Gazetari Artan Hoxha bën me dije se autorët që ekzekutuan në Belgjikë 43-vjeçarin Bledar Muça dyshohet se janë marokenë.
“Dyshohet se autorët të jenë marokenë. Ideja është se vrasësit mund të mos kenë lidhje direkte por të jenë të kontaktuar për ta bërë këtë gjë. Dyshimet janë se autorët janë marokenë. Veprimet janë ende në fazën fillestare”, tha Hoxha në “Radarin Informativ” në Abc.
I ndjeri njihej me nofkën “bankomati”, pasi ishte personi kyç që sillte të ardhura për Çapajt. Artan Hoxha thotë se me vrasjen e tij i janë prerë krahët grupit të Çapajve, duke e konsideruar Bledarin më të rëndësishmin e klanit të tyre.
“Goditja e klanit Çapja ishte arritje e madhe e policisë. Bledar Muça njihej edhe me nofkën si bankomati, ishte i riu që prodhonte të ardhurat për klanin, që kishte njohjet. Ishte njeriu që sa herë hynte dhe dilte nga Shqipëria lëvizte me pasaportë britanike, ndërsa kur është vrarë i është gjetur pasaporta bullgare. Imagjino sa e vështirë është të gjurmosh personazhë të tillë.
Muça është personazh shumë i rëndësishëm dhe kjo është goditje shumë e rëndë për grupin. Ai siguronte fitimet që vinin nga trafiku në Britani. I është dhënë goditje shumë e rëndë. Është e përmasave të vrasjes së Arjan Spahiut. Dhe ai ishte njeriu që sillte të ardhurat. Pjesëtar i një prej grupeve të tjera që janë goditur në Elbasan. Sulmi ndaj Bledarit ka pasur qëllim të godasë njeriun kryesor që sillte të ardhurat për të përballuar dhe shpenzimet gjyqësore dhe për të mbajtur pjesën tjetër në aktivitet të organizatës dhe për të përballuar sulmet që i vinin ndaj kundërshtarëve”, tha gazetari.
Muça bashkë me Florenc Çapajn, të dy emra të njohur për policinë dhe të përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend, kryesisht në Elbasan, kanë ikur në Dubai së bashku.
“Unë kam një vit që kam sjellë fakte dhe nëse do ishin marrë parasysh nga autoritetet ai do gjendej i gjallë. Familja e Bledar Muçës është në Dubai. Ai është larguar me Florenc Çapjan atje. Çapja është në masë sigurie në emiratet e bashkuara. Në ngarkim të Bledar Muçës së fundmi s’ka pasur urdhër arresti, edhe pse vitin e shkuar aksidentoi një gardian burgu. Por s’pati përgjegjësi sepse rezultoi se gardiani ishte i dehur dhe i kishte prerë rrugën”.