Legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, a jemi në gjendje ta bëjmë siç duhet?
Nëse do ta konceptojmë ashtu si duhet, brenda standardeve e praktikave më të mira ndërkombëtare të këtij procesi dhe mbi të gjitha nëse do të jemi në gjendje ta menaxhojmë e kontrollojmë që ai të zhvillohet strikt e vetëm për qëllimin kryesor të tij, “përdorimin mjekësor”, kozmetik apo ushqimor, atëherë mund të shpresohet në përfitimet ekonomike që vijnë nga ky proces.
Por, nëse situata del nga kontrolli, përvetësohet dhe përdoret për qëllime e aktivitete joformale, klienteliste politike, mafioze apo narkotrafik, atëherë përfitimet ekonomike minimizohen shumë përballë dëmit të shumëfishtë që shkakton deformimi apo keqpërdorimi i legalizimit të kanabisit.
Është një debat, pikëpyetje dhe tentativë që ka të paktën mbi një dekadë që po zhvillohet në shkallë të gjerë në shumë vende të botës. Mendoj se është normale që të zhvillohet dhe në Shqipëri, qoftë edhe si nismë e qeverisë shqiptare për legalizimin e kanabisit mjekësor të kontrolluar nga Shteti.
Aktualisht, janë të shumta vendet që tashmë e kanë legalizuar kanabisin. Kanadaja dhe Uruguai kanë legalizuar përdorimin rekreativ të tij; Holanda ka një politikë mjaft tolerante ndaj përdorimit të tij; Gjermania duket se po bëhet gati që ta ndryshojë legjislacionin për t’i dhënë një status legal prodhimit dhe konsumit të kanabisit.
Ekipi i ri qeveritar i drejtuar nga social-demokrati, Olaf Scholz, është i gatshëm të “autorizojë shpërndarjen e kontrolluar të kanabis për të rriturit”, në SHBA megjithëse ligji federal e ndalon, konsumi rekreativ i tij lejohet nga 16 shtete përfshirë këtu dhe Uashington DC, përdorimi terapeutik i tij është i lejuar në 33 shtete nga 50; në Spanjë, prodhimi për konsum personal është i autorizuar ndërkohë që ndalohet tregtimi dhe konsumi publik i tij; në tetor 2021, Luksemburgu njoftoi vendimin për autorizimin e kulturës së kanabisit në ambiente private dhe konsumin privat të tij; Afrika e Jugut, në 2018 e konsideroi “antikushtetues” ligjin që ndalonte konsumin privat të kanabisit; Meksika e ka depenalizuar përdorimin e tij për qëllime rekreative; të njëjtën gjë kanë bërë dhe Kili në 2015, Kolumbia në 2016 si dhe Argjentina dhe Peruja; Maroku tashmë është duke autorizuar përdorimin mjekësor, kozmetik dhe industrial, por ndalon përdorimin rekreativ të tij; Libani ka autorizuar përdorimin e tij për qëllime mjekësore; Tailanda e ka legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore; etj.
Nga pyetja e shtruar për Këshillimin Kombëtar, duket se bëhet fjalë vetëm për “legalizimin e kanabisit mjekësor të kontrolluar nga Shteti”. Është e rëndësishme të nënvizohet ky fakt, sepse në shembujt e dhënë më sipër për praktikat dhe politikat në vende të ndryshme, tabloja e legalizimit të kanabisit është mjaft më e larmishme dhe përmban shumë elemente.
Bëhet fjalë për: autorizimin dhe përdorimin e tij për qëllime rekreative; depenalizimin e tij, pra, mosdënimin e personave apo kompanive që e prodhojnë apo individëve që e konsumojnë atë; lejimi i kultivimit të tij në ambiente private dhe konsumi individual po në ambiente private i tij; lejimi i blerjes së tij në farmaci apo dyqane të autorizuara në një numër të kufizuar gramësh, 30-50 gramë vetëm për personat adultë; autorizimi i bizneseve të ndryshme private për prodhimin dhe tregtimin e tij; shpërndarje e kontrolluar e kanabisit dhe konsumi i tij nga të rriturit vetëm në ambiente të autorizuara dhe të survejuara; prodhim i autorizuar dhe i kontrolluar dhe përdorimi i tij vetëm për qëllime terapeutike e mjekësore; përdorim legal dhe i autorizuar i tij vetëm për turistët në qytete apo qendra të ndryshme turistike etj.
