MENU
klinika

Temat kyçe që do të diskutohen

Escobar e Lajçak sot në Kosovë, dialogu dhe Asociacioni

31.01.2022 - 08:54

I Dërguari Special për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, do të vijnë në Kosovë, raporton Express

Sipas analistëve, takimi do të koncentrohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes dy palëve, teksa theks i veçantë do t’i jepet edhe vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Lajçak në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet mirëpo askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre.

Lajcak ka treguar edhe arsyen pse ai do të marrë si “përforcim” Gabriel Escobarin në këtë takim, si dhe në një vizitë të njëjtë në Beograd. Ai ka thënë se kanë lidhje të ngushta me administratën Biden dhe se me Escobarin janë në kontakt të ngushtë gjatë gjithë kohës.

“Ne punojmë shumë ngushtë me administratën e Joe Biden-it. Jemi në kontakte të rregullta dhe të afërta me Gabriel Escobar-in. Kjo do të jetë mundësia e parë për të udhëtuar në Prishtinë dhe Beograd bashkë. Qëllimet e këtij takimi mund të them se janë tri. E para, për ta treguar mesazhin e unitetit, për të treguar se dialogu është i ndërmjetësuar nga BE’ja dhe i mbështetur nga ShBA’ja. E dyta, për të dëgjuar nga partnerët dhe për të diskutuar me ta se si të ecim përpara me procesin dhe, e treta, për të diskutuar disa çështje aktuale.”, ka thënë ai për Gazetën Express.

Edhe Escobar në një intervistë për Reporterin ka thënë se marrëveshjet e arritura duhet të respektohen.

“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës”, tha Escobar.

Në mes të tjerash, nga kjo vizitë, sipas njohësve të procesit të dialogut, do të kërkohet prej palës kosovare zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, me theks të vecantë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas profesorit universitar, Dritëro Arifi, kërkesat e Lajcak dhe Escobar në raport me Kosovën do të jenë të unifikuara, ndërsa thotë se ShBA janë të interesuara që ta përshpejtojnë dialogun.

Arifi tutje shprehet se kërkesat do të jenë edhe për probleme të tjera , pos Asociacionit.

Arifi beson se, përkundër kërkesës për dinamizim të dialogut, ky i fundit nuk do të avancojë deri kur të kryhen zgjedhjet në Serbi.

Cështja e dialogut në mes të dy vendeve ka mbetur pezull që nga viti i kaluar, kur tensionet politike Kosovë – Serbi filluan që të rriteshin./Express

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë