MENU
klinika

Analiza

Deri dje histori suksesi, çfarë ndodhi me Poloninë?

01.01.2022 - 09:25

Nga Karolina Wigura & Jaroslaw Kuisz “The New York Times

Jo shumë kohë më parë, Polonia shihej si shembulli më i suksesshëm i transformimit demokratik në Evropën Qendrore dhe Lindore, si një lidere në procesin e integrimit evropian. Siç shkroi në një rast komisioneri evropian Gunter Verheugen, ajo po shijonte, një “epokë të re të artë”.

Sot, ky vend është sërish në krye. Por vetëm se këtë herë, është në pararojë të shpërbërjes së vlerave evropiane dhe demokracisë. Qeveria, e udhëhequr nga Partia për Ligj dhe Drejtësi, ka zgjedhur përplasjen me Bashkimin Evropian, ka zgjedhur të godasë gjykatat e saj, ka hartuar dhe miratuar ligje që synojnë të pengojnë veprimtarinë e medias së pavarur, dhe ka marrë një qasje shumë të ashpër ndaj të drejtave të grave.

Po çfarë ka ndodhur me këtë vend? Përgjigja, të paktën pjesërisht, fshihet tek e kaluara e Polonisë. E privuar për shekuj me radhë nga pasja një shteti, dhe e mbikëqyrur nga fuqitë e jashtme, Polonia ka një ndjenjë traumatike dhe shumë nervoze për veten.

Qeveria aktuale është munduar ta kanalizojë atë ankth, duke iu kundërvënë emigrantëve, Brukselit por edhe liberalëve për të krijuar mentalitetin e fortesës. Pavarësisht pengesave të herëpashershme, siç është vendimi i presidentit polak për të vënë veton ndaj një projektligji të diskutueshëm mbi medias, ekzekutivi ka qenë përgjithësisht i suksesshëm.

Natyrisht ky vend nuk është i vetmi me politikën e tij të së djathtës radikale. Në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, ku shumë vende kanë historitë e tyre të pushtimit dhe sundimit të huaj, qeveritë apo lëvizjet politike nacionaliste janë të zakonshme.

Rajoni, eksperimentet e të cilit me nacionalizmin rezonojnë gjerësisht në të gjithë Perëndimin, është një lloj “laboratori”. Me përpjekje të përbashkëta midis grupeve opozitare, ky rajon ka ende shanse që të rikthehet tek liberalizmi dhe demokracia.

Por nëse doni të kuptoni se çfarë mund të ofrojë e ardhmja për Evropën, atëherë mjafton të shihni Poloninë. Aty do të gjeni diçka shumë të çuditshme. Megjithëse qeveria akuzohet shpesh dhe me të drejtë për nacionalizëm, zyrtarët priren të përdorin një term tjetër që tingëllon pak më mirë:”sovranitet”.

Në një fjalim të fundit mbajtur në Parlamentin Evropian, kryeministri Mateusz Morawiecki

e përsëriti tre herë këtë term në një fjali të vetme. “Ajo që nevojitet, është një vendim sovran për vendimet sovrane nga ana e shteteve anëtare sovrane”.

Ky mund të jetë edhe një problem i stilit të tij dobët retorik. Por theksi tek kjo fjalë nuk është i rastësishëm. Qeveria e paraqet vazhdimisht veten si një mbrojtëse të sovranitetit të Polonisë. Dhe shumë votuesve polakë duket se u pëlqen kjo qasje.

Pas 6 vjetësh në pushtet, partia në pushtet qëndron ende në krye të sondazhe, dhe në themel të mbështetjes afatgjatë ndaj saj janë traumat e së shkuarës. Në vitin 1795, Polonia u fshi

nga harta pas 800 vjetësh ekzistence, e ndarë midis Prusisë, Monarkisë Habsburgase dhe Perandorinë Ruse.

Për gati 2 shekuj, ëndrra për të rivendosur një shtet të pavarur, ishte në fokus të përpjekjeve intelektuale dhe politike të elitave polake. Midis 2 luftërave botërore pati një periudhë të shkurtër sovraniteti. Por ajo përfundoi me një traumë tjetër:shkatërrimin e plotë të shtetit polak në vitin 1939.

Pas luftës vendi u përfshi në sferën e dominimit të Bashkimit Sovjetik, duke përjetuar një pushtim që zgjati gjysmë shekulli. Pas vendosjes së demokracisë dhe pluralizmit në vitin 1989, Polonia e rifitoi sovranitetin e saj. Çështja ishte si ta garantonim atë.

Përpara kishim dy rrugë. E para ishte hyrja në një aleancë të ngushtë me Perëndimin, duke iu bashkuar edhe Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Arsyetimi ishte i thjeshtë: përkatësia në një klub ku kufijtë janë të dakordësuar dhe të pacenueshëm, sovraniteti i Polonisë – dhe e drejta e saj për formën territoriale dhe kufijtë shtetërorë – ishin të garantuara.

