MENU
klinika

"Nuk duam “Republika Srpska” në Kosovë"

Lajçak për “Express”: Asociacioni të zbatohet

31.01.2022 - 10:56

Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet. Askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre. Vizita ime në Prishtinë e Beograd me Gabriel Escobar-in ka tri qëllime. Miroslav Lajçak, përfaqësues special i BE’së në dialogun Kosovë – Serbi, flet për Gazetën Express.

Sllovaku Miroslav Lajçak, vendi i të cilit nuk e njeh Kosovën, është politikan me CV të pasur. Në vendin e tij, i ka arritur majat e diplomacisë, ndërsa edhe në arenën ndërkombëtare ka mbajtur poste të larta, që nga OKB’ja, ku ka shërbyer si president i Asamblesë së Përgjithshme, pastaj, në emër të BE’së, e ka mbikëqyrur referendumin për pavarësi, ka shërbyer si përfaqësues i lartë në Bosnjë etj. Por, duke u emëruar nga BE’ja si përfaqësues për dialogun Kosovë – Serbi, diplomati sllovak ka pranuar një punë të vështirë, në të cilën shumë kolegë të tij kanë dështuar.

“Miro”-ja, siç e thërrasin disa politikanë në Prishtinë, për shkak të kontakteve të shpeshta me të, do të vijë nesër në Prishtinë, i shoqëruar nga Gabriel Escobar-i si përforcim, për ta çuar përpara çështjen e dialogut, që ka ngecur muajve të fundit. Në një intervistë për Gazetën Express në “Zoom”, Lajçaku nuk dëshiron t’i theksojë arritjet, por thotë se ka bërë “shumë përpjekje” për procesin. I informuar për reagimet në Kosovë dhe ofensivën diplomatike amerikane për procesin e bisedimeve dhe çështjen e Asociacionit, Lajçaku ka thënë për Gazetën Express se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet. Por ka zgjedhur të bëjë të qartë se çfarë përjashtojnë europianët rreth Asocacionit.

“Ne nuk duam një tjetër “Republika Srpska”. Askush me mendje të shëndoshë, veçanërisht duke e shikuar situatën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë, nuk do të propozonte diçka të tillë”, thekson sllovaku. Ai nuk pranon të thotë se asociacioni do të jetë edhe pa kompetenca ekzekutive, duke theksuar se edhe Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj, por thekson se udhëheqësisë kosovare nuk do t’i thotë askush që të nënshkruajë diçka të dëmshme. Lajçaku nuk e di afatin për marrëveshje, por thotë se, nëse ka vullnet, ajo mund të arrihet brenda disa muajve.

Gazeta Express: Të fillojmë nga takimi për targat, për të cilin keni informuar të premten. Çfarë ndodhi në takim, çfarë informacione keni?

Miroslav Lajçak : Ky ishte takimi i katërt i Grupeve Punuese, siç jemi pajtuar në shtator. Kështu, të dyja delegacionet takohen për çdo muaj. Ne i drejtojmë këto takime dhe pas këtij takimi të katërt, është bërë progres. Siç kam thënë, ka bisedime konkrete për opsionet dhe për rrugën përpara. Ka ende kohë.

Gazeta Express: A është BE’ja duke shtyrë përpara ndonjë marrëveshje për targat?

Miroslav Lajçak: Ne nuk jemi duke shtyrë përpara ndonjë marrëveshje, por ne provojmë t’i lehtësojmë diskutimet në mes të dy palëve, sigurisht, duke sjellë shembuj nga praktika evropiane, sepse duhet të jepen shembuj që bazohen në praktika evropiane. Ne gjithashtu kemi ekspertë nga Komisioni Evropian që po merren me këtë çështje.

Gazeta Express: A prisni diçka ndryshe nga marrëveshja që e kemi aktualisht? Siç dihet, tani duhet të mbulohen simbolet në tabela.

