MENU
klinika

Sondazhi i fundit

Gara presidenciale rrezikon ta zhysë Italinë në krizë politike

15.01.2022 - 13:00

Nga Hannah Roberts “Politico.eu

Ekuilibri i brishtë politik në Itali po lëkundet. Vendi po i afrohet me shpejtësi datës24 janar, kur parlamenti duhet të nisë procedurat për zgjedhjen e një president të ri, një figurë që sipas Kushtetutës qëndron mbi politikën dhe që ka shumë pushtet,përtej kompetencës për të emëruar kreun e qeverisë italiane.

Por klasa politike italiane nuk po bie dot dakord se kush duhet të jetë ai person. Zgjedhjet janë zakonisht një proces i errët në këtë vend. Ato përfshijnë votime të fshehta, që i paraprijnë marrëveshjeve të minutës së fundit midis figurave politike më të njohura.

Por deri tani, udhëheqësit politikë po hasin shumë vështirësi në gjetjen e një konsensusi, por edhe në bindjen e anëtarëve të partisë për të mbështetur linjën zyrtare në raport me këtë çështje. Ndërsa e majta e ka dominuar presidencën për dekada të tëra, një aleancë e krahut të djathtë ka aktualisht më shumë vota.

Kjo do të thotë se ata duhet të jenë në gjendje që të diktojnë emrin e presidentit të ri. Megjithatë 85-vjeçari Silvio Berlusconi, 3 herë kryeministër i Italisë, ka penguar deri më tani zhvillimin e çdo lloj negociate të frytshme, duke bërë fshehurazi fushatë për veten, dhe duke shkelur traditën teksa kërkon një rikthim të fundit në majën e pushtetit.

Pastaj pretendenti tjetër është kryeministri aktual Mario Draghi, pesha dhe prestigji ndërkombëtar i të cilit do t’i shërbente mirë Italisë në postin e kreut të shtetit. Por brenda parlamentit, ku interesi vetjak dhe aleancat fluide mund t’i tejkalojnë idealet e larta, opozita druhet se kalimi i Draghit nga kryeministër në president, mund të sjellë shpërbërjen e koalicionit qeverisës, duke çuar kësisoj në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Një sondazh i fundit mbi deputetët italianë, tregoi se vetëm 1 në 3prej tyre ishte gati të votonte për Draghin si president. Edhe pranimi i heshtur nga vetë kryeministri se ai mund të bëhet presidenti i ardhshëm, po e dëmton kohezionin e shumicës qeverisëse dhe aftësinë e saj për të vepruar.

Rezultati është një vend që po shkon sërish drejt ngërçit politik, pasi ky proces po nxjerr në pah përçarjet që e kishin penguar jo pak politikën italiane përpara se Draghi, një bankier jashtë politikës, të merrte pushtetin në shkurtin e vitit 2021 për të drejtuar një qeveri të unitetit kombëtar.

Dhe çdo pasiguri politike e nxitur nga zgjedhjet e parakohshme, mund të kërcënojë aftësinë e Italisë për të miratuar reformat e kërkuara nga BE-ja, që janë një kusht që vendi të marrë fonde e përcaktuara për rimëkëmbjen nga pandemia.

“Partitë janë tashmë të ndara në fraksione, dhe është e vështirë që liderët të qëndrojnë të bashkuar. Gara presidenciale po i bën këto ndarje edhe më të dukshme pasi udhëheqësit nuk mund të kandidojnë emrat që duan”-thotë Francesco Clementi, profesor në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Peruxhias.

Presidentët italianë shërbejnë për një mandat 7-vjeçar, dhe zakonisht nuk kërkojnë të rizgjidhen për një mandat të dytë. Presidenti aktual Sergio Mattarella, ka deklaruar se do ta ndjekë këtë traditë, dhe do të tërhiqet pas zgjedhjeve të 24 janarit, pavarësisht dëshirës së disa segmenteve të politikës që ai të qëndronte për një mandat tjetër si një forcë stabilizuese.

Vendi i pritshëm vakant po e trondit panoramën politike. “Një mungesë e madhe e besimit dominon në gjithë sistemin politik, madje edhe midis liderëve partiakë, brenda aleancave ekzistuese dhe brenda çdo partie politike”- thotë Wolfango Piccoli, specialist i rrezikut politik në kompaninë e konsulencës “Teneo”.

Kjo situatë ka shtuar gjasat e rrëzimit të koalicionit qeverisës të Draghit, pavarësisht nëse kryeministri do të bëhet apo jo president, dhe kjo do të shkaktojë zgjedhje të parakohshme. Nëse kjo gjë ndodh, Lëvizja anti-establishment Pesë Yjet, ka të ngjarë të ketë më shumë për të humbur.

Kjo sepse një qeveri koalicioni e udhëhequr nga Pesë Yjet u rrëzua në fillim të vitit 2021, duke çuar në ngjitjen e Draghit, dhe ky grupim politik është zhytur në një krize identiteti teksa po përpiqet të ringrihet nën një udhëheqës të ri, ish-kryeministrin Giuseppe Conte.

