MENU
klinika

Franca: Dy vendet s’duhet të ndahen

“Vetoja bullgare për M. e Veriut duhet të ndalojë dhe Shqipërinë…”

03.01.2022 - 12:48

Ambasadorja e Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq, në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes” në Euronews Albania tha se mendon që nuk duhet të ketë ndarje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

“Në lidhje me këtë çështje, mendoj se duhet ta tejkalojmë idenë se dy vendet mund të veçohen. E di se shumë thonë se meqë gjërat nuk po shkojnë mirë për Maqedoninë e Veriut për shkak të Bullgarisë, atëherë duhen ndarë.

Kjo duhet tejkaluar dhe ne duhet të bëjmë maksimumin në mënyrë që të mbahen dy konferencat ndërqeveritare në të njëjtën kohë”, tha ajo.

Tirana dhe Shkupi për vite me radhë po presin nisjen e bisedimeve dhe sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, dy shtetet kanë përmbushur të gjitha kushtet.

Por, Bullgaria, shtet anëtar i Bashkimit Everopian, e ka bllokuar këtë proces për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Maqedoninë e Veriut sa i përket historisë dhe gjuhës.

Për shkak se disa shtete po refuzojnë që të ndajnë Shqipërinë nga paketa me Maqedoninë e Veriut, edhe nisja e negociatave me Tiranën është bllokuar.

Në anën tjetër, Franca ka marrë më 1 janar kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një Evropë më të fortë, sovrane dhe të bashkuar.

Macron për një kohë të gjatë ka kërkuar që BE-ja të jetë fuqi më e fortë botërore, teksa ka kërkuar që 27 shtetet e bllokut të jenë më të bashkuara.

Por me sa duket, Shqipëria do të vazhdojë të jetë peng i të tjerëve. Këtë radhë i Maqedonisë së Veriut.