Miroslav Lajcçk: Nuk dua të spekuloj. Është grupi punues. Grupi punues ka për detyrë që të dalë me rekomandime, pra, ata nuk marrin vendime. Ata prodhojnë rekomandime për udhëheqësinë politike dhe këtë duhet ta bëjnë deri në fund të prillit dhe, deri atëherë, do të kemi më shumë takime dhe besoj që do ta vazhdojmë progresin deri atëherë dhe besoj se do të jemi në gjendje të prodhojmë diçka. 26 prilli është afati për të ardhur me propozime për udhëheqësinë politike. Jeta e këtij grupi punues është me afat gjashtëmujor.

Gazeta Express: Çfarë konsideroni si sukses më të madh tuajin, që kur jeni duke i ndërmjetësuar këto bisedime?

Miroslav Lajçak: Nuk jam duke e shikuar procesin nga aspekti i arritjeve të mia. Unë jam lehtësues. Që nga emërimi im, kam bërë shumë përpjekje. E kemi rinisur dialogun pas dy viteve ngecje. Ne aktualisht jemi duke u përgatitur për hapat e radhës, për një takim tjetër të nivelit të lartë. E dimë që në fund, nuk bëhet fjalë për përpjekjet, por për rezultatet. Deri atëherë, le të flasim për arritjet derisa ta kemi përfunduar të gjithë rrugën dhe të kemi një normalizim të plotë të raporteve.

Gazeta Express: Aktualisht, në nivelin politik, mund të themi se dialogu politik është i bllokuar, apo jo?

Miroslav Lajçak: Jo, nuk është e vërtetë. Shiko, ne kemi pasur një proces më pak dinamik vitin e fundit, në vitin 2020, për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë, zgjedhjeve të hershme dhe formimit të qeverisë. Pastaj, kemi pasur dy takime në mes të z.Kurti dhe z. Vuçiq, në qershor dhe korrik. Kjo ishte mundësia e parë për t’i përballur dhe për të folur në mënyrë të hapur për gjërat dhe kjo është shumë e rëndësishme, që ta njohësh partnerin tënd. Pozicioni ynë në Bruksel është që për takimin e tretë, duhet përgatitur diçka konkrete, rezultate konkrete, për të qenë në gjendje që t’i informojmë qytetarët në Kosovë dhe Serbi për rezultatet, dhe aktualisht po punojmë për përgatitjen e kësaj agjende. Kështu që nuk po mbajmë takime vetëm sa për të thënë. Jam duke i takuar ndaras partnerët e mi në Kosovë dhe në Serbi për ta përgatitur agjendën për këtë dialog. Dialogu nuk është ndalur, por ka marrë një formë tjetër, mund të them…

Gazeta Express: Bazuar në ato që keni parë dhe që keni dëgjuar në këto dy takime, a mendoni se z. Kurti dhe z. Vuçiq janë dy udhëheqësit që mund ta arrijnë marrëveshjen përfundimtare?

Miroslav Lajçak: Po, po, sepse kemi një situatë unike, ku kemi dy udhëheqës të fortë, me nga një mandat të fortë, kështu që ata i kanë fuqinë dhe mbështetjen e njerëzve për ta bërë. Ata e dinë që edhe kjo është pritja e komunitetit ndërkombëtar. Por, së pari dhe më e rëndësishmja, unë mendoj se ata u detyrohen njerëzve për t’i normalizuar raportet, sepse situata aktualisht nuk është e mirë. Kështu që ata munden dhe e kanë atë çfarë nevojitet për t’i marrë këto vendime. Nuk po them që është e lehtë, sepse është jashtëzakonisht e ndjeshme, por kemi udhëheqës me mandat të fortë dhe ata mund ta bëjnë këtë.

Gazeta Express: Z. Lajçak, pas kësaj përvoje në këto bisedime, a mendoni se BE’ja e ka zgjedhur formatin e duhur për këto bisedime. A mendoni se do të ishte mirë të ndryshonte diçka: për shembull, të organizohej një konferencë, ku marrin pjesë edhe udhëheqës të tjerë të BE-së?

