MENU
klinika

“Ultimatumi” i Berishës për 5 janarin

Çollaku: E trishtueshme thirrja e miqve të mi demokratë për të pushtuar godinën e PD

02.01.2022 - 20:48

Deputeti i PD Kreshnik Çollaku thotë se thirrja e disa deputetëve të PD, që ende i konsideron miq, për “të pushtuar dhe dhunuar selinë e PD” është e trishtueshme. Sipas deputetit të rreshtuar krah Bashës, ultimatumi i Berishës për lirimin e zyrës deri më 5 janar është një dhuratë e pamerituar për Edi Ramën.

Në një intervistë për RTV Ora, Kreshnik Çollaku tha se palët duhet t’i thërrasin arsyes. Edhe nëse bashkëjetesa nuk është e mundshme, ai u shpreh se ndarja duhet të jetë e qytetëruar dhe të mos damkosin me turp partinë.

“Të përpiqemi të qëndrojmë bashkë duke pasur ide të ndryshme por edhe nëse vlerësojmë se nuk mund të rrimë dot bashkë se jemi aq të ndryshëm ka mënyra civile, të qytetëruara që të ndahemi në mënyrë të qytetëruar.Është e trishtueshme, do të desha të ishte një ëndërr e keqe thirrja e disa miqve të mi dhe të tjerëve këtu për të pushtuar, dhunuar demokratët apo selinë e PD.

Të gjithë e dinë as në 5, as në 8 as në 18 asgjë nuk ndodh se partia ka institucione. Të krijohet një provokim i tillë i shëmtuar do të ishte një dhuratë e pamerituar për Edi Ramën, turpërim i PD. Sot që të shmangin këtë turp e kanë në dorë këta miqtë e mi, jo demokratët e mërzitur me Lulzim Bashën, me ne, jo ata që kanë firmosur, jo ata që kanë menduar se po bëjnë referendum, kuvend.

Sot këtë përgjegjësi e ka një grup 10-20 vetash që për karrierën e tyre, kënaqësitë dhe pakënaqësitë e tyre dhe Lulzim Bashën, disa e kanë të drejtë mërzinë me Lulzim Bashën por jo për këtë motiv. Ata e kanë në dorë ti thërrasin arsyes dhe ta shpëtojnë të gjithë bashkë këtë seli, këtë sigël, këtë parti nga një turp. Nëse akte të tilla ndodhin do të ishte turpërimi më i madh për këtë parti”, është shprehur deputeti i PD.