Nëse në rastin e Shqipërisë bëhet fjalë dhe mendohet që nisma e qeverisë dhe pyetja e shtruar publikisht në kuadrin e Këshillimit Kombëtar të jetë e kufizuar vetëm për legalizimin e kanabisit mjekësor të kontrolluar nga shteti, mendoj që është një hap modest për gjithë kuadrin që përfshin nocioni dhe praktikat e “legalizimit të kanabisit”. Aq më tepër që kërkesat e tregut europian, por edhe më gjerë për kanabis për qëllime mjekësore janë të konsiderueshme, çka nënkupton të ardhura suplementare nga eksporti i tyre.
Është një pyetje që mund t’i jepet një përgjigje pohuese, natyrisht kundrejt një sërë kundërpyetjesh që kanë të bëjnë me mundësitë e qeverisjes në Shqipëri për ta zbatuar me korrektësi këtë proces dhe mbi të gjitha për ta mbajtur atë vetëm në kornizat strikte të “legalizimit të kanabisit mjekësor të kontrolluar nga Shteti”. Mendoj se nga përgjigjja e këtyre pikëpyetjeve do të varet shumë dhe pohimi apo mohimi i të qenit dakord apo kundër kësaj forme të kufizuar legalizimi të kanabisit. Përballja me mjaft pikëpyetje të tjera.
Duke parë zhvillimet dhe ecurinë e kësaj problematike mjaft delikate për shoqërinë në shumë vende të botës, mendoj se në vazhdimësi Shqipëria do të përballet edhe me pyetje të tjera po kaq delikate që lidhen me këtë proces, sidomos ato që kanë të bëjnë me kultivimin dhe përdorimin strikt personal të kanabisit, mundësinë apo pamundësinë e blerjes legale në farmaci apo dyqane të autorizuara të tij, depenalizimi i përdorimit të kanabisit për qëllime individuale në ambiente të autorizuara e kontrolluara, deri te mundësia e prodhimit dhe tregtimit të tij nga biznese e sipërmarrje të autorizuara e të kontrolluara nga shteti.
E nënvizoj këtë fakt, se në shumë vende të botës, qofshin këto vende të zhvilluara, në zhvillim apo dhe të varfra, në Europë, Amerikë, Azi apo Afrikë, ky debat apo ky lloj këshillimi me publikun e gjerë ka evoluar vazhdimisht drejt shqetësimeve dhe përgjigjeve më domethënëse. Në parim, por dhe duke iu referuar eksperiencës së disa vendeve të tjera, legalizimi i kanabisit e ka ulur shkallën e trafikimit ilegal apo kriminalitetit, por kjo ka ndodhur më shumë në rastet kur krahas legalizimit për qëllime kurative bëhet dhe depenalizimi i tij apo legalizimi i përdorimit për qëllime rekreative.
Zgjidhja është e vështirë, aq më tepër kur fjalë për një treg ndërkombëtar në ekspansion të shpejtë, që në pesë vitet e fundit ka shkuar nga 10 në rreth 50 miliardë euro. Fitimet nga industria e kanabisit janë të konsiderueshme dhe për vende të vogla apo të ngjashme me Shqipërinë. P.sh., vlerësohet se Maqedonia e Veriut fiton deri në 100 – 200 milionë dollarë në vit nga legalizimi i prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore duke dhënë rreth 30 licenca shtetërore për kultivimin e tij.
Në këtë këndvështrim, kjo nismë e qeverisë shqiptare për t’iu nënshtruar një gjykimi dhe debati publik e politik të gjerë, duket se synon pikërisht legalizimin e kanabisit mjekësor, që natyrisht ka dhe përdorime të tjera të lidhura me farmaceutikën, kozmetikën, industrinë ushqimore etj. Besoj se, në radhë të parë dhe kryesore, është përfitimi ekonomik, financiar, shtimi i punësimit, shtimi investimeve private, rritja e të ardhurave, etj.
A mundet që ky projekt të dalë nga kontrolli dhe të nxisë kultivimin e paligjshëm?
