MENU
klinika

"Për asociacionin, ajo duhet të propozojë një statut"

Nazarko: Qeveria “Kurti” ka suksese në luftën kundër korrupsionit

29.01.2022 - 21:37

I pyetur për zhvillimet e fundit në Kosovë në studion e “Arnautistan”, gazetari Mentor Nazarko vlerësoi sukseset në luftën ndaj korrupsionit të qeverisë “Kurti” dhe vështirësitë e krijuara si pasojë e ndikimit të lobeve serbe në sektorin energjetik. Ai tha se gradualisht, Kurti po fiton pjekurinë e një njeriu të ekzekutivit duke kapërcyer disa ide fikse të një pjese të elitës intelektuale dhe politike të Kosovës. Nazarko tha se shumë shpejt Kurti do të vendoset nën presionin amerikan (vizita e Eskobarit dhe Lajçakut) për disa çështje si ajo e asociacionit, një vendim i Gjykatës Kushtetuese për manastirin e Deçanit etj.

“Jo rrallë, politika dhe shoqëria jonë ngatërrojnë pjesën me të tërën. Marrëveshja për asociacionin është mbështetur mbi planin e Ahtisarit, garantonte zbatimin e ligjit dhe autoritetin e institucioneve kosovare në të gjithë territorin dhe për asociacionin ia lë topin qeverisë së Kosovës, e cila duhet të miratojë një projekt statut të modelit europian”, saktësoi ai.

Nazarko thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve, e hedhur pak vite më parë, mund të kishte qenë zgjidhja më e mirë.

“Një shkëmbim minimal territoresh, në kuadër të një marrëveshjeje midis dy kombeve (edhe Eskobar nuk e përjashtoi këtë), do të ishte zgjidhja më e mirë. Ky shkëmbim territoresh do të duhej të negociohej, ku përballë Serbisë të ishte Kosova me Shqipërinë. Edhe sot janë rrethanat për një marrëveshje përfundimtare. Shqipëria po e rrit fuqinë e vet ndërkombëtare (anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së; çel negociata me BE në pas zgjedhjeve franceze; është strehë për shtabin e operacioneve speciale amerikane) dhe në një situatë si kjo, duhet ta ndihmojë Kosovën, duhet të komunikojë më mirë me Kosovën. Nga burimet e mia, serbët në negociatat e mëhershme kanë qenë të interesuar vetëm për një variant minimal shkëmbimi. Interesi real i serbëve është Bosnja, Republika Serbska, që ka sipërfaqen më të madhe. Me Serbinë, pasi e kemi mundur në 1999 si komb, duhet mbyllur njëherë e mirë kapitulli i pajtimit”, tha Nazarko.