Miroslav Lajçak: Unë mendoj që formati aktual është i duhuri, sepse konferencat organizohen ose mbahen, kur ka kriza të mëdha ose kur ka rrezik për konflikte të mëdha të armatosura. Fatmirësisht, s’jemi në atë fazë. Ne kemi një proces, që lehtësohet nga BE’ja dhe që është shumë logjik, sepse Kosova dhe Serbia e synojnë anëtarësimin në BE dhe vetëm Bashkimi Evropian mund ta bëjë këtë. Dhe e dyta, duam të sigurohemi që të gjitha marrëveshjet i sjellin Kosovën dhe Serbinë më afër Bashkimit Evropian. Janë marrëveshje që bazohen në rregullat dhe standartet e BE’së. Prandaj, formati i BE’së është logjik. Në të njëjtën kohë, unë jam duke shfrytëzuar çdo mundësi për t’u takuar me partnerët në margjinat ndërkombëtare dhe për takime me palët e treta ose udhëtoj rregullisht në Prishtinë dhe Beograd për ta shtyrë procesin përpara, për t’u përgatitur. E shfrytëzoj edhe teknologjinë për të biseduar. Por kam pasur edhe takimin me z. Bislimi në Vjenë, për disa orë. Ishte e rëndësishme që të takoheshim personalisht, për të diskutuar çështje se si të përgatitemi për takimin e nivelit të lartë të ardhës. Formati ynë është shumë i qartë. Drejtohet nga BE’ja dhe mbështetet nga ShBA’ja dhe partnerët e tjerë dhe, në të njëjtën kohë, është fleksibil.

Gazeta Express: Por në këtë mënyrë ka marrë shumë vjet. Janë 10 apo 11 vjet që nga fillimi i procesit.

Miroslava Lajçak: Po, por, në fillim, procesi ishte drejtuar nga Përfaqësuesi i Lartë, derisa këta janë njerëz shumë të zënë me shumë çështje. Por, kjo udhëheqësi vendosi që caktojë një person që do të merret me dialogun 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Këtë po e bëj unë. Kjo është një hollësi e re e dinamizmit. Është një numër i përhershëm për ta thirrur nga Prishtina dhe Beogradi, që është numri im. Unë jam gjithmonë këtu. Por, sigurisht, duhet t’i marrim për llogari edhe zhvillimet politike, p.sh. i kemi pasur zgjedhjet e hershme në Kosovë, do të ketë zgjedhje së shpejti edhe në Beograd. Por nuk po e përdorim këtë si arsyetim për shtyrje procesi. Ne jemi gati për progres, aq shpejt sa palët .Siç kam thënë, kemi një realitet të ri, me Qeverinë e re në Kosovë, që ka ardhur me pikëpamje të forta në dialog, që janë të ndryshme me qeveritë e kaluara. Dhe jemi duke kaluar shumë kohë për të diskutuar më shumë për procesin dhe jo për çështjet dhe kjo është e ndryshme krahasuar me qeveritë e kaluara. Por askush nuk i vë në pikëpyetje rëndësinë e dialogut dhe rëndësinë e normalizimit dhe palët janë duke u angazhuar.

Gazeta Express: A mendoni që tani, për z.Kurti, dialogu është prioritet, sepse ai ka thënë se dialogu nuk është njëri nga prioritetet e larta të tij?

Miroslav Lajçak: Asnjëherë s’kam hyrë në këtë lojën e prioriteteve, se a është prioriteti numër dy apo numër tre. Vetë kam qenë pjesë e Qeverisë për dhjetë vjet dhe ju nuk i zgjedhni prioritetet, duhet të merrni më shumë çështje. Normalizimi i raporteve me Serbinë është një prej çështjeve të rëndësishme të çdo qeverie të Kosovës. Z. Kurti e di këtë. Z.Kurti është i përkushtuar për dialog. Ka ardhur në Bruksel dy herë dhe më ka thënë që është i gatshëm të vijë përsëri. Ne kuptojmë dhe duam të sigurohemi që takimi i radhës të jetë i përgatitur dhe për këtë po punojmë.

Gazeta Express: Edhe një herë për mënyrën e dialogut: formatet e Rambujesë ose Vjenës, a janë formate për t’u shqyrtuar?

Miroslav Lajçak: Fatmirësisht, kohët kanë ndryshuar që nga Vjena. Nuk ka rreziqe ekzistenciale për këtë lloj konferencash. Jemi duke diskutuar çështje themelore, të cilat nuk mund të zgjidhen për disa ditë apo për dy – tri javë. Në të njëjtën kohë, jam i sigurt që nuk mund të zgjasë procesi edhe dhjet vjet. E persëris këtë. Nëse ka vullnet politik dhe përkushtim nga të dyja palët, kjo mund të jetë çështje muajsh, jo e një muaji, por e disa muajve. Ju nuk mund ta merrni udhëheqësinë jashtë vendit për një periudhë aq të gjatë. Ne po takohemi dhe po kontaktojmë rregullisht. Takimet në Bruksel kanë kuptim, sepse atje i ke tërë mbështetjen dhe tërë ekspertizën. Gjithashtu, na ndihmon që të kemi kontakte me partnerët ndërkombëtarë, me shoqërinë civile. Nuk po e ngadalësojmë procesin. U takon palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të vendosin se sa shpejt, BE’ja, sigurisht dhe absolutisht, është e gatshme të ecë aq shpejt. Ne po sigurohemi që procesi nuk po pengohet ose ngadalësohet.

Gazeta Express: Pra, ju parashikoni që brenda pak muajve mund të kemi një marrëveshje?

Miroslav Lajçak: Unë nuk po e them atë. Po them që nuk duhet që të marrë vite. Për këtë duhet të ketë përkushtim nga të dyja palët, sepse, në fund, u takon Kosovës dhe Serbisë që të kenë vullnet politik, kurajo për të pasur rezultat, për të gjetur përgjigje për të gjitha këto çështje. Askush nuk do të donte që ta udhëhiqte këtë proces përgjithmonë, sepse quhet normalizim, sepse nënkupton që situata aktuale nuk është normale dhe kjo merr energji, kohë, njerëzit janë të lodhur. Nuk mendoj që dikush është i lumtur dhe besoj që gjetja e një zgjidhjeje është në interesin e të gjithëve, sidomos qytetarëve.

Gazeta Express: Uashingtoni dhe Brukseli e kanë konfirmuar vizitën në Prishtinë dhe Beograd. Do të shoqëroheni nga z. Escobar. A mund të na thoni konkretisht se cila është agjenda? A janë përgatitjet për një takim të nivelit të lartë apo për të shtyrë ndonjë marrëveshje specifike?

Miroslav Lajçak: Ne punojmë shumë ngushtë me administratën e Joe Biden-it. Jemi në kontakte të rregullta dhe të afërta me Gabriel Escobar-in. Kjo do të jetë mundësia e parë për të udhëtuar në Prishtinë dhe Beograd bashkë. Qëllimet e këtij takimi mund të them se janë tri. E para, për ta treguar mesazhin e unitetit, për të treguar se dialogu është i ndërmjetësuar nga BE’ja dhe i mbështetur nga ShBA’ja. E dyta, për të dëgjuar nga partnerët dhe për të diskutuar me ta se si të ecim përpara me procesin dhe, e treta, për të diskutuar disa çështje aktuale.

Gazeta Express: Cilat?

Miroslav Lajçak: Jam i sigurt që e kuptoni që nuk mund të futem në hollësi në këtë kohë. Do t’ju informojë në fund, pas vizitës. Sigurisht që, fillimisht, këto çështje duhet t’i diskutoj me partnerët dhe bashkëpunëtorët.

Gazeta Express:  A do të diskutohen çështje që ndërlidhen me Asociacionin, sepse ka raportime në medie se do të sillni opsione për mënyrën e zbatimit të Asociacionit?