Ky rrezik është real. Ne kemi tashmë një “eksperiencë” të gjatë, mjaft negative, në kultivimin e hashashit, në mënyrë të paligjshme. Një pjesë e madhe e parave informale e kriminale në Shqipëri vijnë pikërisht nga ky aktivitet. Jemi cilësuar si “Kolumbia e Evropës”, si “trafikantët e Ballkanit” etj. Besoj se kultivimi dhe trafikimi i paligjshëm i hashashit ka qenë një nga plagët më të mëdha sociale e politike të tranzicionit shqiptar.
Shkurt, potenciali i madh negativ që ky projekt të keqpërdoret dhe të devijojë negativisht janë të mëdha. Pikërisht këtu duhet të fillojë dhe diskutimi dhe analiza e projektit apo kësaj nisme që po shtron për konsultim publik qeveria. Mundësitë e devijimit apo përfitimeve të grupeve të caktuara prej tij janë të shumta. Po përmend disa rreziqe potenciale.
Së pari, “konkurrenca ndërmjet dy çmimeve dhe dy tregjeve”, një tregu legal që ka çmimet e veta të prodhimit, grumbullimit e përpunimit për qëllime mjekësore, dhe një tregu ilegal që ka çmimet dhe fitimin e tij nga trafikimi ilegal apo shitja ilegale brenda vendit për përdorim rekreativ. Rreziku që të fitojë i dyti është evident, çka do të thotë, që në emër të prodhimit të legalizuar, të prodhohet shumë më tepër kanabis që do vazhdojë të ushqejë tregun informal dhe fitimet informale e kriminale. Le të analizojmë disa prej tyre.
“Konkurrenca ndërmjet dy çmimeve dhe dy tregjeve”, një tregu legal që ka çmimet e veta të prodhimit, grumbullimit e përpunimit për qëllime mjekësore, dhe një tregu ilegal që ka çmimet dhe fitimin e tij nga shitja ilegale brenda vendit për përdorim rekreativ. Rreziku që të fitojë i dyti është evident, çka do të thotë, që në emër të prodhimit të legalizuar, të prodhohet shumë më tepër kanabis që do vazhdojë të ushqejë tregun informal dhe fitimet informale e kriminale.
Kërkohet një zgjidhje e qartë ndërmjet “legalizimit të prodhimit të kanabisit për qëllime kurative” dhe “depenalizimit të tij për përdorim të lirë rekreativ”, qoftë dhe në sasi mjaft të vogla e ambiente të përcaktuara me ligj. Shumica e vendeve që kanë legalizuar kanabisin shëndetësor kanë avancuar edhe me depenalizimin apo “dekriminalizimin e tij”, duke u ndeshur edhe me mjaft probleme sociale, sidomos atë të përhapjes së përdorimit të tij nga të rinjtë.
Ekziston rreziku real që kultivimi legal i kanabisit të shkaktojë një konkurrencë të fortë kundrejt prodhimit të produkteve të tjera bujqësore tradicionale e jetike. Duke krahasuar normën e fitimit të fermerëve shqiptarë për një ha në vit për kultura si gruri, misri, perimet, frutikultura etj., rezulton se joshja drejt kultivimit të kanabis do të jetë e madhe sepse në këtë rast fitimet apo të ardhurat vjetore janë disa herë më të mëdha.
A ka ndonjë model të ngjashëm me kushtet tona, të cilit mund t’i referohemi?
Modelet janë të shumta dhe varen nga specifikat dhe “cilësia” apo “eficienca” e shteteve, ligjeve dhe institucioneve të tyre. Modeli më i sigurt, ose deri diku më garantues kundrejt efekteve negative kolaterale, është aplikimi i monopolit shtetëror mbi këtë aktivitet, kontrata të qarta, transparente e rigorozisht të kontrollueshme me fermerë, grupe fermerësh apo kompani private që do të merren me prodhimin dhe përpunimin e tij, ngritja e një sistemi të qartë e të sigurt evidentimi statistikor për njohjen dhe transparencën e zonave apo parcelave të lejuara për prodhimin e kanabisit për qëllime shëndetësore, ligje e masa të rrepta ndëshkimore për çdo devijim apo shkelje të këtyre rregullave. Një model më efikas do të ishte ai që e kombinon prodhimin e kanabisit për qëllime shëndetësore me ngritjen e një mini-industrie përpunuese në vend, në mënyrë që të ardhurat nga eksporti i tij si produkt gjysmë i përpunuar apo produkt i gatshëm të jenë ndjeshëm më të mëdha.