MENU
klinika

Nga Mero Baze

Iluzioni i zgjedhjeve në betejën për Federatën e Futbollit

24.01.2022 - 21:10

Mund të ketë probleme etike dhe takti, debati në një mbledhje ku Erion Veliaj, në cilësinë e pronarit të klubit “Tirana”, kërkon vota dhe angazhim për shkarkimin e Armando Dukës. Nuk kemi vendosur ndonjë herë kamera në mbledhjet e ngushta ku flasin Armando Duka dhe mbështetësit e tij, që t’i krahasojmë në këtë pike, edhe pse ka pak rëndësi.

Në betejën për zgjedhjet e reja në Federatë problem nuk është mungesa e taktit të Erion Veliajt, apo kritikëve të tjerë të Armando Dukës. Problemi është që nuk ka zgjedhje.

Armando Duka po shkon drejt rizgjedhjes së gjashtë të tij, pa bërë kurrë garë. Shumë kryeministra dhe zyrtarë të shtetit, duke filluar nga Sali Berisha, kanë tentuar të ndërhyjnë në ndryshimin e rregullave të zgjedhjes së tij, por nuk ja kanë dalë.

Më 2006 Bujar Leskaj, në cilësinë e ministrit të Kulturës dhe Sportit, dështoi t’i diktonte një ligj të re zgjedhjesh Federatës. Në zgjedhjet e radhës, Bujar Leskaj ishte shkarkuar si ministër dhe Frangaj, që kishte fituar gjithë pushtetin pranë Berishës, e bëri Berishën aleat me “Dukën e krimit”.

Në zgjedhjet e parafundit, kur Bashkim Fino tentoi ta sfidojë, Armand Duka u kujtua se paska akoma njerëz që kanë iluzione ta mundin me votë. Dhe pas kësaj ndryshoi tërësisht ligjin e zgjedhjes së tij, duke e bërë atë një ligj që emëron Armando Dukën kryetar të përjetshëm të Federatës.

Në betejën kundër Armando Dukës, të gjithë janë në kurthin e një rregulloreje zgjedhjesh, që është një mekanizëm që nuk zgjedh, por emëron Armando Dukën.

Nervozizmi i Erion Veliajt është një pasojë e këtij kurthi që ka ngritur Armando Duka për të mos u prekur.

E vetmja gjë e rëndësishme në deklaratën e Veliajt është ajo për të cilën e sulmojnë më shumë, që thotë se “në këtë çështje duhet të hyjë SPAKu dhe drejtësia”. Kjo është e vetmja zgjidhje.

Vetëm vitin e fundit ka aq fakte flagrante abuzimi, sa Armando Duka e ka të sigurtë ndëshkimin ligjor. Mjafton të kujtojmë se ai ka paguar miliona lekë në llogarinë private të vajzës së presidentit të Tiranës, Refik Halili, meqë llogaritë e klubit të tij janë bllokuar nga përmbarimi, pra ka devijuar zbatimin e drejtësisë duke prodhuar dhe krim penal, dhe skandal financiar.

Mos të flasim për tenderat e tij të fundit plot konflikte interesi dhe shkelje të ligjeve shqiptare.

E vetmja e vërtetë që duhet të pranojmë është që në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk ka zgjedhje. Nuk ka pasur as më parë. E vetmja zgjidhje është që drejtësia të hetojë veprimtarinë antiligjore të Federatës dhe ta vendosë para ligjit kreun e saj, që nga abuzimet financiare, deri tek përgjegjësia për shitjen e ndeshjeve dhe qëndrimet klienteliste ndaj klubeve për diktimin e fituesit të kampionatit.

Vetëm prangat kanë larguar Blaterin, në krye të FIFA, Paltinin në krye të UEFA, së fundmi dhe presidentin e Federatës së Kroacisë dhe dhjetëra raste të tjera.

Pastaj mund të zgjidhet drejtuesi i ri.

Në këtë betejë, e vetmja gjë morale është në anën e atyre që duan të heqin Armando Dukën dhe e vetmja gjë antiligjore dhe amorale është në anën e atyre që duan të mbrojnë Armando Dukën, se sipas tyre është “hajdut i fortë,” që i ka rregulluar gjërat si i do vetë.

Kur banda e Armando Dukës mori drejtimin e Federatës me mbështetjen brutale të Fatos Nanos në vitin 2002, rivalin e tij, një nga veteranët e Federatës së Futbollit, Mehdi Bushati, as e llogariti që ishte rival, duke shkelur çdo rregull në emër të pushtetit të Fatos Nanos, që atëhere e kishte pjesë të “Klanit të Zemunit”, siç u thoshte Berisha.

Për ironi të fatit ata që mbrojnë Armando Dukën në tërësi janë mbështetës të Sali Berishës dhe “Foltores”, e cila lufton gjoja për zgjedhje të lira në PD dhe mbron një njeri dhe institucion që nuk bën kurrë zgjedhje. Kjo flet shumë për falsitetin e kauzës së tyre dhe për ëndrrën e tyre të vërtetë, për të qenë njerëz të paprekshëm gjithë jetën, dhe në karrike, dhe në pasuri. Si Armando Duka.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN