MENU
klinika

Ekonomia do rritet me 4.2% këtë vit

Instituti i Vjenës më optimist se BB për ekonominë shqiptare

28.01.2022 - 17:30

Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka publikuar projeksionet më të fundit për vendet e Europës qendrore, lindore dhe juglindore, mes të cilave gjendet edhe vendi ynë.

Sa i përket vitit aktual, projeksionet për rritjen ekonomike flasin për një normë pranë 4.2%, aq sa parashikohet rritja mesatare e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por, kjo normë është në rënie krahasuar me parashikimin e fundit të institucionit, që daton në muajin tetor të vitit të kaluar, dhe që fiksohej pranë 4.5%. Sa i përket vitit të ardhshëm, projeksionet flasin për një normë rritje ekonomike pranë 4%, lehtë mbi mesataren e parashikuar të rajonit.

Ndërkohë, për sa i takon vitit të kaluar, Instituti i Vienës sinjalizon një normë rritje të ekonomisë pranë 8.2%, nga 6.4% që projektonte në muajin tetor, si dhe 1.2 pikë përqindje mbi mesataren e rajonit. Nga ana tjetër, këto projeksione rezultojnë më të larta se ato të bankës Botërore, të publikuara në fillim të këtij viti.

Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare u rrit me 7.2% vitin e kaluar, ndërkohë që pritet të rritet me 3.8% këtë vit, dhe 3.7% vitin e ardhshëm.

Sa i përket normës së inflacionit ndërkohë, ajo parashikohet pranë 2.9% këtë vit, mbi vlerësimet e vitit të kaluar, çka sinjalizon një rritje edhe më të madhe të çmimeve. Norma e inflacionit ndërkohë, projektohet të zbresë në 11.1%, nga 11.3% që vlerësohej gjatë vitit të kaluar.