Miroslav Lajçak: Më lejo që ta bëj të qartë. Pozicioni ynë është shumë i qartë – që ne presim që Kosova dhe Serbia duhet t’i përmbushin të gjitha marrëveshjet e kaluara. Pacta sunt servanda (nga latinishtja: “aktet duhet të mbahen”). Ka një listë të gjatë për Serbinë dhe i kemi ngritur këto çështje, që duhet të zbatohen, te partnerët në Serbi. Kushdo që thotë që ne kemi bërë gjithçka dhe pala tjetër asgjë nuk është duke i ditur faktet, thjesht. Kjo është një gjë. Kështu që Asociacioni nuk është e vetmja çështje, është njëra nga to.

Por, në të njëjtën kohë, ne po themi së pari, nuk duam një tjetër “Republika Srpska”. Askush me mendje të shëndoshë, veçanërisht duke e shikuar situatën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë, nuk do të propozonte diçka të tillë.

Gazeta Express: Dhe pa kompetenca ekzekutive, apo jo?

Lajcak: Unë mendoj se ndoshta do të ishte mirë të ndryshohej narrativa. Në vend se të thuhet se çfarë nuk duam, do të ishte më mirë të pyetej se çfarë do të ishte ajo që duam, sepse është procesi juaj dhe Kosova ka 50 për qind të hises. Askush nuk do t’u japë një letër dhe t’ju thotë “nënshkruajeni”. Ju jeni palë e barabartë në proces dhe keni absolutisht të drejtë që të vini me propozimet tuaja në proces. Dhe, në vend se të thuhet se nuk e duam këtë apo nuk e duam atë, do të ishte më mirë të thuhet “kjo është ajo çfarë propozojmë”, “kjo është se si duam që kjo të bëhet”.

Gazeta Express: A do të ketë të drejtë edhe Serbia që të bëjë propozime për Asociacionin?

Miroslav Lajçak: Sigurisht, sepse ju jeni palë të barabarta dhe ju diskutoni. Dhe ne jemi aty për t’ju ndihmuar me ide, që janë të bazuara në standardin evropian dhe modelin evropian. Por, në asnjë pikë, as në të kaluarën e as në të ardhmen, nuk do të jeni të detyruar për të nënshkruar diçka që mendoni se është e dëmshme për vendin tuaj.  Ju jeni në proces. Ju keni të drejtë të propozoni dhe të refuzoni. Në fund, çfarëdo gjëje, për të cilën pajtoheni, duhet të jetë një kompromis. Një gjë duhet të kuptojmë: që, nëse ne në BE fillojmë të themi “shikoni, shumë gjëra janë arritur, por s’është e nevojshme që të gjitha të zbatohen, kjo do të bënte që i gjithë procesi…”

Gazeta Express: A është asociacioni njëra prej çështjeve për të cilat Kosova dhe Serbia i kanë mospajtimet më të mëdha?

Miroslav Lajçak: Kemi një listë të gjërave që Kosova duhet t’i zbatojë dhe një listë që Serbia duhet t’i zbatojë. Asociacioni është njëra prej çështjeve më të diskutuara, por ka gjithmonë çështje…

Siç thashë, marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të zbatohen, nëse duam që ky proces të jetë serioz. Por kjo nuk do të thotë që dikush do t’i imponojë diçka Kosovës, që Kosova nuk e do. Le të jemi shumë të qartë për këtë.

Gazeta Express: Çfarë mund të na thoni për çështjen e rrymës në veri dhe për çështjen e personave të zhdukur, që Sekretari Blinken i përmendi në letrën e tij. A është kjo në linjë me agjendën e BE’së?