Kështu vendi nisi t’i bashkohej Perëndimit, dhe e bëri këtë me shumë sukses. Ekonomia u rrit, ndërsa Polonia zuri vendin e saj në “koncertin evropian të kombeve”, dhe qytetarët ishin kryesisht të bindur se Perëndimi do t’u sillte atyre jo vetëm siguri, por një jetë më të mirë.

Por kur vendi ishte integruar plotësisht, shumë prej tyre ishin të zhgënjyer. Lëvizja e lirë në të gjithë bllokun, çoi në një largim të atyre që ishin më të arsimuar, duke lënë pas një popullsi të plakur me një sistem të pamjaftueshëm të kujdesit shëndetësor.

Për punëtorët, pagat mesatare mbetën shumë të vogla në krahasim me qytetarët perëndimorë.

Duke përfituar nga zhgënjim i votuesve, lideri i Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), Jaroslaë Kaczynski artikuloi me mjeshtëri rrugën e dytë për sigurimin e sovranitetit. Sipas tij, Polonia duhet të ndiqte shembullin e shtetit që ishte ndërmjet luftërave, e njohur edhe si Republika e Dytë, që rivendosi sovranitetin e Polonisë pas Luftës së Parë Botërore.

Ishte qartazi një propozim shumë tërheqës, pasi partia e tij fitoi shumicën në zgjedhjet e vitit 2015. Por u anashkalua enkas një aspekt themelor i Republikës së Dytë. Ajo u themelua pas një grushti shteti të ndodhur në vitin 1926, pra ishte në thelb një shtet autoritar.

Demokracia dhe shteti i së drejtës vinin të dytat në rëndësi, pas një projeksioni muskulor të sovranitetit. Në 6  vitet e saj në pushtet, PiS e ka treguar veten si trashëgimtare të denjë të asaj tradite. Ajo ka vendosur nën kontroll institucionet kryesore – arsimin, median publike, gjyqësorin – dhe e ka kundërshtuar hapur Brukselin.

Që nga viti i kaluar, përplasja është përshkallëzuar ndjeshëm. Në kundërpërgjigje ndaj masave që vendosi BE-ja ndaj Polonisë, për shkak të planeve të kësaj të fundit për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit, qeveria polake e ka ashpërsuar retorikën e saj mbi temën e sovranitetit.

Gjatë krizës së fundit në kufirin me Bjellorusi, ku mijëra emigrantë tentuan të hynin në Poloni, qeveria polake tregoi se si mund të jetë të mbetesh vetëm. Ajo e refuzoi ofertën e Brukselit për ndihmë, dhe nga ana tjetër refuzoi të pranonte refugjatët që arritën të depërtojnë në territorin e saj.

Për momentin, kjo qasje po funksionon:shumica e njerëzve po e mbështesin reagimin e qeverisë. Por e gjitha kjo vjen me një kosto. Izolimi në rritje i vendit – të cilin qeveria e shet si një shenjë të pavarësisë së Polonisë – po e ekspozon Varshavën ndaj ndikimit të Moskës, diçka që zyrtarët nuk duan ta pranojnë.

Situata në Ukrainë, na krijon një ide se ku mund të çojë kjo rrugë. Për të shmangur pushtimin, presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar ndër të tjera, që NATO të kufizojë vendosjen e trupave në vendet postkomuniste, përfshirë Poloninë. Perspektiva për të rënë edhe një herë nën tutelën ruse, është shumë e mundshme.

Gjithsesi, tani për tani qeveria duket se po shfrytëzon një ndjenjë të përbashkët që gjallon

në mbarë Perëndimin. Sovranizmi, si parim organizues i veprimit politik, është kthyer në skenën politike të shumë vendeve. Në Britani dhe Amerikë, thirrjet për të rikthyer lavdinë e dikurshme kombëtare çuan në miratimin e Brexit dhe presidencën e Donald Trump.

Në Evropë, Kaczynski në Poloni dhe kryeministri Orban në Hungari, janë figura frymëzuese për të djathtën ekstreme, duke shërbyer si shembull për Eric Zemmour dhe Marine Le Pen në Francë, dhe Matteo Salvini dhe Giorgia Meloni në Itali.

Me gjithë dallimet e tyre specifike, këta politikanë ndajnë një projekt të përbashkët:të forcojnë pakënaqësitë kombëtare, në kurriz të kohezionit kontinental. Nëse do të jenë të suksesshëm, ata mund t’i japin fund modelit perëndimor të demokracisë liberale siç e njohim ne sot. Dhe në rast se nuk mund ta kanalizoje sovranitetin e saj në një bashkëpunim demokratik, Polonia mund të shndërrohet në një shtet tërësisht autokratik