MENU
klinika

Ahmetaj me ministren gjermane

“Keqardhje për vonesën e hapjes së negociatave me Shqipërinë”

18.01.2022 - 11:51

Zv/Kryeministri Arben Ahmetaj ka shprehur keqardhjen për vonesën e hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Numri 2 i qeverisë këto komente i bëri gjatë konferencës për shtyp me ministren gjermane për Europën dhe Klimën, Anna Luhrmann, e cila zhvillon vizitë zyrtare në Tiranë ditën e sotme.

“Ndava me ministren atë ndjesi dhe shqetësimin që ka qeveria shqiptare për vonesën formale të hapjes së negociatave me Shqipërinë. I shpreha keqardhjen ministres se tashmë ne i kemi bërë të gjitha detyra e shtëpisë. Sot nuk ka asnjë vend anëtar i Bashkimit Europian që të ngrejë një problematikë me Shqipërinë, e cila ta pengojë hapjen formale të negociatave, e megjithatë megjithëse Komisioni ka 3 vite rresht që konfirmon se Shqipëria ka bërë detyrat e shtëpisë, akoma besoj në 6 muajt e ardhshëm shpresojmë që të kemi hapjen formale të negociatave.

E gjithë qeveria dhe administrata shqiptare konfirmon që jemi gati të kapim kohën e duhur menjëherë sa të kemi hapjen formale të negociatave. I kërkova ministres që Ballkani Perëndimor nuk mund të lihet si vakum për mundësi të lojërave të aktorëve të tjerë.

Hapja formale e negociatave jep një sinjal shumë të fortë për të rinjtë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i negociatave është reforma të thella sektoriale, pra në çdo sektor të jetës së vendit. Këto dy elementë e bëjnë integrimin europian strategjik për Shqipërinë”, u shpreh zv/Kryeministri Ahmetaj.