Miroslav Lajçak: Letra e Sekretarit Blinken është edhe një fakt tjetër se sa afër janë ShBA’ja dhe Bashkimi Evropian në bashkëpunim. Ai ka ngritur një numër çështjesh, të cilat janë adresuar në dialog dhe në linjë me dialogun. Po, çështja e rrymës në veri është njëra nga to dhe gjithashtu edhe çështja e personave të zhdukur. Ai gjithashtu thotë se duhet mbajtur zotimet e kaluara dhe duhet që të shmangen veprimet apo retorika që mund t’i rrisë tensionet dhe më lejo të them që kjo vlen për të dyjat, Kosovën dhe Serbinë. Dhe po, ne po diskutojmë për çështjen e rrymës, rregullisht, në çdo takim me z. Bislimi, z.Kurti dhe gjithashtu me partnerët në Beograd. Ne jemi duke diskutuar edhe për çështjen e personave të pagjetur dhe sigurisht që ajo do të jetë në agjendën e takimit të radhës, logjikisht, sepse duhet ta diskutojmë këtë çështje.

Gazeta Express: Sa i përket energjisë, a besoni se do të arrihet një marrëveshje shpejt?

Miroslav Lajcak: Po, unë vërtet besoj. Duhet gjetur një marrëveshje shpejt dhe ne kemi bërë progres për këtë dhe mendoj që po. Nuk dua të tingëlloj tepër optimist, por vërtet besoj se mund  të kemi një marrëveshje për këtë dhe të gjithë e kuptojnë seriozitetin e kësaj çështjeje.

Gazeta Express: Po për personat e zhdukur?

Miroslav Lajcak: Çështja e personave të zhdukur është prioritet për të dyja palët, është një çështje tepër e ndjeshme humanitare dhe sigurisht që familjet e personave të pagjetur meritojnë që të dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre. Kështu, që askush nuk e vë në pikëpyetje këtë çështje. Dhe ne po i diskutojmë mënyrat më të mira se si ta adresojmë këtë çështje dhe se si ta përshpejtojmë punën që është bërë deri tash.

Gazeta Express: Ju thatë që bashkëpunoni ngushtë me ShBA’në, por këtë po e bëni nga dy pozicione të ndryshme. ShBA’ja thotë se marrëveshja përfundimtare duhet të përqendrohet në njohje reciproke, ndërsa BE’ja e përmend marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve, pa e përmendur njohjen. A e shihni këtë si pengesë?

Miroslav Lajçak: Jo, nuk e shoh këtë si pengesë, sepse ne jemi plotësisht në linjë me ShBA’në për atë se çfarë duam të arrihet nga ky proces, që është një zgjidhje e qëndrueshme afatgjate. Duam nga Kosova dhe Serbia që ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të shikojnë nga e ardhmja dhe për këtë jemi në të njëjtin qëndrim. Në fund, nuk është mbi BE’në dhe ShBA’në, por mbi udhëheqësinë e Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të ulen në tavolinë dhe të merren vesh. Askush nga jashtë nuk mund ta bëjë këtë për ju dhe kjo është për të ardhmen tuaj.

Gazeta Express: Por ShBA’ja këmbëngul në njohje, përsërit që kjo duhet të çojë në njohje. BE-ja nuk e përmend këtë.

Miroslav Lajçak: BE’ja thotë “normalizim raportesh”. Nuk dua ta shikoj si kontradiktë. Formula e BE’së është më e gjerë, është më gjithëpërfshirëse dhe e theksoj faktin se ne s’jemi duke e diktuar zgjidhjen. Ju jeni ata që vendosni për zgjidhjen, të dyja palët. Ne nuk themi se çfarë duhet të bëhet apo çfarë nuk duhet të bëhet. Ju e zotëroni procesin.

Gazeta Express: A mendoni njëjtë edhe ju si z. Borell, se z. Kurti është ai që po ngurron të kthehet në tavolinën e dialogut.

