MENU
klinika

Zgjedhjet në 6 bashki

KQZ nxjerr afatet: Fushata nis më 19 shkurt

22.01.2022 - 09:14

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka bërë me dije afatet kohore të procedurave për zgjedhjet e pjesshme lokale. Janë gjashtë bashki të mbetura pa kryetar, ku qytetarët do t’ju drejtohen kutive të votimit në 6 mars.

“Bashkitë në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme dhe institucionet e tyre të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022”, sqaron KQZ.

Po ashtu njoftohet se fushata zgjedhore nis më 19 shkurt. “Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje fillon në datën 19 Shkurt 2022”, thuhet në njoftimin e KQZ.

Sakaq, partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme nga data 28 deri 31 janar 2022.

Sipas njoftimit, koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar, në KQZ brenda 24 orëve nga miratimi i të gjitha kërkesave për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesën për regjistrim si koalicion brenda 24 orëve.