Popullariteti i kësaj partie në sondazhe ka rënë që nga zgjedhjet e vitit 2018, ndërsa grupi i tij parlamentar po përballet me shkurtimin e planifikuar të numrit të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme, gjë që do të thotë se 2 në 3 ligjvënës nuk pritet t’i mbijetojnë zgjedhjeve të planifikuara për vitin e ardhshëm.

“Të gjithë po përpiqen të mbijetojnë. Lëvizja është natyrshëm anarkike, por për momentin është shndërruar në një xhungël ku secili sulmon secilin”- tha një burim i brendshëm brenda Lëvizjes Pesë Yjet. Në një përpjekje për të forcuar disi kredencialet progresiste të

partisë, Conte ka deklaruar vazhdimisht se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një grua, si një kundërpeshë ndaj një grupi kandidatësh që janë kryesisht të burra, politikanë të konsumuar dhe ish-kryeministra.

Megjithatë, jo të gjithë në partinë e tij janë dakord me këtë qasje. Duke injoruar hapur qëndrimin e Contes, një grup ligjvënësish nga kjo parti po bëjnë presion që Mattarella të qëndrojë për një mandat tjetër, duke e mbajtur Draghin si kryeministër.

Ndërsa presidenti aktual është shprehur vazhdimisht se nuk dëshiron të vazhdojë më në këtë detyrë, mbështetësit e tij shpresojnë që ai të ndërrojë mendje për shkak të interesit kombëtar, nëse dështojnë disa raunde votimit për të zgjedhur njërin nga kandidatët, dhe nëse në fund ka një konsensus të mjaftueshëm rreth presidentit aktual.

Kjo mosmarrëveshje, ka hapur një debat nëse Conte e ka humbur apo jo autoritetin brenda partisë së tij.“E vërteta është se as Conte dhe as Pesë Yjet nuk kontrollojnë më asgjë”-thotë ish-kryeministri Matteo Renzi, kreu i partisë centriste, Italia Viva.

Por një person i afërt me Conten, këmbëngul se ai qëndron ende në krye të procesit. “Bisedimet janë ende në një fazë të hershme dhe debati i brendshëm nuk i vuri në dyshim këto synime dhe as e tronditi besimin tek udhëheqësi”- theksoi ai.

Partia Demokratike e qendrës së majtë është një tjetër grupim që synon të ketë një zë të fortë mbi garën presidenciale. Në fillim kreu i saj, Enrico Letta, e mbështeti kandidaturën e Draghit. Por ai nuk mundi të bindte shumicën e deputetëve të partisë së tij, të cilët kishin frikë se Letta po kërkonte zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të pastronte deputetët e zgjedhur nën lidershipin e vjetër të partisë dhe t’i zëvendësonte ata me njerëzit e tij.

Kur disa fraksione brenda PD, e bënë të qartë se favorizonin një mandat të dytë të  Mattarella, Letta ndryshoi qëndrim këtë javë. “Mattarella do të ishte më i miri”- tha ai.

Ndërkohë e djathta është ndoshta edhe më e përçarë mbi këtë çështje. Berlusconi e ka ushqyer prej kohësh ëndrrën e tij për t’u bërë president, duke dashur të lërë pas vetes skandalin dhe festat e tij famëkeqe të seksit Bunga Bunga, dhe të çimentojë trashëgiminë e tij të dëshiruar si një burrë shteti me staturë ndërkombëtare.

Ndërsa ka shumë pak gjasa që ai të grumbullojë votat e nevojshme për të fituar, Berlusconi ka synuar të fitojë mbështetjen nga partnerët e tij në aleancën e krahut të djathtë. Por kjo mbështetje – nga aleatë si Giorgia Meloni, që drejton partinë e ekstremit të djathtë, Fratelli D’Italia, dhe Matteo Salvini i Legës populiste – ka qenë e vakët.

Pasiguria e vazhdueshme po e bën më të vështirë që Draghi të drejtojë koalicionin e tij qeverisës. Ministrat e Legës bllokuan së fundmi kërkesat e reja për vaksinimin e detyrueshëm ndaj koronavirusit, duke e sabotuar Draghin mbi një çështje – rregullat e pandemisë – ku ai kishte pasur më parë shumë konsensus.

Shumë ligjvënës mendojnë se nëse Draghi do të bëhet president, ata duhet të hartojnë një plan të besueshëm se kush mund ta pasojë atë si kryeministër, dhe që ta mbajë koalicionin të bashkuar deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Por nëse Draghi mbetet kryeministër – ndoshta me një riorganizim të kabinetit dhe një mandat të ri – mund të zgjidhet një president më i moshuar, i cili mund të mos shërbejë dot për një mandat të plotë7-vjeçar, gjë që krijon mundësinë që Draghi të bëhet president pas 1 ose 2 vitesh.