Miroslav Lajçak: Do të doja t’i vendosja fjalët e z. Borell në një kontekst më të gjerë, se si unë e kuptoj. Mbase ai është duke iu referuar faktit që, me këtë qeveri aktuale të Kosovës, ne jemi duke e diskutuar më shumë procesin në vete dhe jo vetëm çështjet, ndërsa, me qeveritë paraprake, është vazhduar gjithmonë dialogu ashtu siç ishte dizajnuar në vitin 2011. Por z. Kurti i ka idetë e veta se si duhet ky proces të dizajnohet dhe këtë jemi duke e diskutuar, poor jemi në komunikim të përhershëm. Mund të duket se ka më pak proces, sepse ka më pak gjëra të dukshme, por jemi të angazhuar rregullisht dhe jemi duke punuar se si ta përcaktojmë procesin dhe si duhet të bëhet puna për marrëveshjen përfundimtare për normalizim. Kjo është ndryshe nga qeveritë e kaluara dhe besoj se z. Borell ndoshta i është referuar kësaj, vetëm sa për t’u sqaruar.

Gazeta Express: Kur pritet që z. Kurti dhe z. Vuçiq të udhëtojnë drejt Brukselit?

Lajcak: Ata të dy e kanë shprehur gatishmërinë për të ardhur, kurdo që ftohen. Ne kemi thënë që ata do t’i ftojmë kur të kemi substancë dhe po punojmë për këtë. Po punojmë në dokumente të ndryshme, që mund të diskutohen apo finalizohen përgjatë atij takimi. Kjo vizitë do të jetë shumë e rëndësishme për mua, që të dëgjoj nga z. Kurti, z. Bislimi dhe z. Vuçiq se çfarë progresi është bërë dhe se cilat çështje duhet të diskutohen. Mendoj se pas një jave do të jemi më të qartë se kur mund ta kemi takimin e radhës, sepse një takim sa për t’u takuar është nivel shumë i ulët i ambicies. Kjo është ajo për të cilën jemi pajtuar dhe duam që takimi i radhës të prodhojë një substancë konkrete dhe jemi duke punuar për këtë.

Gazeta Express: Kur thatë “substancë konkrete”, a do të nënshkruajnë diçka në këtë takim të tretë z. Kurti dhe z. Vuçiq?

Miroslav Lajçak: Është e mundshme, por nuk është kusht. Por, sigurisht, ata duhet të pajtohen për diçka. Mund të kemi mënyra të ndryshme të marrëveshjes, duke nënshkruar, duke deklaruar, por duhet të jetë diçka për të cilën pajtohen.

Gazeta Express: Sa prisni që zgjedhjet në Serbi të ndikojnë në këtë proces?

Miroslav Lajçak: Shiko, kalendari politik është një realitet. Duhet ta respektojmë. Në javën e fundit para zgjedhjeve, zgjedhjet janë prioritet  dhe ca javë pas zgjedhjeve, kur formohet qeveria e re. Ky është një realitet politik. Nuk është një arsye për të mos bërë asgjë. Sigurisht, shefat e ekipeve mund ta vazhdojnë punën për ta caktuar takimin e radhës të nivelit të lartë. Nëse do të jetë para zgjedhjeve apo pas zgjedhjeve, u takon z. Kurti dhe z. Vuçiq dhe do ta diskutoj këtë me ta, nuk dua ta diskutoj (këtu). Fakti është që, pas këtyre zgjedhjeve në prill,  do të kemi një situatë unike pas një kohe të gjatë, kur s’do të ketë më zgjedhje, dhe palët do të angazhohen në dialog.

Gazeta Express: A mendoni se z. Kurti do ta ndryshojë mendjen sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë?

Miroslav Lajçak: Nuk do të doja të spekuloja për këtë, sepse nuk do të ishte serioze. Por sigurisht që kjo është një prej çështjeve në agjendën e komunitetit ndërkombëtar.

Gazeta Express: Por a do ta shtroni këtë edhe në takimet me z. Escobar, që do ta keni në Prishtinë?

Miroslav Lajçak: Do të ishte e çuditshme, nëse nuk do ta preknim këtë çështje. Ne jemi këtu për t’i ndihmuar palët.

Gazeta Express: Z. Lajçak, kur do të prezantoni një kornizë të marrëveshjes përfundimtare, a keni një kufi kohor për këtë, a do të thoni “mjaft është mjaft”?

