MENU
klinika

Qytetet që parashikohet të preken!

Çmimi i ujit, Enti Rregullator i Ujit miraton formulën e re

27.01.2022 - 13:44

Enti Rregullator i Ujit ka miratuar metodologjinë e re të përllogaritjes së tarifave të ujit, duke paralajmëruar edhe rritje të tyre në disa qytete. Vendimi i ri parashikon vendosjen e tarifave nën metodën “çmimi tavan”, që parashikon që nga pagesat e ujit, të mbulohen jo vetëm nevojat për t ë ardhura të shoqërisë, për mbulimin e kostove të operimit, por edhe mbulimin e kostove të investimeve që kryhen nga ujësjellësit.

Sipas Entit Rregullator të Ujit, metodologjia e re e vendosjes së tarifave ka si qellim një rregullim me efektiv të sektorit me anë të tarifave të shërbimeve, si edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve. Kjo metodë synon përmirësimin në periudhën afatmesme të shërbimeve me një ndërlidhje efektive çmim (tarife) – cilësi të shërbimeve, duke nënkuptuar se kostot për rritjen e cilësisë duhet të paguhen nga qytetarët. Kjo formë përllogaritjeje e çmimit do të filloje të aplikohet gradualisht në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, kryesisht me shoqëritë, të cilat aktualisht mbulojnë mbi 100% të kostove të operimit dhe mirëmbajtjes, me anë të tarifave.

Referuar raportit vjetor të fundit të ERRU-së, në këto shoqëri përfshihen: ujësjellësit në: Tiranë, Korçë, Berat-Kuçovë, Lezhë, Pogradec, Kukës, Librazhd, Mat, Ersekë dhe Tropojë. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve në jo pak raste janë akuzuar për keqmeaxhim, ndërkohë që pavarësisht reformës të ndërmarrë para disa vitesh, nuk kanë arritur të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për t’u vetëfinancuar, duke vazhduar të jenë të variuar nga subvencionet e qeverisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjatë vitit 2020, këto institucione morën në total 712.7 milion lekë subvencione apo 99% të buxhetit të planifikuar. Paralelisht, të dhënat në sector për ujin pa të ardhura, si dhe humbjet në rrjet janë tejet të larta.