MENU
klinika

Kryeministri Petkov: Kjo zgjidhet...

Bullgaria do të heqë veton për Maqedoninë e Veriut?

03.01.2022 - 13:45

Kryeministri i ri bullgar, Kiril Petkov, ka dhënë sinjale pozitive lidhur me zgjidhjen e ngërçit me Maqedoninë e Veriut sa i përket vetos së Bullgarisë. Petkov u shpreh se mosmarrëveshjet mes dy vendeve zgjidhen vetëm pasi palët të ulen për të dialoguar.

Kryeministri i Bullgarisë, Kirill Petkov, ka dhënë një intervistë për një televizion bullgar ku ka folur për veton ndaj Maqedonisë së Veriut për çështjen e historisë dhe identitetit.

Petkov u shpreh se të dyja qeveritë duhet të ulen për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Petkov: Heqja e vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut është funksion i punës që duhet ta bëjnë qeveritë e dy vendeve dhe të arrihet progres në të gjitha pikat e rëndësishme.

Kryeministri bullgar shpreson se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut duhet të jenë në rend të parë.

Petkov: Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore duhet të jenë në radhë të parë, por kjo, kërkon shumë punë nga të dyja palët. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë bashkërisht

Petkov u pyet edhe për ndikimin rus në marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut përmes filmit ‘Një fe, një gjuhë’.

Petkov: Tezat e paraqitura në filmin rus janë kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sofja është shprehur kundër filmit dhe se përveçse nuk e miraton e kritikon atë fuqishëm. Bullgaria nuk mund të qëndrojë indiferente kur dikush dëshiron të rrezikojë historinë bullgare.

Filmi rus i cili u shfaq në Maqedoninë e Veriut si premierë solli edhe polemikat mes Rusisë dhe Bullgarisë.

Në film cilësohej se alfabeti sllav është maqedonas dhe se shenjtorët Kirill dhe Metodi e studentët e tyre nuk kishin asnjë lidhje me Bullgarinë.