MENU
klinika

Prokuroria kërkon 25 vite burgim për Izet Haxhinë

Çfarë thotë ish-truproja i Berishës për vrasjen e Hajdarit

07.01.2022 - 10:30

Pas rigjykimit, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Izet Haxhinë, për rolin e tij në vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998.

Seanca në Gjykatën e Tiranës ndaj Izet Haxhisë ka nisur me tone të ashpra, pasi avokati i tij është shprehur se ka edhe prova të tjera, të cilat duhen shqyrtuar dhe që, sipas tij, nuk janë marrë parasysh nga gjykata. Kjo ka sjellën edhe revoltimin e Izet Haxhisë, i cili ka braktisur sallën e gjyqit. Pas largimit të Izet Haxhisë, prokurori i çështjes ka rindërtuar për 2 orë të gjithë ngjarjen e 12 shtatorit të vitit 1998 ku mbeti i vrarë lideri i Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Azem Hajdari.

Në rindërtimin e ngjarjes, prokurori ka treguar se si u vra Hajdari dhe se cili ishte roli i Izet Haxhisë në vrasjen e shekullit. Pasi ka lexuar dosjen hetimore, prokurori Drian Nushi kërkoi deklarimin fajtor të Haxhisë për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes ne rrethana cilësuese” të një funksionari publik, si dhe për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, të Besim Çerës, ish-truprojë e Hajdarit, si dhe për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Zenel Nezës, ish-truprojë e Hajdarit. Në mbledhjen e të gjitha dënimeve, prokurori kërkoi burgimin prej 25 vitesh për Haxhinë.

NGA ARRATIA, TE RIKTHIMI NË BURG

Një nga emrat më të përfolur dhe të kërkuar nga drejtësia shqiptare, Izet Haxhia, përreth 17 vite ka qëndruar jashtë Shqipërisë. Në vitin 2006, ai u arrestua në Turqi, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar. Ekstradimi i tij zgjati për vite të tëra dhe Haxhia mbërriti në Shqipëri pas 12 vitesh. Haxhia u ekstradua në maj 2018, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për rigjykimin e tij, duke rrëzuar dënimin e mëparshëm nga gjykata.

ÇFARË THOTË HAXHIA PËR VRASJEN E HADJARIT

Izet Haxhia e ka mohuar që ai të ketë rol në vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari në 12 shtator 1998. “Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD-së ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD-së. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin”, mësohet të jetë shprehur në gjyq Haxhia. Sipas Izet Haxhisë, vrasjes së bujshme i parapriu një takim i datës 1 shtator të vitit 1998, midis vetë Azem Hajdarit dhe Muharrem Haklajt.

Haxhia shprehet se Azem Hajdari e kishte informuar Muharrem Haklajn se urdhri për vrasjen e djalit të tij kishte ardhur nga zyra e katit të dytë, duke nënkuptuar Sali Berishën. Madje, ish-truproja i Sali Berishës ka pretenduar se dispononte edhe një kasetë të regjistruar në mitingun e 21 qershorit. Për të siguruar këtë kasetë, Fatmir Haklaj i kishte kërkuar Izet Haxhisë që ta ndihmonte për të takuar Myftar Lumneshin dhe Dem Dollapin, takim i zhvilluar në një lokal në zonën e Linzës, i cili shërbente edhe si bazë e Shërbimit Informativ Shtetëror. Izet Haxhia ka deklaruar se takimi nuk u arrit të realizohej pasi Lumneshi kishte udhëtuar me Azem Hajdarin drejt Fierit. Sa i përket ditës së ngjarjes, Haxhia është shprehur se ndodhej në një bilardo pranë shtëpisë, kur mbërriti një makinë që drejtohej nga Jaho Mulosmani dhe në të ishte edhe Halil Haklaj. Ai pretendon gjithashtu se nuk është përfshirë në vrasjen e Hajdarit dhe se duhet të dënohet vetëm për përfshirjen në ngjarjet e 14 shtatorit, pasi ka sulmuar me armë institucionet