MENU
klinika

Nga Mero Baze

Dorëzimi i Berishës para 6 marsit dhe vetmia e madhe e aleatëve

21.01.2022 - 19:38

Nga Mero Baze

Më në fund Sali Berisha u detyrua të dorëzohet. Ai dhe mbështetësit e tij, kanë pranuar se do të shkojnë në zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashki, me një listë të tyren. Ky është “de facto” hapi i parë i krijimit të partisë së Berishës, pas dështimit për të marrë me dhunë Partinë Demokratike.

Skema më fatlume e Berishës që të maskojë dorëzimin e tij, do të ishte krijimi i një koalicioni i disa partive, për të mbështetur një listë kandidatësh. Kjo do t’i jepte mundësi Berishës të shmangte krijimin me letra të partisë së re dhe ta shtynte atë për një kohë të dytë.

Por për këtë i duhen aleatë që të fusin siglat e partisë së tyre në aleancë me Berishën.

Të parët që mund të afrojë Berisha në këtë aleancë janë ish- aleatët e PD në zgjedhjet e fundit, konkretisht Shehi, Dule, Duka, Ndoka, Mediu dhe Idrizi.

Nga këta, Shehi ka qartësuar pozicionin e tij, që është për një koalicion që bashkon gjithë opozitën dhe jo me një nga palët në opozitën e ndarë. Pak a shumë e ka lënë derën hapur për të ikur nga koalicioni i Bashës, me Berishën, është edhe Agron Duka.

Vangjel Dule nuk ka ndonjë interes të përfshihet në këto zgjedhje, se nuk ka votues në ato zona. Partia çame e Shpëtim Idrizit, po ashtu e ka të vështirë të identifikohet me Berishën në këto zgjedhje, edhe pse në një prej bashkive, atë të Rrogozhinës, ka një komunitet çam, por që ndikimin mbi ta e kanë rivalët e Idrizit.

Në finale Berisha ka shanse të bëjë aleancë vetëm me LSI dhe parti të parëndësishme për këto zgjedhje, si republikanët, demokristianët apo parti inekzistente.

Më dëshpëruese se sa mos uzurpimi i selisë së PD, për Berishën do të jetë braktisja dhe nga aleaët për t’u bashkuar në një koalicion me të.

Intervista e ditës së djeshm e ambasadores së SHBA në Tiranë, ishte një paralajmërim serioz për këdo që mendon se mund ta trajtojë Berishën si gjithë politikanët e tjerë, duke injoruar faktin që ai është dizajnuar nga SHBA si minues i demokracisë dhe është akuzuar për korrupsion domethenës dhe shantazh mbi drejtësinë.

Takimi i sotëm në Laç, në një nga bastionet e PD, provoi se ekziston një shumicë e heshtur në PD që mbushin sallat pro Bashës dhe shmangin kacafytjet me kamikazët e Berishës, që duan të imponohen me dhunë.

Nga gjithë “faktorët” opozitarë, vetëm Ilir Meta dhe Fatmir Mediu mund të ofrojnë një strehë për Sali Berishën, pasi të dy nuk kanë çfarë humbasin më. Kjo do jetë në finale dhe vendi dhe aleancat që do të prodhojë Berisha në të ardhmen në politikën shqiptare.

Me Berishën do të shkojnë vetëm ata që nuk kanë çfarë humbasin më. Të tjerët që duan të fitojnë, do jenë në anën tjetër.