vaksinuar. Me dy doza është 49% ose 38 për të gjithë popullsinë. Nuk janë shifra të vogla po t’i krahasosh me vende të tjera”, tha ai.