Miroslav Lajçak: Ne e kemi përgjegjësinë për të punuar në normalizim, sepse situata aktuale e status-quos nuk mund të jetë e kënaqshme për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Ne ke emi kornizën e vitit 2020, por e kemi qeverinë me qëndrime të qarta për procesin. Kështu që jemi duke e diskutuar kornizën që do të ishte e pranueshme për të dyja qeveritë, jemi duke diskutuar për këtë dhe do ta kemi atë sapo palët të pajtohen për të. Kështu që unë personalisht jam kundër artificiales, sepse nuk kemi nevojë të vendosim afat, kur nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Qëndrimi im për afatizimin është: “mos u vono dhe mos vrapo”. Unë jam i gatshëm 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë. Jam në kontakt të përhershëm me palët. Po punojmë për të. Por, në fund, është vendim i të dyja palëve, ato duhet të pajtohen për këtë kornizë dhe ato duhet ta çojnë këtë proces përpara dhe ne jemi këtu për t’i shoqëruar.

Gazeta Express: Kemi parë qëndrime të forta të ShBA’së sa i përket garantimit të sovranitetit të Kosovës, për atë se s’do të ketë “Republika Srpska” ose se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive. Por çfarë mund të garantoni ju si BE: perspektivë europiane, liberalizimin, njohjen nga pesëshja jonjohëse?

Miroslav Lajçak: Bashkimi Evropian e ofron të ardhmen evropiane për Kosovën dhe për qytetarët e Kosovës. BE’ja e ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, që është marrëveshja e parë zyrtare kontraktuale për raportet. Ky është hapi i parë formal dhe duhen hapa të tjerë në vazhdimësi. BE’ja është e gatshme që ta marrë mbi vete procesin, por askush nuk mund ta garantojë të ardhmen evropiane të Kosovës përveç Bashkimit Evropian. Shumë vende do të donin të jenë pjesë e procesit, por nuk janë dhe ky është një privilegj.

Sa u përket vizave, nuk është në kuadër të dialogut tonë. Por, emocionalisht, bashkëndiej me qytetarët e Kosovës. Them për ju dhe për shtetet anëtare që Kosovës duhet të i ishin dhënë vizat shumë kohë më parë dhe është koha ideale që shtetet anëtare të bëjnë një gjë të tillë.

Për ta bërë ëndrrën evropiane realitet, duhet të ketë normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe për këtë jemi plotësisht të angazhuar për t’ju sjellë sa më afër të ardhmes evropiane.

Gazeta Express: Në ‘twitterin” tuaj kemi parë që udhëtoni shumë. A e keni pasur rastin të diskutoni me Kinën dhe Rusinë për punën që po e bëni dhe cili është pozicioni i tyre rreth këtij lloji të bisedimeve që po lehtësohet nga BE’ja?

Miroslav Lajçak: Kjo është një çështje, unë e quaj dialogun Kosovë – Serbi një prej çështjeve më strategjike në rajon, sepse, sigurisht, shkon përtej raporteve dypalëshe dhe e prek secilin në rajon. Prandaj, ndiqet me intersim të madh në botë. Sigurisht, e kemi ShBA-në, me të cilën punojmë tepër ngushtë, e kemi Britaninë e Madhe, që gjithashtu interesohet. Sigurisht, partnerë të parë i kam shtetet anëtare, me të cilatt komunikoj në mënyrë të rregullt. Por ka edhe vende të treta, të cilat interesohen të dëgjojnë për procesin. Kur e vizitova Nju Jorkun, i takova përfaqësuesit e përhershëm të Kinës dhe Rusisë, me të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit, sepse ata e kanë qëndrimin e tyre. Diplomatët në Bruksel, nga shumë vende, e takojnë ekipin tim dhe interesohen për progresin në këtë proces. Ky proces ndiqet me interesim të madh nga shumë vende në botë.

/Gazeta Ekspres